3.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Inkuzicioni laik anatemon çunat e kombëtares

Më të lexuarat

Bashkim Aliu

Kampionati Europian i Futbollit-Euro 2016, ku për herë të parë merr pjesë edhe kombëtarja shqiptare, sa i mobilizoi shqiptarët anëmebanë botës që ta mbështesin fuqishëm kombëtaren shqiptare, aq i kalli disa lapsaxhi të mllefosur, profesionistë shkarravinash dhe broçkullash, të cilët në këtë kohë, kur të gjithë i japin mbështetje kombëtares dhe çunave Kuq e Zi, gjejnë kohë për t’i sulmuar, e besa edhe për t’i akuzuar disa prej tyre, pse nuk e fshehin identitetin islam dhe pse haptazi hprehen se bëjnë lutje para ndeshjes, apo nuk pranojnë të reklamojnë gjëra, të cilat ata për vete, i konsiderojnë të ndaluara, që është krejt normale në botën e civilizuar, dhe për çka ka kuptim çdo qytetar i botës së lirë. Është për t’u çuditur që autorët e broçkullave të këtilla, si mundohen që veprimet e disa futbollistëve të kombëtares, apo disa futbollistëve tjerë shqiptarë që luajnë në disa kombëtare tjera, t’i paraqesin të shtrembëruara, gjegjësisht veprimet të cilat janë normale dhe e drejtë e çdo njeriu në një botë të civilizuar, këta lapsaxhinj i shtrembërojnë duke i paraqitur si “propagandues agresiv fetar”, “flamurtar të Islamit politik”, “të instrumentalizuar për qëllime të Islamit politik”, “që nuk i shërbejnë çështjes kombëtare”,”gjykues të kategorive harram-hallall”, etj. Por, të gjitha këto cilësime janë tendencioze, shtrembërime, dëshmi e një mllefi ndaj fetares, mungesë e pluralizmit, respektimit të të drejtave të tjetrit, dhe një formë e promovimit të një inkuizicioni modern laik, që do të anatemojë, si jo kombëtar, të gjithë ata që nuk ngurrojnë ta shprehin mendimin e lirë dhe publikisht të mos pranojnë të bëjnë veprime të cilat nuk përputhen me bindjet e tyre, e që është e drejtë elementare njerëzore. Mërgim Mavraj, kur nuk ka pranuar ta bartë fanellën me reklamë të një marke kosovare të birrës, nuk i ka gjykuar tjerët, por e ka bërë atë që është e drejtë e tij e pranuar nga bota e civilizuar. Ndërkaq, ai që gjykon dhe paragjykon, është pikërisht ai që veprimet e këtilla të njerëzve të lirë, veprime këto normale për botën e civilizuar, i vlerëson si gjykim i Mavrajt për tjerët. Ky autor që akoma nuk ka arritur ta kuptojë drejtë lirinë si një vlerë të pakontestueshme në Perëndim, e ven veten në pozitën e gjykatësit i cili i tregon, Mavrajt dhe tjerëve, çka guxojnë të bëjnë e çka jo, dhe çka është kombëtare dhe çka është jo kombëtare, mentalitet ky tipik për kohën e inkuizicionit, por jo edhe për shoqëritë moderne dhe njerëzit e lirë.

Problematizimi i çështjeve të cilat paraqesin bindje dhe janë e drejtë personale e njeriut, flet për mendësinë e ngushtë me elemente ksenofobe dhe të një autoritarizmi ideologjik, si dhe patologjie diktati të trashëguar nga sistemet diktatoriale të cilat për tokën e europës perëndimore, ku veprojnë disa nga ata të cilët shkruajnë do farë shkarravinash, ku i sulmojnë disa nga çunat e kombëtares shqiptare dhe disa futbollistë tjerë të spikatur shqiptarë, të cilët paraqesin krenari të kombit. Të tillët, me shkarravinat e veta nëpër gazeta dhe faqe të ndryshme në mediumet elektronike, duke u munduar tu mbajnë mësime për “kombin” dhe interesin kombëtar djemve tanë të cilët më së miri kontribuan për imazhin e shqiptarëve në perëndim, duke treguar shembull të shqiptarëve të suksesshëm në shoqëritë euro-perëndimore me çka më bukur se shumë relatorë e shpjeguan integrimin, shndërrohen në top futbolli të plasur e të gjuajtur në rrugë,  të cilin e shqelmojnë ata që rezonojnë drejtë, por jo për të shënuar ndonjë gol, por thjesht për ta shporrur nga rruga se paraqet thjeshtë një pengesë që nuk meriton të jetë në rrugë ku ecin njerëzit.

