Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Human Rights Watch (HRW) akuzoi të dielën Iranin për rekrutimin e fëmijëve emigrantë afganë për të luftuar në Siri krah për krah me forcat e regjimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një raport të fundit, HRW tha se fëmijët afganë të moshës 14 vjeçare luftuan në divizionin Fatemiyoun, një grup afgan i armatosur dhe mbështetur nga Irani që lufton së bashku me forcat e regjimit sirian.
Sipas HRW, ligji ndërkombëtar thotë se rekrutimi i fëmijëve të moshës nën 15 vjeçare për të marr pjesë në aktivitete luftarake paraqet krim lufte.
Kjo organizatë thotë më tej se pjesëtarët e saj kanë parë fotografi të varrezave në Iran në të cilat autoritetet kanë varrosur luftëtarët e vrarë në luftimet në Siri ku kanë identifikuar tetë fëmijë afgan të cilët sipas të gjitha gjasave kanë luftuar dhe janë vrarë në Siri.
“Raportet në mediat iraniane konfirmuan disa nga këto raste dhe raportuan të paktën gjashtë raste të ushtarëve fëmijë afganë të cilët vdiqën në Siri”, thuhet mes tjerash në raport.
Drejtoresha e HRW për Lindje të Mesme, Sarah Leah Whitson, i ka bërë thirrke qeverisë së Teheranit që menjëherë ti japë fund rekrutimit të fëmijëve, dhe ti kthejë të gjithë ata që janë dërguar në Siri.
“Autoritetet e Teheranit duhet të mbrojnë fëmijët dhe të kërkojnë përgjegjësi nga ata që kanë rekrutuar fëmijët afganë”, thuhet në fjalën e saj përfshirë në raport.
Më herët HRW kishte dokumentuar raste të refugjatëve afganë të cilët ishin paraqitur “vullnetarë” për të luftuar në Siri me shpresë që të rregullojnë statusin ligjor të familjeve të tyre në Iran.
Që nga viti 2013 thuhet në raport, Irani ka përkrahur dhe trajnuar mijëra afganë, pjesë e divizionit Fatemiyoun, disa nga të cilët emigrantë pa dokumente.
Raporti citon agjencitë iraniane të lajmeve Defa Press dhe Tasnim News që ka lidhje me Gardën Revolucionare të kenë vlerësuar se divizioni Fatemiyoun përbëhet nga rreth 14.000 luftëtarë.
Irani ka strehuar rreth 3 milionë afganë, shumë prej të cilëve kanë ikur nga persekutimi dhe konfliktet e armatosura në vendlindje. Vetëm 950.000 prej tyre kanë status ligjor si refugjatë.