Dr. Minire Çitaku
Infeksionet urinare te fëmijët (në veçanti në moshat e vogla), janë sëmundjet më të shpeshta të shkaktuara nga bakteret, duke u renditur në vendin e dyë, pas atyre të rrugëve të frymëmarrjes.
Trakti urinar përfshinë veshkat, ureterët, fshikëzën urinare dhe uretrën. Infeksioni ndodhë kur bakteret prekin cilëndo pjesë të këtyre rrugëve, por më i shpeshtë është infeksioni i fshikëzës urinare.
Disa fakte për infeksionet e traktit urinar (ITU):
– Për dallim nga të rriturit, shenjat e infeksioneve të traktit urinar te fëmijët, paraqiten mjaft të larmishmë e shpesh atipike. Te fëmijët e vegjël, sëmundja shpesh zhvillohet me shenja që largojnë vëmendjen nga rrugët urinare, prandaj nisur nga kjo, disa shenja të ashtuquajtura “shenja të ITU-se” duhet të tërheqin gjithmonë vëmendjen.
– Infeksionet e traktit urinar janë mjaft të shpeshta dhe shkaktohen në përgjithësi nga bakteret. Në të shumtën e rasteve terapia rutinë me antibiotike është e suksesshme në shërimin e këtyre infeksioneve.
– Infeksionet reverzibile te femijët mund të jenë tregues i ndonje keqformimi apo keqfunksionimi të traktit urinar.
Infeksionet e traktit urinar (ITU) ndahën në bazë të kritereve të mëposhtme:
Në bazë të lokalizimit:
1. Cistitis (ndezje/inflamacion i fshikëzës urinare) dhe 2. Pyelonephritis (ndezje/inflamacion i veshkës).
Në bazë të renditjes:
1. Infeksioni akut; 2. Infeksioni recidivuese dhe 3. Bakteriuria perzistente.
Në bazë të simptomave:
1. Infeksionet simptomatike dhe 2. Asimptomatike.
Në bazë të patogjenezës:
1. Infeksione primare (jo të komplikuara);
Infeksione dytësore (të komplikuara):
– Anomalitë obstruktive, – Refluksi veziko-uretral (RVU), – Disfunksionet neurogjene të fshikezës urinare.
Siç u potencua me lartë, bakteret shkaktojnë shumicën e rasteve të infeksioneve të traktit urinar të fëmijet. Infeksioni viral i fshikëzësështë më pak i zakonshëm, ndërsa infeksionet me fungje të traktit urinar janë më të rralla.
Prej 70 – 90% të infeksioneve të traktit Urinar (pa keqformime të traktit urinar) shkaktohen nga bakteria gram negative Escherchia coli. Mirëpo, shpeshtësia e shkaktarëve varet nga mosha e fëmijut, gjinia si dhe nga numri i infeksioneve paraprake.
Te i posalinduri shkaktar me i shpeshtë është Klebsiella. Ndërsa te fëmijet me keqformime të traktit urinar (që hasen më shpeshë te të posalindurit meshkuj), shpesh hasim në infeksione të shkaktuara nga nga dy ose më shumë shkaktarë.
Poashtu, mikroorganizmat e tjerë të cilët shkaktojnë infeksione të traktit urinar janë: Proteus (shkakton rreth 30% të ITU-ve te fëmijët e gjinisë mashkull), Enterobacter-i, Stafilokoket koagulaze-negative (më së shpeshti Staphylococcus sapropgyticus).
Shkaktarët e infeksioneve të traktit urinar në të shumtën e rasteve kanë prejardhje prej florës së zorrëve. Rruge tjetër më e rrallë e përhapjese së infeksionit është me anë të gjakut. Paraqitet më tepër në gjendjet septike të të porsalindurve.
Faktorët të tjerë të cilët favorizojnë infeksionet e traktit urinar janë:
* Ndërtimi anatomik – Afërsia e anusit (vrimës së jashtëqitjes), me organete e jashtme gjenitale (sidomos te femrat), favorizon kalimin e mikroorganizmave në rrugët urinare.
* Qëndrimi i gjatë i feçeve në zorrë (kapsllëku), ndihmon në shumëzimin e mikrobeve dhe kalimin e tyre në sistemin urinar dhe mbajtja për nje kohë të urinës në fshikëzë.
Diagnoza
Diagnoza e infeksioneve të traktit urinar është shumë me rëndësi. Diagnoza duhet të vërtetohet përmes testit të quajtur – urinokulturë.
Është e rëndësishme për çdo pediatër për të vërtetuar nëse fëmija ka infeksion dhe, cila baktere është shkaktare; kështu mund të përshkruhet saktë antibiotiku përkatës dhe sasina e lëngjeve që fëmija duhet të marrë.
Kriteret për diagnostikimin e infeksione të traktit urinar tek të porsalindurit dhe fëmijët 2-24 muaj janë prania e piurise dhe/ose bakteriuria në urinë mbi 100.000/ml. Por, nëse te fëmija janë të pranishme simptomat e lartëcekuara, por pa numër të lartë të baktereve, gjithashtu kemi të bëjmë me infeksione të traktit urinar.
Vetëm analiza e urinës nuk është e mjaftueshme gjithmonë për diagnostikimin, por mund të ndihmojë në identifikimin e fëmijëve me temperaturë/ethe të cilët duhet të marrin trajtim.
Mjekimi i vonuar mundëson që të zmadhohen deri në katër herë dëmtimet e veshkave në raport me rastet kur mjekimi ka filluar në kohë. Studimet kanë treguar se, nuk ka ndonjë ndikim vonesa me tre-katër ditë, por rrezikshmëria është në rritje, nëse mjekimi vonohet mbi një javë.
Rëndësi ka zgjedhja e barit përkatës dhe kohëzgjatja e tij të cilën përzgjedhje e bënë mjeku pediatër, sepse çdo rast trajtohet si i veçantë.
Analizat laboratorike të nevojshme janë:
• Analizë e gjakut dhe analizat biokimike ( për fëmijë me një diagnozë të dyshuar per pyelonephritis)
• Kultura e gjakut (në pacientët me bakterieminëe dyshuar ose urosepse)
• Studimet e funksionit renal ( d.m.th niveli i kreatininës dhe uresë)
• Statusin acido bazik
Ekzaminimet plotësuese që mjeku-pediatër mund të rekomandojë nëse dyshon në refluksin veziko-uretral (kthimi prapa i urinës nga fshikëza në drejtim të veshkave) dhe keqformime të tjera të traktit urinar, përfshijnë:
– Ultrazërin: i cili përdorë valët e zërit për të treguar një pamje të veshkave dhe të fshikëzës.
– Cistografia e thjeshtë ose gjatë urinimit (miksionale).
– Në raste të tjera mund të kryhet Urografia, scintigrafija renale, ekzaminime urodinamike (fluksometria, cistomanometria etj) që kanë për qëllim studimin funksional të rrugëve të eliminimit të urinës.
– Tomografia e kompjuterizuar e veshkave, rezonanca magnetike, angiografia.
Shenjat dhe simptomet e mundshme të infeksionit të traktit urinare janë:
Pasqyra klinike e infeksioneve të traktit urinar ndryshojnë sipas moshës se pacientit, gjinisë, anomalive të padiagnostifikuara si dhe nga shpeshtësia e infeksionit.
Andaj çdoherë kur kemi të bëjmë me gjendje febrile tek te porsalindurit dhe femijët e vegjël si dhe të fëmijet me lodhje kronike si dhe mosshtim në peshë, duhet të dyshojmë në infeksione të traktit urinar.
Fëmijët e moshës 0 – 2 muaj, që kanë pyelonephritis, zakonisht nuk kanë simptoma të lokalizuara të traktit urinar. Infeksionet e traktit urinar zbulohen si pjesë e një vlerësimi për sepsë neonatale.
Te porsalindurit me infeksione të traktit urinar, mund të shfaqin simptomat e mëposhtme:
• Verdhëza
• Temperaturë
• Ngecje në zhvillim
• Të ushqyerit e dobët (refuzimi për t’u ushqyer)
• Të vjella
• Nervozizëm i vazhdueshëm i pashpjegueshëm (paarsyeshëm)
Foshnjat dhe fëmijët e moshës 2 muaj deri në 2 vjet me ITU mund të shfaqin simptomat e mëposhtme:
• Të ushqyerit e dobët (refuzimi për t’u ushqyer)
• Temperaturë
• Të vjella
• Urina me erë të rende
• Dhimbje barku
• Nervozizëm (i vazhdueshëm, i pashpjegueshëm (paarsyeshëm)
• Ngadalësim i rritjes
• Diare të shpeshta
• Temperaturë, mbi 38.5 C (rreth 5 për qind e fëmijëve të vegjël kanë temperaturë, por pa simptoma të tjera shoqeruese edhe atëherë kemi të bëjmë me infeksion urinar
• Konvulzione
• Djegie gjatë urinimit
• Urinim më shpeshtë se zakonisht
• Urina është e errët ose me gjak
• Urinim me ndërprerje
• Zbehje e lëkurës
• Anemi
Fëmijët e moshës 2 – 6 vjeç, mund të shfaqin simptomat e mëposhtme :
• Të vjella
• Dhimbje barku
• Temperaturë
• Urinë me erë të rëndë
• Urinim i pavullnetshëm
• Simptomet urinare (Djegie gjatë urinimit; urinim më i shpeshtë)
Fëmijët më të shumë se 6 vjet dhe adoleshentët, mund të shfaqin simptomat e mëposhtme:
• Simptoma më e shpeshtë është dizuria (djegie gjatë urinimit)
• Të vjella
• Dhimbje barku pas urinimit
• Dhimbje mund të kemi edhe në shpinë
• Urinë me erë të rëndë
• Simptomat urinare (djegie gjatë urinimit; urinimi më i shpeshtë)
• Urinim i pavullnetshëm
• Temperaturë/ethe
Për shumë foshnje, një temperaturë e pashpjegueshme, është e vetmja simptomë. Mungesa e shenjave të tjera është arsyeja pse aq shumë infeksione të traktit urinar tek foshnjat nuk vërehen.
Infeksionet e traktit urinar zakonisht trajtohen dhe shërohen lehtë, mirëpo në rastet kur nuk trajtohen si duhet dhe me kohë, atëherë këto infeksione shkaktojnë dëmtime si dhe humbje të funksionit të veshkave.
Ekziston mendimi i përgjithshëm i mjekëve pediatër se fëmijët nën moshën 2 vjeçare, janë më shumë të prirur të vuajnë nga dëmtime serioze. Për këtë arsye është me rëndësi të zbulohen dhe trajtohen infeksionet urinare me kohë.
Poashtu, edhe femijët e gjinisë femër, për shkak te anatomisë së trupit të tyre, janë me shumë të ekspozuara se femijët e gjinisë mashkull.
Mjekimi
Të porsalindurit dhe femijët e vegjël deri në dy muaj, të cilët kanë temperaturë (dhe dyshimi në pyelopnephritis), duhet fillimisht të hospitalozhen.
Antibiotikët për trajtimin parenteral janë: Ceftriaxone, Cefotaxime, Ampicillin, Gentamicin.
Fëmijët e grupmoshave të tjera hospitalizohen nëse kanë simptoma të përgjithshme serioze.
Në të shumtën e rasteve, mjekimi me antibiotikë, bëhet në mënyrë ambulatore si dhe deri në ardhjen e rezultateve të urinokulturës fillohet me mjekimin kundër E. Coli, si njëri ndër shkaktarët më të shpeshtë të infeksionit, siç u potencua më lartë.
Kohëzgjatja e terapisë me antibiotikë varet nga infeksioni, mosha e fëmijut dhe shkaktari i infeksionit. Ne përgjethësi, terapia zgjatë 10 ditë, ndërsa tek të porsalindurit dhe femijët të të cilët infeksioni është i natyrës septike, preferohet mjekimi me i gjatë – deri në dy javë.
Antibiotikët që përdoren për mjekimin per oral të cistitit janë: Kontrimoksazol (nuk preferohet të femijët që vuajnë nga pamjaftueshmëria e veshkëve), Cefaleksin, Nitrofuratoin. Amoksicilini përshkruhet vetëm nëse vërtetohet ndjeshmeria përmes antibiogramit.
Për shkak të recidivitetit të infeksioneve, është me rëndësi të bëhet urinokultura çdo 1-4 muaj gjatë 1-2 viteve, edhe nëse fëmija nuk ka ankesa. Nëse infeksioni nuk përsëritet brenda periudhës 6 mujore dhe nëse fëmija nuk ka RVU (shkallës së II-të), përcjellja e mëtutjeshme ndërpritet.
Zgjedhja e antibiotikut për infeksionët recidivuese është e ngjashme me terapinë inicuese. Megjithatë, rezistenca e baktereve në antibiotikë mund të paraqet problem, sidomos tek pacientët të cilët kanë marrë më herët antibiotikë.
A mund të parandalohen infeksionet urinare tek fëmijët e vegjël?
Janë disa këshilla që janë bërë nga mjekët pediatër nefrolog për të pakësuar rastet e fëmijëve me infeksion urinar, ku përfshihen:
– Gjidhënja; qumështi i nënës luan rol mbrojtës kundër infeksioneve.
– Marrja e mjaftueshme e sasive të lëngjeve: mundëson efektin e zbrazjes së fshikëzës urinare që ndihmon në zvogëlimin e baktereve të kolonizuara.
– Higjena: Pastrimi i organeve gjenitale të fëmijëve të gjinisë femër nga para prapa, kurse tefemijët e gjinisë mashkull pastrohen mirë përreth organit gjenital dhe bëhet një tërheqje e butë te prepuciumit që ndihmon për të vënë në dukje hapjen uretrale.
– Shmangni banjot me shkumë: Disa specialistë të veshkave e shohin këtë rekomandim me skepticizëm.
– Inkurajimi të pijnë lëng belushi: edhe pse kjo nuk është vërtetuar në mënyre shkencore.
– Synetia tek fëmijët meshkuj: Për foshnjat meshkuj, synetia zvogëlon konsiderueshëm rrezikun për ripërsëritje të infeksioneve të traktit urinar.
Dhe, në fund, të potencohet se infeksionet e traktit urinar, nuk janë ngjitëse.
Pra, duhet të mbahet në mend nga çdo prind se është me rëndësi që të kontrollohet urina e fëmijës, kur fëmija ka temperaturë. Është gjithmonë mirë për të qenë të sigurt. /tg