4.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

I hapet rruga pavarësisë së plotë

Më të lexuarat

Komisioni për Ndryshime Kushtetuese të martën ka përfunduar punën e vet sa i përket ndryshimit dhe miratimit të amendamenteve në pakon kushtetuese dhe ligjore, ndryshime këto që kanë të bëjnë me përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Anëtarët e Komisionit për Ndryshime Kushtetuese me këtë rast theksuan se kjo i ka hapur rrugë sovranitetit të plotë të Kosovës.

Arsim Bajrami, kryetar i Komisionit për Ndryshime Kushtetuese, ka thënë se Komisioni e ka kryer punën e vet në drejtim të ndryshimit dhe votimit të amendamenteve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Ai ka thënë se me këtë veprim të Komisionit i është hapur rruga sovranitetit të plotë të vendit.

“Komisioni për Ndryshime Kushtetuese sot ka përfunduar punën në pakon kushtetuese dhe ligjore për përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Ne njëzëri kemi votuar 22 amendamente me të cilat përmbyllet mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë dhe i hapet rruga sovranitetit të plotë Republikës së Kosovës. Kemi pasur vetëm një amendament të kontestuar nga Gjykata Kushtetuese, ajo për të drejtat e refugjatëve dhe jemi marrë vesh që ai amendament të spostohet në kaptinën për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut”, ka thënë ai, njofton KosovaPress.

Bajrami ka shtuar se kanë bërë amendamentin në propozimin e Qeverisë dhe kanë arritur një konsensus të plotë politik që ky ligj të procedohet në leximin e dytë, në mënyrë që ditën e premte të mbahet seanca ku do të miratohet projektligji për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Ai ka shtuar se kjo po bëhet në mënyrë që deri më 10 shtator kur mbahet mbledhja e Grupin Drejtues Ndërkombëtar në Prishtinë, Kuvendi t’i përmbush të gjitha obligimet, që edhe formalisht Kosova të jetë shtet i plotë, sovran, pa mbikëqyrje ndërkombëtare.

Gjithashtu, edhe partitë opozitare e kanë përkrahur punën e Komisionit.

Vjosa Osmani, anëtare e Komisionit për Ndryshime Kushtetuese nga radhët e LDK-së, ka thënë se Komisioni e ka bërë punën e vet dhe ka shtuar se si proces Kosova e ka arritur një sukses, ku si të tillë ajo ka thënë se do ta ketë përkrahjen e LDK-së.
Zëra pozitiv në këtë drejtim vijnë edhe nga drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ardian Gjini nga kjo parti, njëherësh anëtar i Komisionit për Ndryshime Kushtetuese, edhe pse e ka quajtur si një proces shumë të mundimshëm, pohon se Kosova po e kryen obligimet e veta, edhe pse ka shumë sfida të ndryshme.

Më 10 shtator pritet që Grupi Drejtues Ndërkombëtar ta mbajë një mbledhje në të cilën pritet t’i jepet drita jeshile sovranitetit të plotë të Kosovës. Deri në atë kohë, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës i mbetet ende punë në miratimin e ndryshimeve kushtetuese. /Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit