2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

HOXHË REXHEP VOKA – Personaliteti i shquar shqipëtar

Më të lexuarat

HOXHË REXHEP VOKA

Personaliteti i shquar shqipëtar

Personaliteti i shquar Rexhep Voka lindi në fshatin Shipkovicë të Tetovës më 1847. Arsimin fillor e mori te hoxha i fshatit, ne Shipkovicë, dhe atë të mesëm fetar në qytetin e Tetovës, kurse arsimin e larte fetar e kreu në Stamboll, ku mori ixhazetin (diplomën) e myderizit. i vlerësuar për rezultatet e tij të shkëlqyera u emërua pedagog pranë fakultetit, ku kishte bërë edhe studimet.
Më 1895 u kthye në vendlindje ku fitoi një reputacion të madh. Më 1903 emërohet myfti i vilajetit të Manastirit, i cili atë kohë përfshinte rreth 2 mijë fshatra shqiptarë. Si shumë patriotë të tjerë, edhe Rexhep Voka në fillim mbajti anën e turqve të rinj. U aktivizua në tubimin e Bukureshtit të vitit 1906, përkrah Ismail Qemalit, në atë të Ferizajt të vitit 1907, si edhe në Kongresin e Dibrës.
Në një artikull në “Shqypoja e Shqyperisë”të vitit 1910 shpreh gabimin e vet për çështjen e alfabetit. Çështjen e alfabetit Rexhep Voka e pa në dritën e politikës xhonturke. Ai e konceptoi atë si diçka të lidhur me fenë. Punoi që gjuha shqipe të shkruhej me alfabet arab të përshtatur me fonetikën shqipe. Sipas Hasan Kaleshit, në muajin mars të vitit1910, tetovari Rexhep Xhudi, i biri i Nuredin Vokës, i paraqiti parisë së Janinës një trajtesë, ku rekomandon alfabetin arab për shkrimin e gjuhës shqipe. Në vijim të këtij qendrimi, Rexhep Voka, pasi përpiloi alfabetin shqip me shkronja arabe, hartoi dhe abetaren po me këto shkronja, të cilën e titulloi “Abbeja skip”. Abetarja u botua në Stamboll, më 1910, dhe kishte 20 faqe. Më 1911 ai botoi edhe “Gramatikën elementare shqipe”, si edhe një tekst mësimor fetar “Ilmihali i hollësishëm shqip”, ku trajtohen parimet fetare islame.Për të kuptuar personalitetin e Rexhep Vokës dhe qendrimin e tij, duhet vlerësuar përmbajtja e veprës së tij “Mendime”, botuar në Stamboll më 1910. Vepra u shkrua në të folmen e Tetovës. Me interes këtu paraqiten pjesët “Disa fjalë vëllezërve shqiptarë”, “Din e dije”(vjershë), “Mësime” etj. Në këtë vepër Rexhep Voka mbron pikëpamjen që “Shkollat t’i hapim dhe në mos paçim mundësi të ndërtojmë ndërtesa të mëdha, në kolibe me kashtë t’i tubojmë fëmijët vetëm që të mësojnë”, “Ne shqiptarët është turp të mbesim më poshtë se popujt e tjerë”. Të tilla qendrime janë të shumta në këtë botim. Në faqet e shtypit shqiptar të Kosovës, si edhe të atij të Maqedonisë, rrallë është diskutuar ndonjë figurë sa ajo e R.N.Vokës. Veprimtarisë së tij për arsimin shqip islam, si dhe veprimtarisë së tij atdhetare, i kushtohet një kapitull i veçantë në librin voluminoz “Mësuesit për kombin shqiptar”. Rexhep Voka ishte i lidhur shumë me fenë dhe njëkohësisht ishte një atdhetar i madh. Ai lëshoi kushtrimin që “të bashkohemi për t’i dhënë kombit dije, edukim e arsim”. Ai nuk ishte dogmatik në qendrimin e tij dhe qe në gjendje që qendrimet e tij t’i shikonte me sy objektiv. Pikërisht ky qendrim i tij objektiv e bëri të heqë dorë nga pikëpamja e parë. Ai preferoi të privohet nga çdo privilegj i ofruar, të jetojë duke shitur lule nepër sokaket e Stambollit dhe të vdesë i varfër për të mbetur besnik i idealeve kombëtare dhe i atyre fetare, të cilave u kishte shërbyer. E parë me syrin kritik, vepra e Rexhep Vokes ka pasur një ndikim pozitiv në përhapjen e diturisë për arsimin në gjuhën amtare, për kulturë islame, si dhe për shkrim-leximin në gjuhen shqipe, larg ndikimit të shkollave sllave.Rexhep N. Voka vdiq në vitin 1917 (?) në varfëri të thellë në Stamboll.Në Shipkovicë është ngritur një përmendore në nderim të tij. Janë organizuar veprimtari, në mes të cilave një simpozium, ku kanë mbajtur kumtesat e tyre personalitete të shquara të kulturës e të fesë në ato treva shqiptare. Ato hedhin dritë mbi vlerat gjuhësore të veprës së R.Vokës, mbi pikëpamjet pedagogjike, mbi pikëpamjet filozofike e sociale, etj. Vepra e Vokës është lënë në hije nga paragjykime indoktrinuese sllavokomuniste.
Rexhep Voka ka botuar shumë artikuj gjatë kohës së qendrimit të tij në Stamboll, por që nuk janë studiuar

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit