3.4 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Imam shqiptar për burgun e Bernës

Më të lexuarat

Gazeta “Sonntagsblick” ka publikuar sot një shkrim të gjerë lidhur me emërimin e një imami, si mbështetës shpirtëror për të burgosurit myslimanë në Thorberg të Bernës. Imamit të njohur edhe për opinionin zviceran, Mustafë Mehmeti nga Berna, i është besuar ky post, që për herë të parë praktikohet në pjesën gjermanofolëse të Zvicrës. Posti është ekuivalent me atë të priftit (evangjelist apo katolik) që i angazhojnë zakonisht burgjet në Zvicër.

Në burgun Thorberg mbahen vetëm të burgosur që kanë kryer krime të rënda. Dhoma në të cilën imami do t`i këshillojë bashkëfetarët e tij është ngjitur me kapelën (kishën e vogël) dhe dhomën ku dy priftër këshillojnë të burgosurit e krishterë.

Imami Mustafë Memeti do të angazhohet një herë në javë, duke biseduar me të burgosurit në lidhje me fenë, familjen dhe problemet e tyre personale. Deri më tash janë paraqitur 12 veta për të bashkëbiseduar me hoxhën, ndërsa këto takime mbahen vetëm me një person. Mustafa do të paguhet nga arka kantonale ashtu sikundër paguhen priftërinjtë e tjerë të angazhuar për biseda me të burgosurit.

Duket se nevoja për një mbështetje shpirtërore ka qenë evidente: në mesin e 176 të burgosurve në Thorberg, 62 janë myslimanë, shumica nga Ballkani. Vetë Mustafë Memeti është udhëheqës i Bashkësisë Islame të Kantonit të Bernës dhe kryetar i Organizatës që bashkon besimtarët myslimanë shqiptarë në Zvicër. Ai tha për gazetën zvicerane se nuk dëshiron të bëjë punën e misionarit dhe as nuk synon të arsyetojë kriminalitetin.

“Ne duam t`i integrojmë dhe risocializojmë, gjë që më mirë funksionon në burg sesa jashtë tij. Kriminaliteti është kudo i dënueshëm”, tha Memeti.

Projektin “Imami i burgut” e ka vënë në funksion drejtori i ri i burgut, Georges Caccivio. Ai thotë se kërkesa për të sjellë hoxhën në burg ka dalë nga vetë të burgosurit. “Ata duan të barazohen me religjionet tjera”. Projekti është ende në fazën testuese. Nga dhjetori do të vendoset nëse do të vazhdohet ose jo.

Ndërsa imami Mehmeti, përveç që e konsideron të vetëkuptueshme një ofertë të tillë, propozon që të zhvillohen edhe bisedime grupore me të burgosurit dhe, madje, që në kapelën e burgut të zhvillohen edhe faljet e xhumasë.

Caccivio, ndërkaq, tha se, së paku aktualisht, nuk bëhet fjalë për një gjë të tillë.

Më tutje gazeta shkruan se të burgosurit që i takojnë fesë islame kanë oferta të ndryshme edhe në disa burgje tjera. Fjala vjen, në të gjitha burgjet e Zvicrës lindore, pjesëtarëve të këtij religjioni nuk u shërbehet mish derri. Ndërsa në burgun Poschwies të Kantonit të Cyrihut dhe në Orbe të Vaudit bëhet edhe falja e namazit të xhumasë.

Po kështu, gjatë muajit të Ramazanit besimtarëve myslimanë u jepen sandviçë në mëngjes, të cilët ata i konsumojnë me perëndimin e diellit, transmeton portali Albinfo.*kohaislame*

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit