Kreu i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Peter Maurer, ka takuar në Damask presidentin e Sirisë, Bashar al-Asad.
Zëdhënësi i Kryqit të Kuq, Hisham Hasan, ka bërë të ditur se gjatë bisedimeve gati njëorëshe, Maurer ka kërkuar të respektohet ligji ndërkombëtar për ndihma dhe ka theksuar rëndësinë që të ndihmohen njerëzit e bllokuar në luftime.
“Takimi kryesisht ka prekur çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e popullatës civile gjatë luftimeve, si: nevoja për të pasur qasje të menjëhershme në shërbimet shëndetësore, ushqim dhe nevoja të tjera bazike”, ka thënë Hasan.
Ai i ka përshkruar bisedimet si “pozitive”, por nuk ka dhënë detaje të tjera.
Televizioni shtetëror i Sirisë ka raportuar se Asad i ka thënë Maurerit se mbështet punën e Kryqit të Kuq në Siri, për aq kohë sa agjencia të mbetet “e paanshme dhe e pavarur”.
Sot, Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR) ka njoftuar se, gjatë muajit gusht, rreth 100,000 njerëz kanë lënë Sirinë, për të kërkuar strehim në vendet fqinje.
Agjencia tha se kjo është shifra më e lartë mujore për refugjatët sirianë, që nga shpërthimi i protestave kundër presidentit Bashar al-Asad në mars të vitit të kaluar. /BS/kohaislame