Por, dorën në zemër, duhet të kuptohen edhe rreshtshkruesit e shkarravinave që sulmojnë disa futbollistë të kombëtares dhe të disa ekipeve tjera me peshë në futbollin europian. Këta lapsaxhinj shterpë, nuk janë kultivuar prej vegjëlie në ambientet në të cilët janë kultivuar këta çuna fisnik dhe me dinjitet. Këta kanë lindur dhe janë rritur në vende të ndryshme të Europës perëndimore, që do të thotë se janë rritur dhe edukuar në një shoqëri të lirë, ku respektohen të drejtat, ku funksionon shteti ligjor, dhe çka është më e rëndësishmja, në shoqëri të cilat mburren me lirinë e mendimit dhe shprehjes si një nga vlerat dhe të arriturat më madhore të shoqërisë njerëzore. Po, ama, liria e mendimit dhe shprehjes, nuk vlen vetëm për homoseksualët, lesbejët, ateistët, laikët, etj., ajo vlen edhe për muslimanët, gjegjësisht vlen edhe për atë që është plotësisht i lirë, fjala vjen si Shkodran Mustafi kur e largon shishen e birrës nga tavolina, ose si Mërgim Mavraj kur nuk pranon ta reklamojë barren, si Tarashaj kur thotë se lexon lutje nga Kur’ani, ose si çunat tjerë që janë shndërruar në emra respektabil jo vetëm të futbollit shqiptar por edhe të atij evropian. Po, zotërinj që vajtoni për vlerat europiane, këta çuna janë ata që janë rritur në këto ambiente ku brezat kultivohen në frymën e këtyre vlerave, dhe këta janë njerëzit e lirë, independent, europianë, ashtu si kërkon Europa. Por, këta janë muslimanë, dhe kjo liri i ka bërë që most ë turpërohen nga identiteti  tyre fetar, most ë veprojnë kundër vullnetit dhe bindjeve të tyre ,ngase këtë e nënkupton liria. Pra, liria nuk është vetëm të refuzosh të mos publikosh karikatura ku fyhen figura fetare, me pretekst se kjo është kufizim i lirisë dhe veprim kundër bindjeve, vullnetit dhe lirisë personale, dhe fyerjen e ndjenjave fetare të tjetrit ta bësh në emër të lirisë së mendimit dhe shprehjes, por liria është edhe ta largosh birrën nga tavolina, të mos e reklamosh birrën, të falesh, të bësh lutje, ngase këto janë bindjet tua personale, dhe veprimi sipas bindjeve, pa mos e dëmtuar askend dhe pa mos e rrezikuar rendin në shoqëri, është vlerë e çmuar europiane. Për atë, problem është se këta lapsaxhinj të mërzitshëm janë rritur në ambiente ku ka dominuar cenzura në mendime, bindje dhe pikëpamje, për atë nuk mund ta kapërdijnë në asnjë mënyrë të mos reklamosh birrë siç veproi Mërgim Mavraj, ngase Mërgimi, sipas standardeve europiane, është njeri i lirë, i integruar, indipedent dhe absorbues i vlerave të mirëfillta. Ndërkaq, ata që habiten dhe e sulmojnë Mërgimin, Shkodranin dhe të tjerë, për shkak këtyre veprimeve, janë koka jo të lira me shabllone të trashëguara nga koha e Marshall Titos dhe xhaxhit Enver, nuk kanë arritur ende të formojnë koncept të drejtë për lirinë si vlerë europiane, dhe aq më keq, abuzojnë me këtë vlerë duke e vënë në kontekst të gabuar, nga mllefi dhe dëshira për të kompromtuar njerëz të lirë.

Disa herë mundohem të gjejë edhe ndonjë shpjegim tjetër për disa nga këta renditës shkronjash, në veçanti kur janë në pyetje ata që veprojnë në Zvicër, por veç mendësisë së vjetëruar moniste, nuk gjej diçka tjetër shumë domethënëse, me përjashtim të lidhjes dhe ndikimit të mundshëm nga Koreja e Veriut. Në fakt, Kim Yong-un ka qëndruar një kohë në Zvicër në një shkollë, dhe ka mundësi që të ketë reflektuar koxha si shumë te këta autorë shkarravinash, të cilët në mënyrën më të ulët dhe provocative, tentojnë t’i akuzojnë disa futbollistë të kombëtares, duke arritur deri në atë nivel të injorancës dhe papërgjegjshnmërisë e paragjykimit, sa që i quajnë “promotorë të Islamit politik”. Krahas asaj se nuk kanë haber këta “novinar” as për Islamin dhe as për politikën, aq më tepër nuk kanë haber për lirinë si vlerë europiane, edhe pse thirren në emër të saj. Ku ta dish, ndoshta të ftohtit e alpeve ua kanë ngrirë mendjen.

Çunat e kombëtares dhe çunat shqiptarë që luajnë në kombëtaret tjera, meritojnë çdo respekt, ata na motivojnë me lojën, përkushtimin, vendosmërinë, patriotizmin dhe prirjet e tyre, si dhe me të kuptuarit e drejtë të lirisë.

Çuna, vazhdoni, ju nuk jeni fajtorë pse disa lapsaxhinj nuk janë liruar dot nga e kaluara monsite, dhe tentojnë të ndërtojnë një inkuizicion modern laik.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit