-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Imunizimi kundër hepatitit viral “B”

Më të lexuarat

Hepatiti viral është sëmundje infektive sistemike që në radhë të parë e përfshin mëlçinë.

Hepatiti viral varësisht se nga cili virus është shkaktuar, ndahet në hepatitin viral A (HVA), Hepatitit viral B (HVB). Hepatiti viral C apo Non A-non B dhe Hepatiti viral Delta. Natyrisht se forma më e rëndë e hepatit viral është forma B.
Hepatiti viral B është padyshim sëmundja më vdekjeprurëse e ditëve të sotme. Vlerësohet se çdo vit lajmërohen 50 milion raste të reja të hepatitit B në botë. Rreth 5% të popullatës botërore janë bartës të virusit. Rreth 2 milion njerëz në vit vdesin prej pasojave të HVB.
Hepatiti B për Kosovën paraqet problem serioz shëndetësor dhe social. Komisioni për hepatitin B pranë OBSH-së preferon që në vendet ku prania e HBV është më e lartë se 7%, vaksinimi duhet të jetë i obliguar menjëherë paslindjes.

Përbërja e vaksinës
Vaksina bashkëkohore kundër hepatitit B e emëruar si Engerix B, përfitohet me inxhiniering gjenetik. Kjo vaksinë mund të përdoret për të gjitha moshat dhe mbron me siguri nga të gjitha llojet e HVB-ve dhe nëntipeve adw, ayw, adr dhe indirekt edhe ndaj delta hepatitit. Serokonversioni pas Vaksinimit komplet arrin në 100% .
Vaksina përfitohet duke e bartur materialin e koduar gjenetik për HBsAg (vetëm antigjenin sipërfaqësor) në majë të qelizave Saccharomyces cerevisiae. Këtu vjen deri të shumimi dhe mundësia e përfitimit të një sasie të madhe të HBsAg. Pas kësaj, me veprime teknologjike bashkëkohore, vjen deri të pastrimi dhe ekstrahimi i antigjenit i cili përdoret për përfitimin e vaksinës.
Vaksina Engerix B nuk përmban në vete virusin e hepatit B, por vetëm antigjenin sipërfaqësor të VHB.
Një dozë e vaksinës Engerix B prej 1 ml përban 20 mcg të antigjenit proteinik të absorbuar në 0,5 mg Al+++ në formë të aluminium hidroksidit dhe 1:20.000 triomera­zolit si konservues të vaksinës. Para përdorimit flakonën me vaksinë duhet tundur, sepse gjatë qëndrimit fundërrohet, duke u krijuar një shtresë me ngjyrë të bardhë në të përhimët.

Indikacionet për aplikim
Vaksina Smith-Kline, e njohur si Engerix-B, është e indikuar për aplikim te personat e grupeve të caktura të cilët janë të rrezikuar nga hepatiti viral i grupit B.
Kjo vaksinë jepet sipas indikacioneve të caktuara epidemiologjike grupeve dhe individëve të caktuar. Vaksina nuk mbron nga hepatiti viral A dhe hepatiti viral C.
Përparësia e vaksinës qëndron në faktin se mund të aplikohet në çdo moshë prej momentit të lindjes dhe mbron prej të gjithë nëntipeve të hepatitit B dhe indirekt edhe prej delta hepatitit (duke pasur parasysh se kjo formë e hepatitit nuk paraqitet pa praninë e hepatit B.)

Sipas parimeve të OBSH-së kundër hepatitit B duhet mbrojtur këto grupe të rrezikut:
Punëtoret shëndetësorë: Kirurgët maksilofacial, stomatologët, kirurgët, mjekët e përgjithshëm, motrat dhe teknikët mjekësorë, punëtoret ndihmës në stomatologji, punëtorët e qendrës për hemodializë, hemofili apo në institucione ku mjekimi bëhet me gjak dhe preparate të gjakut, personat në institucione të onkologjisë, obducentët, personat që manipulojnë me gjak dhe preparate të gjakut, higjenistët në instsitucione shëndetësore e sidomos në repartet për hemodializë, transfuzione, onkologji, pastrimin e epruvetave, në mikrobiologji, stomatologji etj., personat e ndihmës së parë.

Të sëmurët – që i nështrohen shpesh marrjes së gjakut dhe preparateve të gjakut; të sëmurët me hemodializë dhe tumore; të sëmurët me sëmundjen e talasemisë, drepanocitemisë, cirrozës dhe hemofilisë.
Personat e disa institucioneve – personat me kontakt të shpeshtë apo më të rrallë me grupet e rrezikut të lartë me hepatit B; të burgosurit dhe rojet e burgut; personeli i institucioneve për kujdesin e personave mental të retarduar. Personat me aktivitet të shtuar seksual – personat me infeksione të shpeshta seksuale, homoseksualët, prostitutat, narkomanët, marrësit intravenozë të drogave, udhëtarët në viset me shkallë të lartë të endemicitetit me HVB.
Anëtarët e familjeve – që jetojnë në bashkësi me cilindo grup të rrezikut që u përmend më lart.
Fëmijët – e lindur nga nëna bartëse e HBsAg.
Kategoritë tjera – policët, zjarrfikësit, ushtarët, sportistët. Në vendet me shkallë të lartë të infeksionit duhet që vaksinimi të bëhet i obliguar prej lindjes së foshnjave.

Mënyra e aplikimit dhe dozat e vaksinës
Vaksina kundër hepatitit B, jepet me rrugë intramuskulare në pjesën pasme të muskulit deltoid dhe assesi në regjionin gluteal. Vaksina nuk guxon të jepet me rrugë intravenoze dhe as intradermale. Te foshnjat vaksina jepet në regjionin anterolateral të kofshës, sepse nuk është i zhvilluar muskuli deltoid sa duhet. Vaksina mund të aplikohet edhe me rrugë subcutane të personave me hemofili me qëllim të ikjes së gjakderdhjes.
Primovaksinimi me Engerix-B konsiston në dhënien intramuskulare të tri dozave të vaksinës:
– Doza e parë – ditën e zgjedhur;
– Doza e dytë – një muaj pas dozës së parë;
– Doza e tretë – gjashtë muaj prej dozës së parë (O, l ,6) ose
– Doza e parë – ditën O (ditën e zgjedhur);
– Doza e dy të-l muaj pas të parës dhe
– Doza e tretë 2 muaj pas dozës së parë (0,1 ,2).

Mënyra e parë e aplikimit siguron shkallë të mbrojtjes prej hepatitit B për 3 deri në 5 vite. Pas kësaj duhet aplikuar dozën stimuluese. Te forma e dytë e aplikimit, ku duhet rritja më e shpejtë e titrit të antitrupave, patjetër duhet •pas muajit të 12 të jepet edhe një booster dozë.
Fëmijëve prej 3 muaj deri në 10 vjet u jepet gjysma e dozës për të rritur. Titri i antitrupave pas dozës së tretë arrin përqindjen prej 96-98%.

Kundërindikacionet
Ndjeshmëria ndaj cilitdo përbërës të vaksinës si dhe gjendjet febrile janë të kundërindikuara për aplikimin e vaksinës.
Vaksina nuk u jepet personave asimptomatikë në hepatit B te të cilët është i pranishëm HBsAg apo anti trupat në HvB.
Nuk ka njohuri të mjaftueshme se si mund të ndikojë vaksina në frytin e nënës.
Prandaj nuk preferohet imunizimi i nënave shtatzëna.

Reaksionet pasvaksinale
Reaksionet pasvaksinale te aplikimi i vaksinës bashkëkohore të Smith- Kline janë të rralla, por mund të jenë lokale në formë të skuqjes, në vendin e aplikimit, edemin lokal etj. Zakonisht këto manifestime zhduken pa pasoja pas l deri 2 ditëve.
Pasojat e përgjithshme në formë temperature, kokëdhembjeje, vjellje dhe të mundimit janë të rralla.

Parandalimi i reaksioneve pasvaksinale konsiston në zbatimin e parimeve të përgjithshme për imunizim:
– Respektimin e kundërindikacioneve të cekura;
– Aplikimi i drejtë, dhënia e vaksinës gjatë vikendit, pushimi pas dhënies së
vaksinës;

Porosia, ruajtja dhe afati i qëndrimit të vaksinës
Vaksinën kundër hepatitit B (Gjenerata e dytë) për Evropën e prodhon firma belge Smith-Kline-Biologicals me emrin popullarizues Engerix B. Në SHBA prodhohet pothuajse e njëjta vaksinë me emrin Gen-H-B-vax. Për Kosovën i autorizuar për sigurimin e vaksinës është Instituti për Epidemiologji, por individët mund të porosisin edhe vetë nëse kanë nevojë.
Vaksina Engerix B duhet të ruhet në temperaturë prej +2 – +4°C. Duhet pasur kujdes që vaksina të mos i nënshtrohet procesit të ngritjes gjatë ruajtjes në frigorifer.
Afati i qëndrueshmërisë për vaksinën është 2 vjet.

Prof. Dr. Isuf Dedushaj, 
epidemiolog

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit