3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Imazhi i firmave gjermane tronditet nga skandalet e korrupsionit

Më të lexuarat

Një sërë skandalesh korrupsioni dhe evazioni fiskal kanë cënuar reputacionin e firmave gjermane. Pasojat juridike janë të rënda, gjoba në shuma milionëshe. Por vetëm bizneset e pastra e kanë jetën e gjatë.
Mashtrim fiskal, pastrim parash, përvetësim i paligjshëm – lista e akuzave kundër Deutsche Bank dhe njërit prej dy shefave të saj, Jürgen Fitschen, është e gjatë. Ende asgjë nuk është dëshmuar por dëmi është tejet i madh pasi të tjera skandale të mëparshme, si manipulimi i normës së interesit Libor etj., prej kohësh rëndojnë mbi imazhin e koncernit më të madh bankar të Gjermanisë.
Situatën e bën edhe më serioze fakti që edhe emra të tjerë të mëdhenj të elitës ekonomike gjermane, gjenden tashmë në shënjestër të hetimeve për akte penale.
Korrupsion edhe në koncernet e tjera
Korrupsion edhe në ThyssenKrupp…
Në rastin e koncernit ThyssenKrupp bëhet fjalë për marrëveshje karteli në sektorin e shinave të trenave, shkallëve elektrike dhe ashensorëve. Ende të pasqaruara janë veç kësaj akuzat për ftesa në udhëtime luksoze për gazetarët.
Fakti që koncerni nga Esseni ka humbur miliarda në ndërtimin e fabrikave të reja të çelikut në SHBA dhe Brazil dhe për këtë arsye shënon humbje të thella, vërtet nuk irriton autoritetet hetimore shtetërore por cënon me siguri aksionerët e ThyssenKrupp. Në të ardhmen ata duhet të heqin dorë nga fitimet e dividentëve.
Veçanërisht kur është fjala për korrupsion dhe rryshfet lista me emrat e firmave gjermane është mjaft e gjatë: prodhuesi i kamionëve dhe autobusëve MAN u ka dhënë ryshfet në shuma milionëshe vendimmarrësve në shumë vende për të përfituar projekte në sektorin publik dhe privat. Tek prodhuesi i automobilëve Daimler hetuesit zbuluan raste ryshfeti në të paktën 22 vende. Volkswagen u ka paguar përfaqësuesve të të punësuarve në kompani dhurata të shtrenjta, udhëtime luksoze dhe festa seksi.

Koncerni i sigurimeve Ergo u përfol në shtyp për udhëtimet e qejfit në Budapest dhe Karaibe për punonjësit e suksesshëm. Dëmtimi i imazhit ishte shumë i madh.
Emri Siemens lidhet me skandalin më të madh të ryshfetit në historinë e ekonomisë gjermane. Në vitin 2006 hetuesit ndeshën në pagesa në dyshimta me një volum prej gjithsej 1,3 miliardë eurosh. Pasoja ishin dënime të rënda: Siemens i pagoi autoriteteve në SHBA dhe drejtësisë gjermane 1,2 miliardë euro dhe thuajse po kaq shumë kushtoi zbardhja e rrethanave të skandalit.
… në Siemens dhe koncerne të tjera.
MAN pagoi 237 milionë euro gjoba dhe tatime të prapambetura. Daimler arriti një marrëveshje jashtëgjyqësore për 185 milionë dollarë.

Gjobat janë gjithmonë më të shtrenjta
Të gjitha këto raste tregojnë se sado tërheqëse të jetë mundësia për fitime nga biznese të dyshimta, gjoba që duhet paguar në rast se zbulohen do të jetë shumë e shtrenjtë. Dhe shanset e zbulimit janë në rritje pasi autoritetet hetimore pajisen me ligje më të ashpra dhe me anë të angazhimit të më shumë personeli, ushtrojnë më shumë trysni me anë të ndjekjes penale. Ky është lajmi i mirë pas kaq shumë lajmesh të këqija.
Edhe Deutsche Bank duhet të përforcojë përpjekjet për krijimin e një imazhi serioz nëse dëshëron të mbijetojë në periudhë afatgjatë. Pasi vetëm bizneset e pastra e kanë jetën të gjatë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit