Tregohet se një njeri erdhi te Imam Husejni r.a. dhe i tha: – O nip i Pejgamberit a.s., kam huazuar njëmijë dinarë dhe nuk po mundem t’i kthej në afatin e caktuar. Nderi im është i rrezikuar. Mendova nëse kërkoj prej dikujt, ai duhet të jetë më i ndershëm dhe më zemërgjerë se tjerët. Por, në këtë qytet nuk di për dikë me këto cilësi që mund të krahasohet me ty.
Imam Husejni r.a. iu përgjigj: – Do të ndihmoj, por më parë do t’i bëj tri pyetje. Nëse përgjigjesh në një pyetje do ta paguaj një të tretën e borxhit tënd, nëse përgjigjesh në dy, do të paguaj dy të tretat, por nëse përgjigjesh në tri pyetjet, do ta paguaj tërë borxhin tënd.
Njeriu i tha: – O nip i Pejgamberit s.a.v.s. si mund të përgjigjem në pyetjet tua, kur ti rrjedh nga familja e cila është poseduese e diturisë?
Husejni r.a. iu përgjigj: – Gjyshi im thoshte se nga tjetri mund të presësh atë që ai di.
Njeriu tha: – Në rregull, ti di më mirë se unë. Do të përgjigjem në atë që di.
Imam Husejni r.a. filloi me pyetjet: – Çfarë është gjëja më e mirë për njeriun?
– Të besojë Allahun xh.sh.
– Cili është zbukurim për njeriun?
– Dituria me durim.
– Por, nëse nuk ka dituri?
– Aftësia me bujari.
– Nëse nuk e ka këtë?
– Varfëria e shoqëruar me durim dhe shpresë në Allahun xh.sh.
– Nëse nuk e ka këtë?
– Atëherë ai është sikurse dega e tharë e cila ka rënë nga pema dhe përdoret për ndezjen e zjarrit, ngase nuk mund të shfrytëzohet për asgjë tjetër.
Imam Husejni r.a. qeshi dhe i ofroi qesen me njëmijë dinarë dhe unazën si dhuratë duke i thënë: – Me para paguaje borxhin, ndërsa unazën shite dhe ndihmoje familjen tënde.
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi /islamgjakova/