0.8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

I papuni Vladimir Kola, tmerri i politikanëve me plagjiaturë

Më të lexuarat

Kush është njeriu që qëndron pas denoncimit të shumë punimeve shkencore të bëra me plagjiaturë, që nga ish-ministra e deputetë e deri te zyrtarë të lartë të universiteteve në vend. Edhe pse plagjiatura ka mbuluar gjithçka, Vladimiri me doktoraturë në Sapienza, nuk pranohet në punë si lektor në universitete. Në një intervistë për MAPO, ai jep rrugën se si mund të dilet nga kjo “vjedhje” akademike 

Kur mbrojti titullin doktor në shkencat politike në Sapienza në Itali, Vladimir Kola ishte pothuajse i sigurt se do të niste një karrierë akademike në Shqipëri, por nuk rezultoi kështu. Në 2 konkurse ku mori pjesë, tek Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës dhe tek “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, nuk u pranua. Ai thotë se në Durrës e fitoi konkursin, por u anulua nga rektori. Ndërkohë në vend të tij u rekomanduan të tjerë lektorë, sipas tij pa gradë shkencore. Me gjithë cilësitë që ka, është i papunë.

Tashmë i ka hedhur sytë për punë jashtë vendit, ndërkohë që pasioni i tij i pandalur është gjurmimi i plagjiaturistëve me doktoraturat apo punimet shkencore. Dhe nuk ka pak të tillë. Ka gjetur aq shumë vetëm në mesin e emrave të njohur, sa pothuajse është bërë zakon, që çdo javë ai plas një bombë.

Vladimiri, 36 vjeç, jeton në Lezhë pranë familjes. Ai thotë se e kalon kohën duke lexuar. Vjen rrallë në Tiranë. U bë i njohur në një emision Opinion, ku me një gjuhë të drejtpërdrejtë e pa shumë sofistikime salloni, denoncoi raste plagjiaturash konkrete dhe me emër, si ajo e Monika Kryemadhit, Ulsi Manjës, Blerina Gjylametit etj. Aktualisht po punon për një studim të ri që merr nxitje pikërisht nga ky fenomen, mbi origjinalitetin e një punimi shkencor dhe mbi të drejtën e autorit.

E sigurt është se sa herë ai del në publik, secili politikan që ka bërë doktoraturën me “vjedhje” të vogla, nuk ndihet mirë.

Në një intervistë për gazetën MAPO, ai tregon si nisi “zbavitja” me zbulimin e punimeve shkencore të kopjuara apo përkthyera vetëm duke hulumtuar në internet dhe më tej bën një analizë se si duhet menaxhuar ky fenomen që të mos kthehet në një normë. Për Vladimirin plagjiaturizmi është vetëm një nga plagët që ka arsimi i lartë shqiptar, ku nepotizmi, korrupsioni dhe paaftësia janë po ashtu shkak për nivelin ku ndodhet ky arsim sot.

Intervistoi: Blerina Gjoka

Z.Kola jeni bërë tashmë “tmerri” i plagjiaturistëve në Shqipëri duke zbuluar punimet shkencore të bëra me plagjiaturë që nga ministra e deputetë e deri te zyrtarë të lartë të arsimit të lartë. Doja të dija si nisi ky “gjurmimi” i plagjiaturistëve prej jush? Çfarë u bë shkak fillestar?

Kërkimet e mia mbi plagjiaturat nisën pasi pata parë ca denoncime që kishte bërë përpara Taulant Muka, mbi ca artikuj shkencorë plagjiaturë. Duke u nisur nga denoncimet e tij, thashë me vete, përse të mos të shoh edhe ndonjë doktoraturë nëse kishte apo jo kopjime në punim. Duke kërkuar në internet, një faqe informacioni vinte në dukje ca ministra, ish-ministra, deputetë etj., të cilët kishin mbrojtur doktoraturën dhe ndër ta ishte edhe zonja Kodheli. Pashë se Teza e saj e Doktoraturës gjendej në internet, kështu që fillova ta kontrolloj dhe zbulova se në të ishin kopjuar ca faqe nga studime të tjera. Më pas pashë edhe raste të tjera të cilat janë publikuar në internet. Gjithashtu, natyrisht zbulimi i plagjiaturave nga unë lidhet edhe me mungesën e seriozitetit në universitetet shqiptare, të cilën e kam konstatuar për shembull te ca konkurse ku kam konkurruar.

Vihet re se pas denoncimit të parë, bëhet bujë, por më pas nuk ka shumë reagim. Si e shpjegoni këtë heshtje? A ka të bëjë kjo me një nivel aq të lartë të shkeljes së etikës së punës shkencore saqë të gjithë janë të përlyer dhe shkelja është kthyer në një kriter të pranuar botërisht?

Për sa i përket reagimit, mendoj se duhet ndarë në katër pjesë: mediatik, ligjor, akademiko-institucional dhe psikologjik. Në lidhje me reagimin mediatik, sigurisht që ka patur vëmendje dhe interes të konsiderueshëm nga media në lidhje me denoncimet e plagjiaturave, sidomos kur ka përfshirë personalitete publike.

Ndërsa në lidhje me reagimin ligjor, konkretisht është miratuar në fund të vitit 2018 një Vendim i Këshillit të Ministrave, VKM-ja .n 777, ku parashikohet të bëhet një kontroll mbi plagjiaturat e doktoraturave, i ndarë në dy faza: e para ka të bëjë me kontrollin me software që duhet të bëhet nga Ministria e Arsimit dhe kontrollin njerëzor që duhet të bëhet nga vetë institucionet e Arsimit të Lartë. Problemi qëndron te zbatimi konkret i kësaj VKM-je, duke pasur parasysh se teorikisht që nga fillimi i muajit mars 2019, duhet të kishte filluar kontrolli me software. Gjithsesi, pavarësisht këtij aspekti, unë mendoj se nuk i pengon asgjë Universitet që të bëjnë vetë kontrolle, pa pritur sinjalizime nga Ministria e Arsimit, që mund të dalin nga kontrolli me software, nëse do të bëhet kontrolli nga Ministria.

Në lidhje me reagimin akademiko-institucional, natyrisht reagimi ka qenë i ftohtë dhe në përgjithësi indiferent, por kjo ishte e pritshme duke qenë se kanë qenë vetë universitetet që i kanë lëshuar titujt të cilët janë denoncuar si plagjiaturë. Prandaj, për mua kjo gjë nuk përbën ndonjë surprizë. Gjithsesi, duhet parë nëse në të ardhmen do rritet apo jo serioziteti, në lidhje me këtë çështje.

Pikërisht duke vazhduar arsyetimin e fundit vijmë te reagimi psikologjik. Siç mund të nuhatet edhe nga vetë termi “psikologjik” nuk është i lehtë për t’u perceptuar si reagim dhe së dyti, kërkon kohë për të parë nëse do ketë impakt konkret apo jo. Reagim psikologjik këtu nënkuptoj, një shtytje psikologjike që në të ardhmen tezisti dhe udhëheqësi të shohin me më shumë kujdes problemin e kopjimit të punimit shkencor, domethënë çështjen e plagjiaturës. Siç e thashë, për të kuptuar impaktin psikologjik që mund të ketë patur këta muaj dhe që mund të ketë në të ardhmen, fushata e denoncimeve, do të duhet kohë për të nxjerrë ndonjë përfundim konkret.

Ndërsa në lidhje me përhapjen e fenomenit, unë do ta ndaja çështjen në dy pjesë: a) kopjimet që kam parë nuk janë të gjitha njësoj, njëra me tjetrën; b) një pjesë e Tezave të Doktoraturave, me sa kam parë unë, nuk janë plagjiaturë. Kur them se të gjitha kopjimet nuk janë njësoj, nënkuptoj se duhet parë rast pas rasti dhe në varësi të shkeljes mund të vendoset që ai që e ka mbrojtur Doktoraturën me shkelje, t’i jepet nja afat kohor, në varësi të shkallës së shkeljeve, që të korrigjojë shkeljet dhe ta mbrojë titullin me Tezën e korrigjuar. Siç e thashë, unë kam kontrolluar shumë Teza Doktorature dhe me sa kam arritur të kuptoj, një pjesë e tyre nuk janë plagjiaturë. Prandaj, ata që thonë së të gjitha Tezat e Doktoraturës, që janë mbrojtur në Shqipëri, vitet e fundit, janë plagjiaturë (të kopjuara), sipas meje po mashtrojnë, sepse duan ta zhvlerësojnë shkeljen duke thënë se “në fund të fundit të gjithë kanë kopjuar”. Gjithsesi, e përsëris nuk është e vërtetë se të gjitha Tezat e Doktoraturës që janë mbrojtur në Shqipëri vitet e fundit janë plagjiaturë dhe nuk ma merr mendja se ndokush tjetër mund të ketë bërë kërkime sa kam bërë unë, në lidhje me këtë çështje.

Si është e mundur që universitetet ku janë mbrojtur këto doktoratura nuk kanë reaguar duke u hequr titullin shkencor personave të kapur në vjedhje?

Motivet së përse nuk kanë reaguar mund të jenë të ndryshme, sepse: a) ka interesa nga prapa; b) duan ta nxjerrin veten të pastër, duke e paraqitur çështjen si ndonjë shkelje e pakujdesshme apo e lehtë por jo e qëllimshme, etj.; c) mungon serioziteti, gjë që paradoksalisht e përforcon akoma më shumë kauzën e plagjiaturës, sepse edhe plagjiatura e Doktoraturave është mungesë serioziteti.

Si funksionon në praktikën perëndimore në këto raste? Ne kemi disa shembuj kur ministra apo zyrtarë më të lartë në Europë kanë dhënë dorëheqjen nga detyra në këto raste, pse në Shqipëri nuk ndodh kjo?

Është e vërtetë, pikërisht këto ditë kam lexuar për të freskuar kujtesën mbi ca raste në Gjermani, ku pas zbulimit të plagjiaturës së Doktoraturës, iu është hequr titulli nga vetë universiteti dhe për shembull Ministri ka dhënë edhe dorëheqjen. Gjithsesi, duhet theksuar se me kalimin e kohës janë shtuar edhe kontrollet paraprake, para mbrojtjes së titullit, për të parë nëse ka plagjiaturë.

Në vende si Shqipëria reagimi nuk është i njëjtë si në rastin e Gjermanisë, sepse perceptimi dhe ndjeshmëria ndryshojnë. Gjithsesi, kjo gjë nuk më habit aspak, sepse nuk është e kotë ndarja mes vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim.

Duke treguar fenomenin e plagjiaturizmit në një farë mënyre ju keni gjetur “sëmundjen” e sistemit të marrjes së gradave në Shqipëri, por a keni menduar dhe për diagnozën? Çfarë do të duhej të bëhej në mënyrë që kjo të mos ndodhte dhe të gjithë titujt e marrë pa merita të hiqeshin?

Në lidhje me të ardhmen, për të shmangur përsëritjen e fenomeneve të kopjimi duhet të rritet serioziteti i udhëheqësit dhe i tezistit. Gjithashtu, edhe komisioni vlerësues ka mundësi të bëjë kontrolle para dhënies se titullit, në mënyrë të ngjashme me atë që do them për udhëheqësin. Nga ana tjetër, edhe futja në përdorim e një software mund ta ndihmojë në zbulimin e kopjimeve, me kusht që kërkimi në software të bëhet në gjuhë të ndryshme.

Për sa i përket udhëheqësit shkencor do të veçoja: a) të shmangë mbingarkesa dhe në këtë mënyrë të ketë kohën e mjaftueshme për të udhëhequr dhe për të bërë vërejtjeje, sugjerime, kontrolle etj.; b) të japë informacione paraprake mbi origjinalitetin e një shkrimi shkencor; c) të kontrollojë në vazhdimësi zhvillimin e punimit; ç) t’i kërkojë tezistit që t’i vërë në dispozicion referencat që ka vendosur në shkrimin që po zhvillon dhe nëse tezisti nuk është në gjendje t’i vërë konkretisht në dispozicion, kjo do të thotë se referencat i ka marrë të gatshme nga një studim i dikujt tjetër; d) të kontrollojë në internet për të parë nëse janë bërë kopjime; dh) kontrolli në internet mund të bëhet me software ose në motorët e kërkimit si Google, etj.; e) kontrolli me software në disa raste është me pagesë, kursi kontrolli në Google apo në ndonjë motor tjetër kërkimi është falas; ë) kontrolli në Google mund të bëhet duke marrë disa rreshta nga një studim dhe i vendos te hapësira e kërkimit në Google, në gjuhë të ndryshme përfshirë edhe gjuhën shqipe, për të parë nëse gjen ndonjë dokument ku ka ngjashmëri në tekst; f) kur ka ngjashmëri në tekst, vazhdon me kontrollin e detajuar të dokumentit.

Për sa i përket tezistit: a) duhet të ketë në dispozicion kohë të mjaftueshme për të zhvilluar studimin; b) nuk duhet të kopjojë në bllok disa paragrafë apo akoma më keq disa faqe nga analiza të shkruara nga studiues të tjerë; c) nuk duhet të kopjojë përqindje të larta nga studimet e të tjerëve; ç) kur kopjon ndonjë rresht nga studimet e të tjerëve duhet ta referojë dhe citojë burimin origjinal; d) sa më i qartë të jetë referimi i burimit origjinal aq më mirë është, konkretisht referimi mund të bëhet në tekst duke vendosur në kllapa mbiemrin e plotë të autorit dhe vitin e publikimit, mirë do të ishte edhe faqet, ose referimi mund të vihet në fusnotë, edhe aty sa më i detajuar aq më mirë; dh) sidomos kur nuk bëhet fjalë për të dhëna numerike, autori i punimit shkencor duhet të sforcohet sa më shumë që tekstin ta përpunojë vetë, pa e kopjuar nga të tjerët; e) tezisti duhet ta ketë të qartë se është më i mirë një tekst “i keq” i shkruar vetë, sesa një tekst “i mirë” i kopjuar nga shkrimi i dikujt tjetër (mendoj se këtë parim duhet ta ushqejnë edhe udhëheqësit shkencorë).

Në lidhje me të kaluarën, siç e përmenda më sipër, mund të vendoset që të ritestohen doktoraturat me plagjiaturë, ku sipas rastit konkret mund të vendoset një kohë e caktuar për të kryer korrigjimet e nevojshme dhe për të bërë ritestimin.

A është vetëm plagjiaturizmi problem në sistemit universitar shqiptar? A besoni se ka dhe probleme të tjera po me aq rëndësi siç është nepotizmi, niveli i ulët i formimit të lektorëve etj.? Mund të na thoni disa në këndvështrimin tuaj?

Plagjiatura është e përhapur në të gjithë botën, edhe interneti dhe kompjuteri e kanë stimuluar, sepse mund të gjesh, të kopjosh, të përkthesh etj., një tekst pa vështirësi, mbi një temë që po zhvillon, por numri i rasteve ndryshon nga Shteti në Shtet etj.

Natyrisht nepotizmi dhe formimi i ulët i lektorëve është një problem për arsimin e lartë në Shqipëri. Gjithashtu, problem mund të jetë edhe politizimi.

Në tërësi do të thosha se të gjitha këto probleme lidhen me: a) mungesën e seriozitetit; b) mungesën e stimulit të meritës; c) korrupsionin në tërësi dhe shitblerjen e provimeve në veçanti; ç) nevojën e rishikimit të metodave të kërkimit, duke pasur parasysh edhe teknologjitë e reja; d) nevojën për administrim më të mirë të burimeve financiare; dh) nevojën që të rriten burimet financiare për kërkimin shkencor.

Përveç plagjiaturistëve ka dhe një kast tjetër studiuesish shqiptarë që janë shkolluar në universitetet më të mira perëndimore dhe kanë dhënë kontribut real në fushat e tyre, si mund të thithet ky kontingjent për të dhënë kontribut në Shqipëri? A gjejnë ata një klimë armiqësore këtu dhe pse?

Nuk e di se si mund të stimulohen shqiptarët që jetojnë jashtë, për të ardhur në Shqipëri. Madje, do t’u këshilloja të mos kthehen, sepse, nëse nuk do gjendeshin në një ambient armiqësor, minimalisht do të ndiheshin si të “huaj”. Motivet se përse do të ndiheshin të “huaj” janë të shumta, por mendoj ndër kryesorët është fakti se, shumë herë në Shqipëri, nëse dëshiron që një gjë të caktuar ta studiosh apo ta analizosh me vëmendje dhe në thellësi, shihet si diçka e “tepërt” ose si “humbje kohe”, kur në të vërtetë dija ka gjithmonë nevojë që njohuria të jetë sa më e thellë dhe më e detajuar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit