1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

I penduar dhe pishman për krimin, Pjetër Ndrecaj e pranon fajësinë

Më të lexuarat

Pjetër Nrecaj e pranoi para gjykatës fajësinë për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës në gusht të këtij viti në fshatin Brekoc të Gjakovës.

Megjithatë, në seancën gjyqësore ndaj tij në Gjykatën Themelore të Gjakovës nuk u prezentua marrëveshja mbi pranimin e fajësisë.

Nrecaj u soll i prangosur në seancën në të cilën avokatja e tij dhe prokurori i rastit thanë se kjo marrëveshje nuk është arritur për shkaqe procedurale.

Pjetër Nrecaj akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë”, pasi që dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten dhe vajzën e tij 9 vjeçare.

“Jemi në përpjekje që kjo çështje të përfundohet me korrektësi dhe të negociohet pranimi i fajësisë në mes të akuzuarit dhe të prokurorit të çështjes, mirëpo ne nuk jemi ftuar për këtë marrëveshje”, tha Fehmije Zhubi, avokate e Nrecajt.

Ndërsa prokurori Agron Matjani e pranoi se negociatat për pranimin e fajësisë kanë filluar por pa mundur të përfundojnë.

“Ne kemi filluar negociatat, mirëpo për shkaqe procedurale nuk kemi arritur një marrëveshje të tillë”, tha prokurori.

Në sallën e gjykatës të mbushur përplot me njerëz, kur u pyet nga gjyqtari i rastit Gëzim Pozhegu, i akuzuari Nrecaj e pranoi fajësinë dhe shprehu ‘keqardhje’ për rastin që ka ndodhur.

“Edhe pse vajzën e kam vrarë aksidentalisht, si do që të jetë unë e pranoj fajësinë sepse jam penduar”, tha i akuzuari Pjetër Nrecaj.

Prokurori Agron Matjani tha se ky pranim i fajësisë mbështetet në prova dhe fakte të paraqitura në aktakuzë.

Avokati i palës së dëmtuar, Isa Osdautaj, tha se “i akuzuari ka kryer vrasje të dyfishtë, konsideroj se i akuzuari duhet të akuzohet edhe për veprën penale të rrezikimit të përgjithshëm ndaj familjes Marku”.

Pas pranimit të fajësisë nga ana e Pjetër Nrecaj, avokatja e tij kërkoi nga gjykata që t’i ketë parasysh “rrethanat lehtësuese dhe rënduese” ndaj të mbrojturit të saj.

“Gjithsesi jemi të bindur se gjykata do të sjellë vendim të drejtë dhe të bazuar”, tha avokatja Zhubi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit