Zelanda e Re do t’i heqë pothuajse të gjitha masat kundër koronavirusit, pasi nuk ka më asnjë rast aktiv.
Nisur nga mesnata e sotme, sipas kohës lokale, distancimi fizik nuk do të kërkohet më dhe nuk do të ketë kufizime në tubimet publike. Kufijtë, megjithatë, do të mbeten mbyllur.
Zelanda e Re nuk ka raportuar raste me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, për më shumë se dy javë. Kryeministrja Jacinda Ardern tha se “ka vallëzuar pak” kur i është thënë se vendi nuk ka më raste aktive me koronavirus.
“Edhe pse jemi në pozitë më të sigurt dhe më të fuqishme, nuk ka ende rrugë të lehtë për t’u kthyer në jetën e para COVID-19”, tha Ardern.
“Vendosmëria që kemi pasur në përgjigjen tonë shëndetësore, tani do të përqendrohet në rindërtimin tonë ekonomik”, shtoi ajo.
Zelanda e Re është izoluar më 25 mars, duke mbyllur shumicën e bizneseve dhe shkollat, ndërsa njerëzve u është thënë të qëndrojnë në shtëpi. Pas më shumë se pesë javësh ka nisur të rihapet gradualisht. Zelanda e Re ka konfirmuar 1,154 raste me koronavirus dhe 22 viktima.