1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Imri Vishi, mjeku që i kishte “prerë” pacientët: Ja nga sa para u kishte marrë atyre!

Më të lexuarat

Të mërkurën e shkuar, njësiti për krime ekonomike i Policisë së Kosovës arrestoi kirurgun nga Ferizaj, Imri Vishin, nën akuzat për kryerjen e veprave penale si vijon: keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, marrje të ryshfetit dhe mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.
Gjatë sekuestrimit që policia kishte bërë në shtëpinë e të dyshuarit, me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ishin gjetur dy revole me gaz, një granatë dore, 12 mijë e 100 euro kesh, si dhe disa dokumente dhe pajisje elektronike, raporton policia.
 
Kirurgu Imri Vishi njihet në qytetin e Ferizajt si mjek zhvatës.
 
Ai është përfolur shumë herë për marrje të mitos nga pacientët të cilët kishin nevojë që të mjekoheshin nëpërmjet tij, transmeton Indeksonline.
 
Indeksonline ka rënë në kontakt me disa qytetarë nga rajoni i Ferizajit, të cilët kanë pasur rastin të mjekohen dhe të marrin shërbimet mjekësore ku kirurgu Vishi ka shërbyer si mjek.
 
Një ish paciente e kirurgut nga rrethina e Ferizajt, e cila dëshiron të mbetet anonime, rrëfen se çfarë i kishte ndodhur gjatë kohës që ajo po mjekohej nga Qendra Kirurgjike në Ferizaj.
 
Ngjarja ka ndodhur jo më shumë se para një viti. Pacientja thotë se vuante nga gurët në idhëz, dhe intervenimi kirurgjik ishte i domosdoshëm sa më shpejtë që të ishte e mundur.
 
“Vuaja nga sëmundja e gurëve në idhëz, dhe kisha nevojë që t’i nënshtrohesha operimit. Mjekët më endnin sa andej e sa këndej, dhe unë nuk dija se ku të drejtohesha”, rrëfen ish pacientja.
 
Ajo thotë se haste në pengesa që të siguronte një termin për t’iu nënshtruar operimit.
 
“Më thoshin se duhet që së pari të bëjë një termin në mënyrë që të mund të hyjë në procedurat dhe rendin e pacientëve që presin operimin. Por dikur vonë e kuptova se për të hyrë në operim duhet dhënë mito”, shton ajo.
 
Përderisa endej kot dhe pa rezultate, bashkëshorti i pacientes filloi të angazhohej që të siguronte rendin e operimit për gruan e saj. Ai e kishte bërë këtë përmes një të njohuri në spital i cili e njihte kirurgun Imri Vishi.
 
Por në të gjithë këtë ngjarje shokuese ku mjeku i cili punon në institucione mjekësor publike kërkon mito, duket se ekziston edhe pjesa e pozitive dhe mirësia njerëzore.
 
Kirurgu Vishi kishte kërkuar nga pacientja 300 euro, por me të dëgjuar se rasti i saj ishte rast social, ai u tregua “zemërgjerë” duke e zbritur shumën në vetëm 150 euro.
 
“Më kërkoi 300 euro dhe më tha se kjo punë mund të kryhet brenda javës nëse paguan menjëherë, por unë nuk kisha mundësinë që të paguaj atë shumë para, kështu që me intervencën e personit të njohur ai u pajtua që të fus në operacion gruan time për 150”, rrëfen bashkëshorti i pacientes.
 
Pacientja pasi kishte paguar 150 euro ishte operuar, dhe thotë se nuk e kishte parë më shumë se dy ose tri herë kirurgun.
 
“Më kishte propozuar që kontrollat pas operacionet t’i kryeja në ordinancën e tij private, por nuk shkova sepse nuk kisha mundësi”, thotë ajo për Indeksonline.
 
Një tjetër qytetar nga rajoni i Ferizajt që kishte rastin të mjekojë një familjar përmes Imri Vishit, tregon se si ai kishte kërkuar 300 euro mito nga ai, dhe ky i fundit e kishte refuzuar.
 
“Duhej që një familjar të futej në operacion, dhe kërkohej intervenim i shpejtë pasi që sëmundja ishte e tille. Kirurgu Imri Vishi më pati kërkuar 300 euro në shkëmbim të shërbimeve mjekësore. Refuzova sepse nuk pata mundësi”, thotë ai duke insistuar që emri i tij të mbahet sekret.
 
Imri Vishi po mbahet në paraburgim prej 1 muaji për veprat penale të sipërpërmendura. /Indeksonline/
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit