Megjithëse nuk kishte të drejtë të japë prona në shfrytëzim më shumë se për dhjetë vjet, komuna e Kaçanikut, me nënshkrimin e atëherë kryetarit Xhabir Zharku, kishte vendosur t’i japë një biznesi privat – në afat të përhershëm – pronë në vlerë afër dy milionë eurove.
Agjencia e Privatizimit madje pohon se prona figuronte e saj, jo e komunës. Kontrata ishte dhënë pa ndonjë procedurë tenderuese.
Pas një shkrese që i kishte drejtuar komunës, kompania lokale “Çlirimtarët” kishte arritur para katër viteve të merrte një pronë nga Kaçaniku ku planifikonte ndërtimin e një objekti banesor-afarist me rreth 90 lokale e banesa.
Më 12 shtator 2008, përfaqësuesi i kompanisë Ehlam Bunjaku i shkruante drejtorisë së urbanizmit që t’ia bënte të mundur dhënien e parcelës prej 31 ari.
“Do të përfitojnë edhe familjarët e dëshmorëve të UÇK-së, invalidët e luftës, veteranët dhe komuna e Kaçanikut…”, shkruante Bunjaku, raporton “Gazeta Jeta në Kosovë”.
Ish-kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku – derisa ndodhej nën hetime tjera nga prokurorët e EULEX-it për çka është dënuar me tri vjet burg dhe është larguar nga posti më herët këtë vit – kishte nënshkruar, në më pak se një muaj e gjysmë më vonë, më 23 tetor 2008, që t’ia jepte kompanisë ngastrën kadastrale nr. 650 e që gjendej mes Gjykatës Komunale dhe Qendrës së Emergjencës në Kaçanik.
Sipas vendimit, lokacioni lejohej për “ndërtim të objektit të banimit kolektiv me lokale afariste”.
Dhe, me këto ndërtime, ngastra merret në shfrytëzim në periudhë të përhershme.
Por, komuna e Kaçanikut nuk kishte të drejtë që ta jepte pronën në shfrytëzim më shumë se dhjetë vjet. Në bazë të ligjit, përkatësisht rregullores për vetëqeverisje lokale 2000/45, neni 44.2, komuna nuk ka të drejtë të lëshojë tokë në shfrytëzim për më shumë se dhjetë vjet pa lejen e nivelit qendror.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), jo që kishte dhënë leje, por i kishte kërkuar kryetarit Xharku që ta rishqyrtojë vendimin, më 24 prill 2009. Edhe sipas rregullores nr. 2005/13 mbi Dhënien në Shfrytëzim Afatgjatë të Pronës së Paluajtshme Shoqërore që administrohet nga komunat e Kosovës, nenit 2.1 që flet për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës, ky vendim nuk lejohej.
“Varësisht nga autorizimi paraprak me shkrim i autoritetit qendror për çfarëdo dhënie të pronës në shfrytëzim për të cilën kohëzgjatja e afatit të shfrytëzimit është më shumë se dhjetë vjet, komuna autorizohet që cilëndo prone për të cilën ajo është bartëse e së drejtës t’ia jep në shfrytëzim ndonjë personi ose subjekti fizik apo juridik për aq kohë sa zgjat afati”, thotë neni.
Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Kaçanikut, Bekim Troni, thotë se vendimi ishte nxjerrë në mungesë të ligjit: “Atëherë nuk ka qenë në fuqi ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale, ne kemi mundur të marrim një vendim të tillë”.
Por, drejtori i departamentit ligjor, në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Agron Maxhuni, thotë për “Gazetën Jeta në Kosovë” se korniza ligjore ka ekzistuar me rregulloret e përmendura.
Në bazë të vendimit të Zharkut, pas përfundimit të punëve në ndërtimin e objektit banues afarist, komunës së Kaçanikut do t’i takojë 20 për qind e banesave. Investitori aktual thotë se prej objektit do të dalin afërsisht 85 banesa e lokale dhe në kontratën e tij shkruan se vlera e objektit është mbi 1.8 milionë euro.
Mirëpo, komuna ka dhënë në shfrytëzim këtë parcelë edhe pa qenë e sigurt se ajo është pronë e saj. Agjencia Kosovare e Privatizimit thotë se deri në vitin 2005 kjo parcelë ka figuruar pronë e saj.
“Sipas dëshmive të vitit 2005 që i posedon AKP, ngastra 650 ka qenë pronë e KB (Kombinatit Bujqësor) ‘Ramadan Agushi’”, thotë zëdhënësi Ylli Kaloshi. “Dhe, ashtu siç dihet, AKP ka mandatin që buron nga Ligji i miratuar në Kuvendin e Kosovës që të administrojë me ndërmarrjet shoqërore dhe pronat/asetet e tyre”.
Megjithatë – thotë Kaloshi – “në certifikatat e fundit që i ka marrë AKP për pronat të cilat evidentohen në emër të KB ‘Ramadan Agushi’, nuk janë dhënë dëshmi për këtë ngastër”.
Komunës së Kaçanikut i është kërkuar të lëshojë informacion që tregon se e kujt ka qenë prona, por ajo nuk e ka bërë këtë për më se një muaj.
Një fletë-posedim i dhjetorit 2009, që e posedon gazeta, për ngastrën 650/3, me sipërfaqe 30.43 ari, shënohet se është “pronë shoqërore”.
AKP thotë se është në proces të verifikimit të kësaj çështje.
“Tash për tash nuk mund të themi nëse është bërë ndërrimi i titullarit të kësaj ngastre pa e njoftuar fare AKP-në, gjë e cila do të paraqiste shkelje ligjore”, thotë zëdhënësi Kaloshi.
Edhe ministri i atëhershëm i pushtetit lokal, Sadri Ferati, në letrën e prillit 2009 për Xhabir Zharkun i thoshte se “me Ligjin për AKP-në Nr.03/l-67, agjencia është autoriteti i vetëm i autorizuar për të administruar dhe menaxhuar pronën shoqërore”.
“Informatat nga shkresa e Shoqatës së Zejtarëve sqarojnë se lokacioni i paraparë për ndërtimin e objektit në fjalë është pronë shoqërore gjegjësisht pronë e Kooperativës Bujqësore ‘Ramadan Agushi’”, thoshte Ferati.
Më vonë në letër, ai kërkonte rishqyrtim të këtij vendimi.
Komuna e kishte rishqyrtuar, por nuk e kishte ndryshuar vendimin e saj më 2009. Drejtori i urbanizmit, Bekim Troni, thotë se “gjithçka lidhur me këtë rast ishte në rregull”.
Kontrata që ishte bërë pas një kërkese të operatorit ekonomik, nuk kishte kaluar në procedura prokurimi. Ligji për prokurimin publik kërkon procedura transparente, konkurrente dhe jodiskriminuese. Po ashtu, me rregulloren për Dhënien në Shfrytëzim Afatgjatë të Pronës së Paluajtshme Shoqërore që administrohet nga komunat e Kosovës, parashihen procedura transparente dhe në përputhje me ligjet e prokurimit.
Në nenin 2.2. të saj thuhet: “Autoriteti qendror i autorizon vetëm ato prona që i jepen në shfrytëzim ndonjë personi ose subjekti, nëse komuna e ka bërë përzgjedhjen e atij personi ose subjekti me anë të procedurave jodiskriminuese, të hapura, transparente dhe të drejta në përputhje me ligjin për prokurimet publike në Kosovë…”, thuhet në rregullore.
“Të gjitha të ardhurat që i shtohen komunës nga dhënia në shfrytëzim konsiderohen para publike dhe i nënshtrohen dispozitave të Ligjit të ndryshuar për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë”, vazhdon neni.
Edhe për arsyet e dhënies së këtij tenderi pa procedurë përkatëse sipas kësaj baze ligjore, komuna e Kaçanikut nuk i ka dhënë përgjigje gazetës.
MAPL-ja, e pyetur nga gazeta lidhur me këtë, ka përcjellë vetëm rregulloren e mësipërme që, sipas saj, duhej respektuar.
Proces ritenderimi nuk ishte hapur as pasi kompania “Çlirimtarët” ia kaloi punët dhe pronën një kompanie tjetër.
“Çlirimtarët” megjithëse obligoheshin me kontratën e nënshkruar që të kryenin objektin për dy vjet, ishin tërhequr nga investimi. Pa i mbushur një vit nga vendimi i Xhabir Zharkut për tu dhënë kontratën, më 24 shtator 2009 “Çlirimtarët” nënshkruan kontratë me të cilën ia jepnin NTN “Bardhi” kontratën për kryerjen e punimeve. Me këtë kontratë kjo e fundit obligohej që ta kryente ndërtimin, t’ia jepte komunës pjesën e saj si dhe nëntë lokale afariste kompanisë “Çlirimtarët”. Kështu, ajo bëhej titulluar i pronës
“Çlirimtarët” fillimisht kishin lidhur marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë “Vëllezërit e bashkuar” nga Suhareka, por kompania suharekase ishte tërhequr.
“Nuk na doli si e kemi menduar. Duheshin shumë më shumë investime sa ne i kishim planifikuar, ndaj më mirë të tërhiqeshim që në fillim”, thotë Elham Bunjaku, përfaqësues i kompanisë “Çlirimtarët”, për arsyet e kalimit të titullit të pronës.
Bashkim Topojani, pronari i kompanisë “Bardhi”, thotë se nuk beson që ka pasur nevojë për tender për këto kontraktime pas vendimit të parë të komunës për të ndarë parcelën.
“Ata (kompanitë tjera) kanë dështuar dhe unë e kam bërë marrëveshjen më pas”, tha Topojani.
Kur sapo kishte filluar ndërtimi, Nuri Rexha nga Kaçaniku kishte vendosur të blinte një lokal prej “Çlirimtarëve” dhe “Vëllezërve të Bashkuar”. Për këtë, në xhirollogarinë e Gazmend Kuçit nga kompania e parë, ai i kishte transferuar gati 20 mijë euro. Por, me ndërrimin e pronarëve dhe ardhjen e “Bardhit” si vazhduese e projektit, atij nuk do t’i njihej e drejta e tij e pronës.
“Unë u mashtrova, mendova se meqë jemi të Kaçanikut dhe njihemi të gjithë, mund t’u besoj”, thotë Rexha.
Ai ka gati katër vjet që kur ka bërë pagesën dhe tash pret t’i kthehen paratë e tij. Prej lokalit ka hequr dorë.
“Njëri më thoshte i kanë ‘Vëllezërit e bashkuar’ paret tua, tjetri më thoshte i kanë ‘Çlirimtarët’. Asnjëri s’më ka bërë zgjidhje, me të dytë kam folur kurse parat i kam hedhur në konto të Kuçit”, thotë Rexha. “Kam folur edhe me komunën… i besova pikërisht se ishte projekt i komunës. Më thanë se ‘nuk mund të bëjnë asgjë, duhet të merresh vesh me kompanitë’”.
Ai më pas kishte bërë padi në Gjykatën Komunale të Kaçanikut. Vendimi i Gjykatës ishte në favor të Rexhës duke i detyruar dy kompanitë “Çlirimtarët” dhe “Vëllezërit e Bashkuar” që t’ia paguajnë dyfishin atij – 40 mijë euro. Paditësit më pas ishin ankuar në Gjykatën Supreme dhe lënda nuk është shqyrtuar ende.
Kur “Çlirimtarët” dhe Bardhi” kishin nënshkruar kontratën mes tyre, me një nen ato ishin marrë vesh që mosmarrëveshjet t’i zgjidhnin përmes bisedimeve, por në të kundërtën ato do t’i zgjidhë gjykata kompetente.