-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Iljas Rrahmani, plaku që ka agjëruar 80 Ramazana

Më të lexuarat

Ndonëse mbi supe i mban plot 92 vite, ai ende është i vetëdijshëm për fjalët të cilat i dalin nga goja, ndërsa tregimet e tij jetësore janë shumë mbresëlënëse e me peshë për çdo gjeneratë.
Është ky Iljas Rrahmani ose i njohur si Mulla Iljasi, nga qyteti i Prishtinës, i cili e ka sfiduar moshën e shtyrë dhe është duke agjëruar edhe sivjet Muajin e Ramazanit.
 
Mulla Iljasi thotë për Telegrafin se mosha e nuk e ka penguar që ta agjërojë këtë muaj të cilin ai e cilëson si muaj të bereqetit.
 
“Qysh në fëmijërinë e hershme e mbaj mend se kam filluar të agjëroj. Më kujtohet se kur nuk më zgjonte nëna për syfyr, shumë më mbetej hatri. Kështu që mund të them se ka rreth 80 Ramazane që i agjëroj”, ka shtuar ai.
 
Iljas Rrahmani njihet nga xhemati si njeri i pasionuar mbas dijes.
 
Ai edhe në këtë moshë mundohet që kryesisht fëmijëve t’ua mësojë leximin e shkronjave të librit të shenjtë – Kur’anit.
 
“Unë e konsideroj këtë ndihmë (interesimin për nxënien e dijes) si dhuratë prej Perëndisë. Prej momentit kur prindërit e mi më kishin dërguar të mësoj për fe – mejtepet e asaj kohe – më nuk jam ndarë nga kërkimi i dijeve fetare”, rrëfen plaku.
 
“Si imam kam shërbyer në gjashtë vende të ndryshme, duke filluar nga fshati Prapashticë, Majancë, Dumnicë, Podujevë, Istog dhe në Vlorë të Shqipërisë. Në këtë rrugë jam penguar disa herë, duke filluar me Luftën e Dytë Botërore, pastaj sistemi komunist përgjatë 50 viteve, që na ka penguar vazhdimisht në këtë rrugë, dhe lufta e fundit e Kosovës është ajo që e ka përmbyllur rrugën e vështirësive të mëdha në jetën time”, tregon ai.
 
Mulla Iljasi e ka një porosi për të rinjtë, e ajo është se pa dituri s‘ka përparim dhe se dija është dritë për njerëzimin.
 
“Por, dija kërkon që të shoqërohet edhe me vepër të sinqertë. Më të mirët janë ata që e përcjellin shkollën dhe janë në besim dhe në rrugë të drejtë. Përveç gjuhës amtare jam interesuar të mësoj edhe gjuhën angleze, që në moshën kur unë kam qenë i ri nuk ka qenë shumë në modë. Unë e kam mësuar gjuhën serbe (të cilën e kemi patur domosdoshmëri), pastaj italishten, turqishten dhe arabishten”, ka shtuar ai.
 
Meditimin dhe reflektimin e tij për botën, jetën dhe besimin, ai e ka shprehur edhe në letër, me një numër poezish të shkruara, për çka shumë shpejt pritet që të botohet edhe libri me poezi dhe thënie të tij – “Karvanet e Diturisë”.
 
Njërën nga poezitë e tij kushtuar dembelit, e cila do të jetë pjesë e këtij libri, do t’ua sjellim më poshtë:
 
“Dembeli
Nuk kuptoj se çka po prêt, Kurse Zoti urdhëron:
Nuk fiton njeriu në jetë, Veq me ndjersë kur punon.
Çka me ken Gjithësia, Dhe njeri që priton,
Kurse Vet Perëndia, Natë e ditë po punon.
O njeri,njeri gjorë, Është turp me pritu,
T’ka falë Zoti këmbë e dorë, Natë e ditë për me punu.
O njeri,njeri i gjorë, Është turp me pritu,
T’ka falë Zoti mendjehollë, Natë e ditë për me studiu”.
 
/Blendi Devolli/Telegrafi/
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit