-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Industria e rëndë, e lënë anash

Më të lexuarat

Përfaqësues të dy shoqatave ekonomike në Kosovë, të cilat në nëntor të vitit të kaluar kishin themeluar Komitetin për Industri të Rëndë, thonë se autoritetet e vendit po tregohen jo të vëmendshme karshi krijimit të kushteve më të mira për kompanitë e këtij sektori.

Komiteti për Industri të Rëndë ka për qëllim që ky sektor të bëhet më konkurrues dhe më produktiv, në zhvillimin ekonomik të vendit.

Industria e rëndë në të kaluarën ka qenë shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

“Ferronikeli”, “Trepça”, “Sharrcemi”, “Llamkosi”, “Fabrika e Tubave”, Industria e gomës “Ballkani”, janë vetëm disa kompani, të cilat hyjnë në kategorinë e industrisë së rëndë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se ideja për nisjen e një komitetit të tillë ishte pritur shumë mirë për faktin se ky sektor do të ndihmonte zhvillimin ekonomik të vendit, por ka ngecje në përmirësimin apo lehtësimin e fushëveprimit të kompanive të industrisë së rëndë.

“Ajo çka është shqetësuese, është dinamika e ngadaltë e punës dhe dinamika, e cila po përcjell zbatimin e këtyre vendimeve nga ana e institucioneve përkatëse, si ajo e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrisë së Financave. Ajo çfarë ne do të donim është që të mos ketë ngecje të punës, me gjithë ndryshimin e lidershipit në këto ministri ata duhet të vazhdojnë me nisjen e detyrave të paraardhësve të tyre”, thotë Zeka.

Shfrytëzimi i potencialit të industrive të rënda në Kosovë, sipas hulumtimeve të bëra, mbetet larg asaj që ato kanë.

Krahasuar me vendet e rajonit, tregon Zeka, industria e rëndë në Kosovë nuk është aspak konkurruese, për faktin, siç thotë ai, ato kanë stimulime të ndryshme fiskale dhe lehtësi tatimore edhe doganore.

Fabrikat, të cilat konsiderohen si pjesë e industrive të rënda, sipas Zekës, kanë perspektivë për rritje të punësimit, por edhe për sjelljen e më shumë të hyrave për vendin.

“Edhe sot, pikërisht këto fabrika të industrisë së rëndë janë ndër kontribuuesit më të mëdhenj të mbushjes së arkës së shtetit. Prandaj, pse mos ta ndihmojmë këtë sektor dhe të kontribuojnë në të hyra për buxhetin”, shton Zeka.

Në anën tjetër, sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, kërkon nga institucionet e Kosovës që të tregohen më të vëmendshme karshi këtij sektori. Sipas tij, duhet të krijohet një ambient që mundëson zhvillimin e industrisë së rëndë.

Institucionet e Kosovës, thotë Rukiqi, duhet të ndryshojnë politikat fiskale për këtë sektor. Duhet të krijojnë lehtësi në lirimin taksave për produktet që përdoren si lëndë e parë tek industria e rëndë.

“Interesimi i Qeverisë nuk është i mjaftueshëm, ndoshta si për shumë probleme ekonomike. Por, ne duke mbajtur lart në agjendë këtë çështje, apo edhe çështjet tjera, do të mundohemi që ta rrisim interesimin e Qeverisë edhe për këtë sektor”, konsideron Rukiqi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit