1.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Imamët Shqiptarë në Zvicër apelojnë për të ndihmuar në Kumanovë

Më të lexuarat

Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër ka dalur me një apel i cili fton të gjithë xhematet që veprojnë në Zvicër, por edhe të gjithë muslimanët dhe njerëzit e shpirtit të mirë, që të tubojnë ndihma për qytetarët e Kumanovës. Me poshtë e keni tekstin e plotë të lëshuar nga kryetari i UISHZ-së.
 
“Shpresat për një të ardhme të ndritshme, për një shkollim dhe punësim dinjitoz, për një (bashkë)jetesë të qetë e të rehatshme në Lagjen e Trimave në Kumanovë, u shuan me sulmet e hershme të mëngjesit të së shtunës të forcave policore dhe ushtarake të qeverisë së Maqedonisë kundër grupit terrorist, që na qenka involvuar nga jashtë, për ta destabilizuar shtetin.
 
Duke qenë të mësuar nga skenarët e këtillë të qeverisë në të kaluarën dhe duke i marrë parasysh pikëpyetjet e shumta rreth këtij sulmi, ne s’kemi mundësi të mos e shprehim mllefin tonë ndaj një politike të dështuar të kësaj qeverie bashkë me partnerët e koalicionit si dhe bashkë me partitë që supozohet se në prapaskenë ia mbajnë antenën kësaj qeverie të brishtë.
 
Dëmin në njerëz, në pronë e në kafshë që ia kanë shkaktuar këto sulme popullatës së pafajshme civile të kësaj lagjeje, si dhe lëndimin psikik e shpirtëror jo vetëm të popullatës së kësaj ane porse të mbarë shqiptarisë dhe të çdo ndërgjegjeje njerëzore, nuk e lan asgjë, nuk e zëvendëson asgjë, nuk e riparon dhe nuk e ndreq asgjë.
 
Qeveria paska premtuar riparimin e objekteve të dëmtuara. Mirëpo, duke u mbështetur në të kaluarën, ne nuk i besojmë këtij premtimi. Një qeveri që të vret në emër të terrorizmit dhe të destabilizimit, duke qenë vetë destabilizuesja kryesore e mirëqenies së shoqërisë, nuk të ndreq asnjë objekt e lëre më të të kompensojë dëmet tjera “kolaterale”. Me çfarë dhe si do ta rikthejë kjo qeveri jetën e vashës 8 vjeçare dhe të prindërve të saj? Me çfarë do ta riparojë kjo qeveri buzëqeshjen dhe shpresat e fëmijëve të tmerruar deri në palcë nga këto sulme dyditore që të përkujtojnë Vukovarin e rrënuar me muaj të tërë? Si do ta riparojë shpirtin e thyer të kumanovarëve, besimin ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të këtij shteti?
 
Duke u nisur nga kjo situatë tejet e mjerë, Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër (UISHZ) shpall “Javën e solidarizimit me popullatën e dëmtuar të Kumanovës”.
 
Andaj luten të gjithë bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Zvicër që deri të premten në mbrëmje, më 15 maj, të kontribuojnë në zbutjen e situatës së krijuar atje. Aksionin kryesor ne do ta kemi nëpër xhamitë tona në mbarë Zvicrën pas namazit të së premtes që vjen.
 
Ndihmat dhe kontributet Tuaja mund t’i drejtoni te xhamia juaj më e afërt, e cila pastaj ia dorëzon UISHZ-së. Ato ju mund t’i dorëzoni edhe drejtpërdrejtë në llogarinë bankare të UISHZ-së duke shënuar qëllimin e destinimit “Për familjet kumanovare” ose thjesht “Për Kumanovën” nën:
 
 
 
ZKB (Zürcher Kantonalbank)
 
Union der Albanischen Imame in der Schweiz
 
IBAN : CH03 0070 0110 0043 5711 8
 
SWIFT: ZKBKCHZZ80A
 
Postkonto: 80-151-4
 
 
 
E lusim Allahun Fuqiplotë që juve t’ju shpërblejë me më të mirat e Tij në të dyja botët, kurse familjeve të prekura nga Kumanova u shprehim ngushëllimet tona të sinqerta dhe u dëshirojmë rikthim sa më të shpejtë në jetën e përditshme!”
 
Kryetari i UISHZ
 
Mr. Nehat ef. Ismaili
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit