13.3 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Inat deveje

Më të lexuarat

Inat deveje

Devetë njihen për rezistencën e tyre në udhëtimet e gjata në shkretëtirë. Por beduinët që merren me rritjen e deveve, thonë se ato kanë dhe një veti negative, inatin dhe mllefin, sidomos kur i keqtrajton dhe poshtëron. Një histori që tregohet nga vetë beduinet tregon pikërisht këtë tipar të tyrin. Personi që i ka ndodhur tregon vetë dhe thotë:
“Një herë, deveja ime u prapsua dhe nuk më bindej si gjithmonë. Unë e keqtrajtova dhe e rraha keq, saqë u shemb përtokë. Nuk u mjaftova me kaq, por mora dhe ca bajga dhe ia fërkova hundëve për ta poshtëruar më shumë. Ditët në vazhdim, deveja filloi të më bindej, megjithatë, duke ia ditur huqet bëja kujdes.
Një natë, isha ulur para shtëpisë në shkretëtirë në shoqërinë e disa miqve. Njëri prej tyre që i njihte huqet e deveve më tha:”Shoh sjellje të çuditshme të devesë tënde sonte, sjellje të cilat tregojnë se kërkon hakmarrje! Ajo të sheh sa herë që hyn e del brenda, sa herë që ngrihesh e ulesh, sikur të mbikqyr në çdo lëvizje!”
I thashë:”Po, e kam vënë re dhe e di përsenë!”
Meqë ishte verë, natën flija përballë shtëpisë në shkretëtirë. Atë natë, bëra sikur u shtriva si gjithmonë, mandej në vendin tim vura disa jastëkë, i mbulova me çarçafë dhe për vete u zvarrita deri brenda në shtëpi, pastaj u ngjita në tarracë të shoh çfarë do të ndodhë.
Pasi kaloi pak kohë, pashë devenë e cila u drejtua nga vendi ku mendonte se isha shtrirë unë. Ajo ecte gjithë kujdes, si te ishte një gjahtar i cili i drejtohet presë pa bërë zë. Pasi u afrua me shtratin jashtë, iu vërsul si bishë dhe u shemb mbi vendin ku supozohej të isha unë, si një shkëmb, duke e ngjeshur me kraharorin e saj të ngurtë, e duke e kafshuar me dhëmbët e saj të fuqishëm. Kur mendoi se më kishte shtypur, unë i thirra nga lart.
Kur më pa që isha gjallë, ajo hungëriti fort dhe pasi u soll dy tre herë rrotull u lëshua shakull në tokë nga inati dhe mllefi që nuk më kishte vrarë dot.
Të nesërmen në mëngjes, iu afrova dhe pashë se kishte ngordhur. I thirra miqtë e mi të një nate më parë dhe i hapëm gjoksin devesë për të kuptuar shkakun e ngordhjes. Ajo që pamë na la pa fjalë. Ajo kishte ngordhur pasi i kishte plasur zemra nga inati i madh.”
Kjo ishte një deve e cila nuk e harroi dot dhunën e ushtruar ndaj saj, rrahjen dhe poshtërimin. Imagjinoni si ndihet njeriu i dhunuar, i shtypur, i poshtëruar, i fyer, i përbuzur … Padrejtësia, zullumi, dhuna, poshtërimi etj… nuk harrohen. Ato e ngarkojnë njeriun me energji negative të cilat mund ta shoqërojnë gjithë jetën, energji të cilat ndikojnë në cilësinë e tij të jetës por dhe të njerëzve që e rrethojnë dhe kanë të bëjnë me të. Dhuna fizike, verbale dhe emocionale duhet eliminuar në radhë të parë në familjet tona. Zoti na ndihmoftë!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit