2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Hoxhë Voka i Tetovës, teolog, mësues, pedagog, mendimtar dhe atdhetar i shquar shqiptar

Më të lexuarat

Prof. Dr. Musa Kraja

Pas proceseve demokratike, ndryshimeve të hartës politike, edhe në vendet e Ballkanit u intensifikuan lëvizjet, marrëdhëniet arsimore, kulturore, ekonomike, sociale mes qytetarëve të ndryshëm, përfshirë edhe marrëdhënie institucionale dhe nga shoqëria civile. Të njohur me kolegë, vëllezër tanë, në veprimtari studimore, na u krijuan mundësi të reja, tashmë pa kufizime në disa hapësira shqiptare edhe ne pedagogëve e studiuesve. Katedra e edukimit ku punoja, në emër të Universitetit tonë të Tiranës, më ngarkuan të drejtoja një grup shumë të vogël doktorantësh në Maqedoni, nga trevat shqiptare. Me atë rast, shkuarjet dhe pritjet u intensifikuan. Këto ndikuan në njohjen e drejtpërdrejtë të jetës sociale edhe të historisë së trevave të veçanta, e personaliteteve aktuale dhe të traditës. Unë kisha në punim e sipër një studim për zhvillimin historik të mësuesve shqiptarë, që nga mesjeta e deri në vitin 1944. Kisha qëndruar një kohë jo të të shkurtër në Arkivin e Shtetit, si dhe në burime të tjera arkivore, muzeale dhe bibliotekare. Mes tjerash, dëgjova dhe mësova më shumë për mësuesit tanë që kanë shërbyer në ato vise dhe për larminë e arsimit, përfshirë edhe atë të medreseve. Në Tetovë kisha dëgjuar e lexuar se ai institucion si shkollë fetare, me kulturë edhe të përgjithshme, përveç specifikave të arsimit të mesëm, kishte edhe ndonjë tipar të arsimit të lartë. Ky institucion lidhej edhe me personalitetin e Hoxhë Vokës së Tetovës (sepse është edhe një personalitet tjetër i rëndësishëm me të njëjtin emër në Dibrën e madhe: Hoxhë Voka i Dibrës, Said Najdeni). Në punimin tim, nuk kisha për objekt biografitë, por veprimtaritë e mësuesve të gjithë hapësirës shqiptare, madje edhe në diasporë.

Punën e mësuesit e të pedagogut, që në mesjetë, e më vonë e kanë ushtruar teologë të feve të ndryshme, që nga filloret e deri në universitete, madje disa prej tyre janë edhe personalitete në zona, vende apo kontinente të njohur e shumë të nderuar për veprimtarinë e tyre, përveçse si teologë, por edhe si mësues, pedagogë apo studiues.

Ne përmendim hoxhallarë të hershëm, shehlerë, priftërinj, jezuit, fretër katolikë apo priftërinj të tjerë ortodoks, që kanë bërë emër, i kanë bërë nder popullit e vendeve të tyre, pa u zgjatur në emra, se janë nga më të njohurit në fushën tonë të edukimit, ku përfshihet edhe filozofia dhe shkencat e tjera, që u shkëputën prej saj në etapa të caktuara të zhvillimit të tyre.

Nisur nga kjo klimë e re sociale, politike edhe te ne edhe në Maqedoni e më gjerë, plotësova studimin me njohuri jo vetëm arkivore, por edhe me teknika të tjera të studimit nga jeta e gjallë, apo nga memorialistika e moshave të ndryshme. Më ranë në duar edhe botime nga Rexhep Voka, duke më lënë mbresa libri “Mendime”. Në studimin tim kisha shkruar edhe një kapitull, pikërisht të XII “Rexhep Voka – Tetova, Hoxhë Voka – mësues, hoxhë, iluminist atdhetar”. Kuptohet, siç u tha në promovimin e librit me mbi 700 faqe të daktilografuara, sepse kompjuterët erdhën më vonë tek ne, ne Fakultetin e Shkencave Sociale të UT, në një auditor të gjerë profesorati, rastisën edhe dy-tre pedagogë të huaj, të cilët bënë edhe pyetje. U thanë “fjalë miradije”, siç shprehet miku im i nderuar, Profesor Shkurtaj. Atje kisha trajtuar edhe idetë iluministe të Hoxhë Vokës. Libri u përfshi në kurrikulën universitare, si dhe u tërhoqën shumë ekzemplare edhe në hapësirën shqiptare, duke i bërë jehone në shtyp këtej e andej kufirit, përfshirë edhe Kosovën.

Në interpretime të arsimit shqip Islam, ka pasur mendime të ndryshme, të krijuara në vende e zona të hapësirës shqiptare, ku nuk mungonin edhe qëndrime antishkencore, sepse disa plejada bijsh teologë të Shqipërisë dhe hapësirës shqiptare, që kanë shërbyer në vise të ndryshme të vendit e përtej, ndonëse kanë punuar me përkushtim të madh shpirtëror, si rrjedhojë e ndjenjave të fuqishme atdhetare dhe të besimit fetar, ju është mohuar kjo sakrificë dhe kjo ndihmesë e madhe atdhetare. Mohimi është bërë duke mbajtur qëndrime të heshtura, në shumicën e rasteve, sikur ata s’kanë jetuar e nuk kanë punuar gjë për Kombin, ose, duke i radhitur në kontingjentet e huaja joshqiptare, ndërsa në Shqipëri, edhe më egër, antishqiptare.

Rexhep Voka, nga Shipkovica e Tetovës, një personalitet i shquar shqiptar, ka mbajtur një qëndrim të qartë e aktiv për shkollën e gjuhën amtare shqipe dhe për mbarë çështjen kombëtare. Si student i shkëlqyer që ishte, në shkollën e lartë teologjike në Stamboll, pas diplomimit e mbajtën atje si pedagog, praktikë e njohur kjo për universitetet kudo në botë, duke vazhduar veprimtarinë pedagogjike në fushën teologjike dhe më gjerë.

Që në Stamboll fillon veprimtarinë e tij arsimore e atdhetare, në kontakt me studentët shqiptare, me atdhetarë të tjerë, me interesimin e veçante që tregon për gjuhen amtare e zhvillimin e saj e të shkollës shqipe.

Në vitin 1895 ndodhet në Tetovë, i sinkronizuar me veprimtari me atdhetarët e shquar të Rilindjes sonë Kombëtare, të cilët pas zbatimit të tërheqjes me humbjen që pësoi Lidhja Shqiptare e Prizrenit, duke vazhduar një rruge tjetër lufte, me anë të dijes, rrugën iluministe, që theksuan rilindësit, si vazhdimësi, në rrugën për zgjimin kombëtar. Filluan me intensitet veprimtarinë arsimore, si drejtim tepër i rëndësishëm për ruajtjen e zhvillimin e ndjenjave me idenë “fe dhe atdhe”, duke ruajtur e konsoliduar harmoninë fetare e ndërfetare, për zhvillimin dhe emancipimin politiko-shoqëror të popullit. Rexhep Voka shkruante: “Për ne duhet të kemi shumë të qartë e të kujtohemi se për këtë komb do të vijë një ditë e do të pyetemi. Mos ta qesim prej zemre gjallënin e të kapim mirësinë e mbarësinë, të mos themi ky mysliman e një tjetër i krishterë, jo toskë, jo gegë, se të gjithë nji xhins jemi shqiptarë, jemi një fis e nji farë…”

“Duhet të merremi vesht ku ta kena nji anë çelë e ta zhvillojmë, çfarë të gjejmë e çfarë të bëjmë, se rrojtjen një e kemi, jo se humbet emni shqiptar, fiket edhe shqiptari në krye të tanë farave ( fiseve e kombeve) e për jetë koritet. Prandaj të bashkohemi me nji prej nesh, veç, i ndamë të mos mbesë asnjë, se kemi një besë e kemi një shpresë.”[2]

Ligjëratat që mban kanë në brendinë e tyre edhe këshillat që bashkëkombësit të arsimohen, prandaj lipset edhe kalem edhe dije. (Rexhep Voka “Mendime” f. 3, Tetove, 1991.)

Rexhep Voka ishte Myfti i Manastirit, pikërisht në ngjarjen e Madhe të Kongresit të Gjuhës Shqipe. Ai fillimisht ishte për gjuhën shqipe me alfabet turko-arab, me ndryshimet që i kishte bërë vet, i bindur se kishte bërë diçka origjinale. Siç shkruan Profesor Vehbi Bexheti, njohësi më i thelluar i këtij personaliteti “Kuptohet qëndrimi i tij tepër i vonuar në këtë fushë, por ai, siç shprehet edhe Profesor Koliqi, ndoqi programin politik të xhonturqve dhe nuk ishte i vetëm, madje, duke i parë me syrin e atyre viteve, shumë forca i mbështeten, ndonëse ai qëndrim, siç e vërtetoi koha, për arsyet që dihen, nuk ishte i drejtë. Pra, le të zbresim në bazën historike kur jetoi Voka, te faktorët kur u formua dhe më pas të shohim edhe evoluimin e mendimit të tij në këtë fushë. Mendime të tilla kishin edhe atdhetarë të tjerë, si Daut Boriçi në Shkodër apo Abdylhaqim Dogani në Gostivar, që botuan abetare shqipe me atë alfabet, edhe pse ishin atdhetarë të flaktë. Më vonë, ata që jetuan, si Abdylhaqim Dogani, botuan abetare shqipe me alfabet latin, me të cilin mësuan gjenerata të tëra e në vazhdim.

Edhe Hoxhë Voka, që fillimisht mbështeste politikën xhonturke, mbrojti qëndrimin e tyre për alfabetin e gjuhës shqipe me shkronja arabe. Kishte hartuar një alfabet të gjuhës shqipe me shkronja arabe, të plotësuar me shkronja të tjera që nuk i kishte arabishtja. Prandaj në vitin 1910 botoi “Abeja shkip” në dhjetëmijë kopje, si dhe “Elifbeja shqip”. Në vitin 1911 botoi edhe librin tjetër “Gramatike elementare shqipe”, si dhe librin “Mendime”, me përmbajtje atdhetare, iluministe. Ka dëshmi që ishte penduar për mbrojtjen e alfabetit shqip me shkronja arabe, të siguruara nga Prof. dr. Nexhat Abazi, që shpjegohet edhe me përfundimin e tij nga Myfti i Manastirit si shitës lulesh e perimesh, në tregun e Stambollit. Pra, pas një përpunimi në vitet e fundit të jetës ka shprehur një progres të idesë së tij për alfabetin, sepse për gjuhën amtare shqipe ka qenë gjithnjë i patundur. “..të këndojmë edhe në gjuhën tonë.. nuk asht pa në tarihe e në jetë një popull që ka përparue e asht naltësu pa këndue në gjuhë të vet”, është shprehur Hoxhë Voka.

Njeriu nuk është as nuk mund të jetë shabllon, o bardh, o zi. Dy qenie biosociale nuk mund të jenë njëlloj në personalitetin e tyre, por, vepra e shkruar dhe veprimtaria e aplikuar e tij, tregojnë që ai ka punuar aq shumë për të kultivuar unitetin mes shqiptareve, dëshirën për te mësuar dituri, pa të cilën nuk mund të kishte progres, zhvillim, për dinjitetin fetar dhe atdhetar, të cilat ishin “armët” kryesore kundër asimilimit kombëtar.

Ekzistojnë dokumente që Rexhep Voka ishte në krah të forcave reformatore, progresive për kohën, por evoluimi i ideve, rrjedhojë e qëndrimeve të tija ndaj kulturës dhe arsimit kombëtar, e çuan në shpërfilljen e autoriteteve të xhonturqve. Botimi i veprës së Hoxhë Vokës “Mendime” ka synime të veçanta për vlerësimin e arsimit e të kulturës, probleme, që ruajnë vlera aktuale për aspektet shkencore, filologjike, pedagogjike e fetare. Ai shkruan me dashuri për popullin shqiptar, e shqetëson gjendja e tij ekonomike dhe arsimore e kulturore tepër e ulët, krahasuar me fqinjët.

Le të ndalemi pak në veprimtarinë pedagogjike të Rexhep Vokës:

Së pari, si mësues që punoi me nxënësit e vet në medresenë e Tetovës, në ruzhdijen e Stambollit dhe si mesimdhënës në fakultetin teologjik u mor me procesin e gjallë mësimor edukativ për disa vite, duke u shquar si mësimdhënës që pasuroi dhe aktualizoi me mjeshtri brendinë e të mësuarit, përdori metoda bashkëkohore në komunikimin e ngrohtë me nxënësit. Veprimtaria e tij pedagogjike rrezatoi në disa breza pasardhës.

Së dyti, si veprimtari në fushën pedagogjike nëpërmjet punës studimore e me botimet e bëra për shkollat, si abetare, dhe me idetë pedagogjike që shprehu në veprën e tij “Mendime”.

Së treti, nëpërmjet ligjëratave dhe bisedave që zhvilloi me njerëzit, në xhami me xhematin apo në kuvende burrash, në dhoma të miqve, dasma, morte a mbledhje shoqërore, ku mundohet për të ngritur kulturën elementare pedagogjike familjare të prindërve. Edukatën morale tek të mëdhenjtë e të vegjlit e mbështeti te parimet e moralit islam dhe në mbarë traditën e pasur shqiptare në këto fusha. Profesor Vehbi Bexheti, autor i veprës “Rexhep Voka dhe vepra e tij, 1847—1917” shkruan se “Hoxhë Voka ka qenë ndër më të shquarit e trevës së Tetovës e më gjerë, si intelektual dhe iluminist, që ka shfaqur interes dhe ka zhvilluar aktivitet mendor e atdhetar për emancipimin e vetëdijes kombëtare, ngritjen arsimore të popullit shqiptar të asaj anë, ai luftoi për ta shpëtuar e nxjerrë nga procesi i asimilimit dhe i zhdukjes popullin e vet, të cilit i kanosej zhdukja prej qarqeve qeveritare, institucioneve të ndryshme shtetërore, kulturore e fetare të huaja, si dhe prej disa faktorëve të karakterit pansllavist dhe greko-ortodoks, që, në mënyrë konsekuente, vepronin për të penguar çdo veprimtari arsimore, kulturore apo politike, që ka qenë e natyrës shqiptare.”

Rexhep Voka, si bartës i idealeve të Rilindjes sonë Kombëtare, si përfaqësues i iluminizmit Islam dhe Perëndimor, e shikon rrugën e shpëtimit të Kombit përmes zhvillimit në maksimum të institucioneve arsimore në te gjitha nivelet e mundshme, pa mbajtur qëndrim pritës, pa “pritur pallate të mëdha, por të bëhet e mundur që brezi ri e të tjerët të mësojnë, qe çdo komb të kultivojë fenë dhe gjuhën e vet… Njeriu e ka të pamundun të gëzoje qoftë edhe një ditë pa pasur mësime, këndime e fitim”.

Hoxhë Voka, krahas detyres si teolog, ka lëvruar edhe në fushën e publicistikes, edhe si poet, etj. Të gjitha këto kanë si kolonë Atdheun e mbarësinë e tij. Në një poezi, mes tjerash shfaq edhe mallin e thellë për Atdhe:

“ Nji nate ndeja ne kopesht aret

Cilli ishte fije aret

Edhe gjithesija ranun ne gjum

Deg e gjeth nuk levizte

Vec nje zog ja therriste

Kendim te bukur fort

Pri mallgjimit mu cuen lot

Zog i shkrete tue kenduar

Un ma teper tue mejtuar

Mendja vot e fluturoj

Posi shkendia me vrap shkoj

Ke memdheu ke Shqiperija

Ku ka vendin trimeria

Thash Zot o Zot i gjthsijs

Fal lirin edhe Shqiprijs

S’te vjen keq o Perendi

Se ka xhem e bijra e bi..”

Si rilindës i denjë, në shkrimet e tij, Voka është përpjekur t’u ndriçojë mendjen bashkatdhetarëve që të shohin djathtas e majtas nga fqinjët, që me dëshirë të madhe po punojnë me vrap e me dëshirë të madh për përparim e gëzim të popullit, duke i përmendur grekët e bullgarët e shumë të tjerë, që janë “bashkue me dashuri ndaj njeni tjetrit”. “Po përpiqen si t’ja bëjnë ta kthejnë dijen për nevojat e njeni tjetrit, të ndigjojnë mendimtarët e dijetarët, që u kane pri përpara në rrugën e përparimit e të fitimit, duke u bë ndihmues të fortit e të pasurit ndaj te varfërve, duke ndihmue vllazninë e forcojnë edhe farën (popullin e vet) e nderojnë, me punë e dituni, gazmojnë të gjithë njerëzit-botës njerëzinë i tregojnë”, shkruante Hoxha në “Mësim”. Më tej vazhdon: “Të gjithë jemi fara shqiptare në këtë vend ma të fortë e ma të par, ma të mençëm e ma të venijçim e me huje të mira… sot mo Zot ma keq me pa këndim e pa mësim, e kemi mbetë pranë të tanëve me mbrapa. Nuk po duen me na njoftë e me na dijtë as farat që kemi mbrenda as Evropa. Kësaj asgjë nuk mund t’i themi mbasi na ka lanë ditunija… Nuk asht tue na ba dobi fuqia e trimnia, një njeri mësim, këndim e fitim të mos ketë, s’ka si e sjellë në dorë as ket jetë, as atë jetë… A s’po na shohin sytë që të tan bota hijnë në kadife e në kumash, e na nuk jemi tue vu në shtat brekë e këmishë… kena me mbetë rob në dorë të botve qera kot.

Turp i madh si për ne, trima burra, bujarë të mbesim sot ma të poshtër se farat (popujt) tjerë. Akuzon qeverinë “Krerët e Shqipërisë”… E fikët vehten dhe i koritët varret e emrat e prindërve tanë. Për të gjitha këto të zeza, si vëllavrasjen, djallëzinë, armiqësinë, etj., prishjen e vetive të mira të popullit shqiptar, akuzon sidomos Qeverinë e Sulltan Abdyl Hamitit, kur çdo fjalë për mëmëdhenë trajtohej si tradhti kundër qeverisë. Hoxhë Voka flet edhe për reprezaljet e mëdha e të egra që bëhen ndaj njerëzve që mendonin për Atdheun, për popullin, duke i shuar me familje e oxhaqe, pa asnjë mbështetje, vetëm në dore të Zotit.

Rexhep Voka, personalitet i shquar i popullit shqiptar, i cili u përpoq për zhvillimin e përparimin e vendit, për edukimin e brezit të ri me moral të shëndoshë, edukatë fetare, dashuri dhe vendosmëri për interesat e popullit shqiptar e të Atdheut, është nderuar nga Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, me dekret nr. 435, datë 26.1.1993 me Urdhrin për veprimtari Patriotike të Klasit të Parë me motivacion:

“Udhëheqës, propagandues e luftëtar për mbrojtjen e trojeve nga pushtuesit e ripushtuesit, duke qenë shembull për pasuesit në luftën për pavarësi e çlirim”.

Zani Nalte

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit