3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Ilaçi i ankthit, hidhërimit dhe pikëllimit

Më të lexuarat

Robër të Allahut, njeriu në këtë botë goditet me brenga të ndryshme, në zemrën e tij bien shumë brenga, të cilat i shkaktojnë vuajtje dhe dhembje dhe i sjellin pikëllim. Këto brenga janë të caktuara dhe të shkruara, gjë që njeriu patjetër do t’i përjetoj në këtë botë; por Allahu i ka dhuruar njeriut disa shkaqe madhore dhe gjëra të rëndësishme, që nëse kujdeset për praktikimin e tyre, atëherë atij do t’i largohet pikëllimi, dhembja dhe vuajtja, dhe do të realizohet lumturia e tij në këtë botë. Ekzistojnë disa brenga që shkaktojnë dhembje dhe vuajtje në zemër, disa prej tyre lidhen me gjëra të së kaluarës, lidhen me disa përkujtime që kanë kaluar, ku zemra pikëllohet dhe vuan kur i përkujton ato. Gjithashtu disa brenga dhe vuajtje lidhen me gjëra të së ardhmes, të cilat bëjnë që njeriu të ketë ankth dhe të vuaj për shkak se nuk e di se si do të jetë gjendja e tij me to. E gjithashtu ekziston edhe brenga e hidhërimit, e cila lidhet me situatën momentale të njeriut. Pra këto janë tri brenga: pikëllimi është brengë që lidhet me gjërat e së kaluarës, ankthi është brengë që lidhet me gjërat e së ardhmes, si dhe hidhërimi që lidhet me gjendjen momentale të njeriut. Këto tri brenga mund të largohen nga njeriu nëse ai kthehet sinqerisht tek Allahu, i nënshtrohet dhe dorëzohet Atij, duke besuar në kaderin e tij, duke njohur emrat dhe cilësitë e Tij, duke besuar, medituar dhe praktikuar Librin e Tij. Përndryshe, vetëm në këtë mënyrë largohen këto brenga dhe realizohet lumturia e njeriut.

Lidhur me këtë, Imam Ahmedi dhe Ibnu Hibbani transmetojnë nga Ibën Mes’udi, i cili tregon se Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë: “Çdo njeri që e godet ankthi dhe pikëllimi, e më pas e lut Allahun me këto fjalë: ‘O Allah, unë jam robi Yt, i biri i robit dhe robëreshës Sate, çështja ime është në dorën Tënde, vendimi Yt mbi mua është i pakthyeshëm, caktimi yt mbi mua është i drejtë. Të lutem me çdo emër Tëndin, me të cilin ke emërtuar Veten, apo e ke zbritur në librin Tënd, apo ia ke mësuar dikujt nga robërit e Tu, apo e ke mbajtur fshehur në diturinë Tënde, bëje Kuranin pranverë për zemrën time, dritë për gjoksin tim, largim të pikëllimit dhe ankthit tim’. Allahu do t’ia largojë ankthin dhe pikëllimin e tij dhe do t’ia zëvendësoj me gëzim”. Më pas, kur sahabët e dëgjuan Pejgamberin (salallahu alejhi ve selem) duke i drejtuar dhe udhëzuar tek kjo dua madhështore, atij i thanë: “Vërtetë ne duhet t’i mësojmë mirë këto fjalë”, atëherë Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ua ktheu: “Gjithsesi, ai që i dëgjon këto fjalë duhet t’i mësoj”.

Këto janë disa fjalë madhështore, të cilat duhet t’i mësoj muslimani dhe të përpiqet t’i thotë sa herë që goditet nga brenga e ankthit, hidhërimit dhe pikëllimit. Por duhet ta dijë se këto fjalë do t’i bëjnë dobi vetëm nëse realizon dhe praktikon kuptimin dhe qëllimin e tyre. Ndërsa, nëse ai citon dua të ndryshme duke mos i kuptuar dhe duke mos realizuar qëllimin e tyre, atëherë ato nuk do të kenë ndikim e as dobi. Robër të Allahut, kur e meditojmë këtë dua madhështore, që Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) udhëzoi që njeriu ta thotë kur goditet nga ankthi, pikëllim apo hidhërimi, atëherë do të vërejmë se ajo përmban katër parime madhështore, pa realizimin e të cilave nuk do të realizohet lumtuaria e robit e as që do t’i largohet ankthi, hidhërimi apo pikëllimi.
Parimi i parë: realizimi i ibadetit ndaj Allahut, nënshtrimi dhe përulja e plotë ndaj Tij, si dhe pranimi sinqerisht se ai njeri është rob dhe krijesë e Allahut, të cilin e udhëheq Allahu dhe se Ai vepron në të gjitha çështjet e tij. Këtë parim e përfitojmë nga fjala e Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem): “O Allah, unë jam robi Yt, biri i robit dhe robëreshës Sate”, ky është pranim nga ana e njeriut, me të cilin tregon se së bashku me prindërit e tij, të cilët arrijnë deri te Ademi dhe Hava, të gjithë janë të krijuar nga Allahu dhe drejtohen nga Ai. Të gjithë janë nën sundimin e Allahut, Ai është krijuesi i tyre, mbikqyrësi dhe rregulluesi i të gjitha çështjeve të tyre. S’ka sundues të tyre pos Allahut, s’ka krijues të tyre pos Allahut, askush nuk mund t’ua drejtoj jetën pos Allahut. Për këtë njeriu duhet ta përulë dhe nënshtroj veten para madhërisë së plotë të Allahut.
Parimi i dytë: Njeriu duhet të besoj në caktimin e Allahut, të besoj se ajo që dëshiron Allahu bëhet, dhe ajo që nuk dëshiron nuk mund të bëhet, dhe askush nuk mund ta ndryshojë vendimin dhe caktimin e Tij. Ai thotë: “Begatitë, që Allahu ua jep njerëzve nga mëshira e Tij, nuk mund t’i pengojë askush, ndërsa atë, që Ai e pengon, askush nuk mund ta japë veç Tij; Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti” (Fatir: 2). Ky parim përfitohet nga fjala e Pejgamberit në këtë dua: “Çështja ime është në dorën Tënde, vendimi Yt mbi mua është i pakthyeshëm, caktimi yt mbi mua është i drejtë”, pra çështja e njeriut është në dorën e Allahut, Ai gjykon mbi të ashtu siç dëshiron dhe askush nuk mund ta pengojë vendimin dhe caktimin e Tij, për këtë Pejgamberi thotë: “Vendimi Yt mbi mua është i pakthyeshëm”, pra vendimi dhe caktimi i Allahut janë të pakthyeshëm dhe nuk mund t’i ndalë askush, pavarësisht se çfarë vepron njeriu, sepse atë që e ka caktuar Allahu do të ndodhë, ajo që dëshiron Ai do të ndodhë, ndërsa ajo që nuk dëshiron Ai nuk mund të ndodhë. Pra, patjetër duhet që robi të besoj në kaderin (caktimin) e Allahut, dhe se dëshira e Tij është gjithëpërfshirëse dhe e pandalshme.

Parimi i tretë: Njeriu duhet të besoj në emrat dhe cilësitë e larta të Allahut, të cilat janë cekur në librin e Tij dhe në fjalët e Pejgamberit në hadithe, dhe ai duhet ta lus Allahun me anë të këtyre emrave dhe cilësive të Tij. Allahu thotë: “Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj lutjuni Atij me to dhe largohuni nga ata që i shtrembërojnë emrat e Tij. Ata do të ndëshkohen për çfarë kanë vepruar” (El A’raf: 180), dhe thotë: “Thuaj: “Lutetni Allahun ose lutetni të Gjithëmëshirshmin, me cilindo emër që ta lutni ju Atë, Ai ka emrat më të bukur” (El Isra: 110). Prandaj sa më shumë që njeriu e njeh Allahun dhe sa më shumë që i njeh emrat dhe cilësitë e Tij, aq më tepër do t’i shtohet përulja ndaj Allahut dhe do t’i shtohet përkujtimi se Allahu është duke e përcjellur. Me këtë do të largohet më tepër nga mëkatet, siç thonë disa dijetarë të brezave të parë (selefë): “Ai që e njeh më shumë Allahun, do të jetë më i përulur ndaj Tij”, ndërsa Allahu thotë në Kuran: “Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët, (që e dinë se) Allahu është vërtet i Plotfuqishëm dhe Falës”. (El Fatir: 28).
Prandaj prej gjërave që e largojnë ankthin, hidhërimin dhe pikëllimin është që robi ta njeh Zotin e tij, t’i njeh emrat dhe cilësitë e Tij, ta lus Allahun nëpërmjet këtyre emrave dhe cilësive. Ky parim përfitohet nga fjala e Pejgamberin (salallahu alejhi ve selem) në këtë dua: “Të lutem me çdo emër Tëndin, me të cilin ke emërtuar Veten, apo e ke zbritur në librin Tënd, apo ia ke mësuar dikujt nga robërit e Tu, apo e ke mbajtur fshehur në diturinë Tënde”.

Parimi i katërt: përkushtimi ndaj Kuranit, fjalës së Allahut, sepse atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë, në të është udhëzimi, shërimi, e drejta dhe ai është i mjaftueshëm. Allahu thotë: “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira” (El Isra: 9). Prandaj sa më shumë që njeiu i përkushtohet Kuranit me lexim, mësim, meditim dhe praktikim, atëherë ky do të jetë shkaku kryesor për largimin e ankthit, pikëllimit dhe hidhërimit të tij. Ndërsa ky parim përfitohet nga fjala e Pejgamberit në këtë dua: “Bëje Kuranin pranverë për zemrën time, dritë për gjoksin tim, largim të pikëllimit dhe ankthit tim”.
Robër të Allahut, këto ishin katër parime që përfitohen nga ky hadith madhështor, të cilat duhet t’i kuptojmë mirë dhe të përpiqemi t’i praktojmë. Ta mësojmë pëmendësh këtë dua të bekuar, tek e cila udhëzoi ummetin e tij ky Pejgamber, bile inkurajoi që ajo të mësohet.
Lus Allahun me emrat dhe cilësitë e Tija të larta, që të na jap sukses kah çdo e mirë dhe të na udhëzojë në rrugë të drejtë, të na largojë ankthet dhe hidhërimet tona, të na caktojë lumturinë në këtë botë dhe në tjetrën, sepse vetëm Ai mund ta bëjë këtë.

Robër të Allahut, keni frikë Allahun dhe ta dini se lumturia e njeriut në këtë botë, si dhe largimi i brengave realizohet me anë të teuhidit dhe sinqeritetit. Në Librin e Ebu Davudit është transmetuar hadithi i cituar nga Esma bintu Umejs, se Pejgamberi i kishte mësuar asaj, që në rast brenge t’i thotë këto fjalë: “Allahu është Zotim im, dhe Atij nuk i shoqëroj askënd në ibadet”. Kjo është një fjalë madhështore, që muslimani duhet ta thotë kur e godet ndonjë brengë. Kjo fjalë është teuhid dhe sinqeritet, besim dhe nënshtrim, dhe largim nga i gjithë shirku i vogël apo i madh. Prandaj, brenga nuk mund të largohet me asgjë tjetër siç mund të largohet me anë të teuhidit dhe sinqeritetit dhe realizimit të ibadetit, për të cilin edhe është krijuar njeriu. Prandaj kur zemra mbushet me teuhid dhe sinqeritet ndaj Allahut, atëherë Asaj do t’i largohen brengat dhe do të jetë shumë e lumtur. Për këtë ne lusim Allahun që të na i mbushë zemrat me teuhid dhe sinqeritet ndaj Tij dhe të na jap sinqeritet kah çdo e mirë, t’i jap shpirtërave tanë devotshmëri dhe t’i pastroj ato, Ai mund t’i pastroj ato më së miri, sepse Ai është Zoti dhe mbikëqyrësi i tyre.

Dr. Abdurrezak el Bedr
Përktheu: Jeton Bozhlani

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit