1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

IHT: Përse italianët e votojnë Berluskonin përkundër asaj që ai është maniak?

Më të lexuarat

Përcjellja e rezultateve të zgjedhjeve në Itali është sikur të shikosh filmin e njëjtë përsëri e përsëri dhe gjithmonë të shpresosh, e kurrë duke mos ndodhur, që të ketë një përfundim tjetër. Shikuesit mbesin duke bërë të njëjtën pyetje: Përse italianët vazhdojnë të votojnë për Silvio Berluskonin?

Kështu nis një shkrim në “International Herald Tribune”, në të cilin, theksohet se italianët janë nga ata popuj që merren shumë me politikën dhe zgjedhjet e kësaj jave me pjesëmarrjen prej 75 për qind, e dëshmojnë këtë.

Të huajt e kanë të vështirë të kuptojnë pse një manjat i medias që e udhëhoqi Italinë në prag të falimentimit në vitin 2011, i cili është akuzuar për mashtrim tatimor, me lidhjet me mafian, për shfrytëzimin e prostitutave të mitura dhe keqpërdorimin e detyrës publike, ende arrin të konkurrojë ballë për ballë në zgjedhjet kombëtare , vë në pah gazeta.

Por, italianët nuk janë të befasuar për disa arsye:

Dyzet minuta pas mbylljes së votimeve kur sondazhet e para treguan për një rezultat të fortë për partinë e Berluskonit, Mediaset, kompania mediale e kontrolluar nga familja e tij, shënoi fitore prej 10 për qind në bursën e Milanos.

Edhe pse fitimet ranë pasditen e vonë, performanca ishte një simbolikë e thellë e gërshetimit të politikës italiane me interesat ekonomike dhe mediatike të Berluskonit, thekson gazeta.

Përveç të qenët një nga njerëzit më të pasur të vendit, mediat që i ka në pronësi, i kanë dhënë Berluskonit ndikim në të gjitha aspektet e jetës ekonomike italiane.
“Freedom House” ka renditur Italinë si vendin e vetëm evropiano-perëndimor me një shtyp “pjesërisht të lirë”.

Për të shpjeguar popullaritetin politik të Berluskonit vetëm me ndikimin e tij në media, megjithatë, do të ishte e thjeshtë, thuhet në artikull.

Arsyeja e dytë është se një numër i njerëzve drejtpërsëdrejti përfitojnë nga fitorja e tij.

Që nga viti 1994, Berluskoni ka qenë gjerësisht i pranueshëm në mesin e biznesmenëve dhe individëve privatë, të cilët përfitojnë nga rregulloret e buta të qeverisë.

Për më tepër, historikisht, votuesit italianë kanë qenë gjithmonë të tërhequr nga burrat e fortë, udhëheqësit karizmatikë, që mund të zgjidhin vetë problemet e vendit, shkruan IHT.

Kjo ka ndodhur me Musolinin në vitet 1920, por edhe me popullaritetin e figurave të tjera si kryeministri i ndjerë socialist, Bettino Crax, lideri i ndjerë komunist, Enrico Berlinguer dhe së fundi komiku i shndërruar në politikan Beppe Grillo. Kjo në një masë shpjegon magjepsjen e Italisë nga figurat karizmatike.

Italianët i shohin këta burra të fortë si tërheqës edhe kur ata anashkalojnë proceset demokratike.

Me pamjen e një të riu, elegant dhe pothuajse i paturp në shpërfaqjen e pasurisë së tij, Berluskoni i përshtatet lehtë imazhit të burrave të fortë.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, italianët janë një popull që bëjnë tifo për një parti politike, aq verbërisht dhe në mënyrë intensive sa edhe për një ekip të preferuar futbolli.

Berluskoni e ka në fakt një ekip futbolli, por ky zakon është i rrënjosur në konfrontimin gjatë kohës së Luftës së Ftohtë ndërmjet dy partive politike, Kristian-demokratëve dhe komunistëve.

Berluskoni ka trashëguar votat e partisë Kristian-demokrate, pasi ajo ra nga skandalet e korrupsionit.

Nuk ka arsye të tjera për suksesin e Berluskonit në zgjedhjet e përgjithshme, përfshirë këtu edhe mungesën e një lideri karizmatik në qendrën e majtë.
Por, fleksibiliteti i Berluskonit në skenën politike italiane gjatë 20 viteve të fundit shkon më thellë.

Faktorët që i detyrojnë italianët për të votuar për Berluskonin janë po ata faktorë që po e largojnë Italinë nga kontakti me realitetin dhe drejt rënies sociale, kulturore dhe ekonomike, shkruan IHT./rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit