Dr. Shefqet Krasniqi
Uroj që dallimet që kemi në mendime dhe pikëpamje të mos çojnë drejtë ndarjeve dhe përçarjeve të cilat edhe ashtu janë të tepërta dhe e kanë lënë këtë rajon të ngecë deri në këtë shkallë.
Islami ka meritat më të mëdha për bashkimin dhe afrimin e njerëzve. Feja që ka arritur t’i vëllazërojë njerëzit duke shkrirë absolutisht çdo dallim në mes tyre. Lehtë mund të vërehet se si një musliman nga një pjesë e botës ndihet i afërt dhe vëlla/motër me një tjetër në pjesës krejtësisht tjetër të botës. Është mirësi e madhe, siç e përshkruan Allahu i madhëruar në Kuran (3:103). Në të vërtetë, në Kuran, Islami është klasifikuar si mirësi, i cili gjithmonë thërret drejtë bashkimit e unitetit. Pra, nuk është diçka që i ka kaluar koha po i ka skaduar afati dhe nuk na duhet më. Funksioni i Islamit për të bashkuar njerëzit është dhe do të jetë për aq sa të ekzistojë kjo botë. Islami shuan armiqësitë dhe në vend të tyre sjell miqësinë e afërsinë. Ai thërret njeriun të jetë pozitiv dhe të shikoj të bardhën-përparësitë tek personi tjetër, jo të zezën-të metat, ngase nuk ka njeri pa ndonjë “të zezë”apo pa të metë. Por përderisa tek një person ka shumë gjëra të bardha, atëherë shikoja ato dhe në bazë të tyre vlerësoje dhe çmoje atë. Bile edhe nëse e sheh të zezën tek tjetri duhet fshehur. Islami i kujton njerëzimit se gjërat që i kanë të përbashkëta dhe që mund t’i afrojnë ndërmjet vete janë të shumta. Këto, në kontekst të muslimanëve si shoqëri, janë edhe më të shumta. Ata tashmë janë në rrethin e vëllazërisë dhe e tëra që duhet të bëjnë është vetëm ta kultivojnë atë vëllazëri. Pikërisht, duke u nisur nga ky parim, do të doja të sqarojë me disa fjalë disa mospajtime në mes nesh, të cilat janë të vogla, me mundësi të madhe të pajtimit, e të cilat mediat po i stërmadhojnë apo i paraqesin si të mëdha. Më mjafton Allahu si dëshmitar se nuk kam synim tjetër vetëm se të mirën ndërmjet muslimanëve por edhe të gjithë njerëzve.
Ne, muslimanët, kemi një institucion zyrtar të cilin duhet respektuar, edhe nëse mund të mos pajtojmë me mënyrën e udhëheqjes së tij. Këtë duhet ta bëjmë, para së gjithash, për hir të unitetit. Ndaj, pa më të voglin dyshim gabimet janë të mundshme sepse vet njerëzit janë me gabim dhe jo të përkryer, dhe aty ku nuk ka gabime e pësime, nuk ka as mësime e përmirësime. Nuk mendoj asnjëherë se mënyra e përmirësimit të gabimeve është cekja e të metave, por etika dhe morali i lartë, puna e palodhshme dhe dëshmimi për sinqeritet dhe përkushtim ndaj institucionit janë metodat që mund të çojnë drejtë përmirësimit. Mundësia që të gjithë udhëheqësit apo njerëzit të jenë njësoj është 0. Kështu i ka krijuar Zoti. Nuk ka mundësi që të gjithë ata që na përfaqësojnë të jenë më të mirët, më meritorët, por me rëndësi është t’i qëndrojnë besnikë parimeve të institucionit, t’i shërbejnë idealeve të tij si dhe bashkimit dhe unitetit të xhematit/masës në këtë rast. Anashkalimi i kësaj etike dhe i këtyre qëllimeve ka bërë që edhe në mesin tonë të merret kombi pretekst për të justifikuar politikat tona. Ose thënë më mirë, të bëhen dredhi në emër të kombit. Unë jam kundër atyre që kibël të shqiptarëve e shohin Tiranën, Sarajevën apo Stambollin. Ne kemi vetëm një kibël, Qabenë e bekuar. Atje është shpallur Kurani dhe atje është burimi i fesë. Me këtë nuk dua të nënvlerësoj lidhjet që kemi me Tiranën, edhe në kuptim të fesë, e edhe të gjakut, apo me Stambollin në kuptim të fesë dhe kulturës, por dua të them dhe apeloj që debatet tona të mos marrin trajtë të debateve politike, ku njëra palë synon rrëzimin e tjetrës me çdo kusht. Bindshëm besoj se prijësve të fesë, hoxhallarëve, më së paku u përket të shesin patriotizëm të gabuar dhe në emër të nacionalizmit të japin ide të shtrembëruara dhe të gabueshme fetarisht sikur që është rasti me fjalën kibël. As Tirana, as Sarajeva e as Stambolli as nuk kanë qenë e as që mund të bëhen ndonjëherë kibël për muslimanët. Ngase, thjeshtë, kibël nuk e ka kuptimin gjuhësor drejtim por brenda vetës ngërthen kuptimin shpirtëror dhe ndjenjat që karakterizojnë shpirtin e besimtarëve kur drejtohen për të kryer aktin më të lartë të adhurimit, pra namazin. Ndaj apeloj që të kihet kujdes i veçantë dhe të mos keqpërdoret kibla për qëllime politike apo deklarata nacionaliste për të cilat nuk kemi nevojë.
Me që ky debat, fare i panevojshëm, u hap për shkak të pjesëmarrjes së Myftiut Tërnava në inaugurimin e Myftiut të Bashkësisë Islame në Serbi, dr. Mevludin Dudiq, unë shfrytëzoj rastin dhe bëj thirrje për krijim të një unioni ballkanas të bashkësive islame, i cili do të luante rolin e një organi unifikues mes muslimanëve të këtyre trojeve ish-komuniste dhe i cili do të përshtatej me kërkesat e kohës. Uroj që dallimet që kemi në mendime dhe pikëpamje të mos çojnë drejtë ndarjeve dhe përçarjeve të cilat edhe ashtu janë të tepërta dhe e kanë lënë këtë rajon të ngecë deri në këtë shkallë. Imagjinojeni çfarë urrejtjesh nacionale e regjionale kemi edhe pse të gjithë jetojmë në këtë rajon me shekuj, a thua vallë një përçarje fetare kujt do t’i shërbente përveç dashakeqeve dhe dorës ogurzezë të rajonit dhe me gjerë.
Dhashtë Zoti që muslimanët të vetëdijesohen njëherë e përgjithmonë se marrëveshjet, bisedimet dhe mirëkuptimet janë më të vlefshme, më të dobishme dhe më frytdhënëse se gjithçka tjetër në këtë jetë. A nuk ka thënë Zoti se ‘ishit në skaj të humnerës e ne ju shpëtuam nga aty duke ju bërë vëllezër{. Le të jetë afrimi, bashkimi dhe bashkëpunimi ynë frymë për tejkalimin e çdo krize e mosmarrëveshjeje. Amin, dhe deri në temën e radhës eselamu alejkum./krenaria/kohaislameKy artikull është marrë nga https://kohaislame.com.