Në vëmendjen e hoxhallarëve dhe vëllezërve të nderuar,
Me shqetësim të thellë, vërejmë një mungesë të theksuar të vetëdijes politike në mesin e komunitetit tonë. Kjo, siç duket, buron nga keqkuptimi i çështjes së tekfirit ndaj atyre që votojnë, duke i shtyrë disa nga vëllezërit tanë drejt bojkotimit të zgjedhjeve, në një përpjekje për të shfaqur devotshmëri. Mirëpo, kjo devotshmëri, për fat të keq, është e thatë dhe pa fryt, pasi nëse mbron besimin tënd personal duke shkatërruar tërësisht hapësirën e davetit, atëherë çfarë dobie ka?
Kjo mungesë e vetëdijes politike shkakton pasivitet politik, duke na penguar të ndërtojmë një kulturë të shëndoshë politike. Si pasojë, muslimanët mbeten në mëshirë të forcave politike kundërshtare e jo rrallë edhe armiqësore, një gjë absurde dhe e papranueshme për qytetarët që jetojnë në shoqëritë tona dhe nuk bëjnë asgjë për ta ndryshuar këtë realitet.
Nëse votimi, si një veprim aktiv, nuk po sjell ndryshime, atëherë si mund të presim që mosvotimi, si një veprim pasiv, të ndikojë pozitivisht?
Hoxhallarët kanë një rol të rëndësishëm në edukimin e xhematit mbi këto tema, por shpeshherë, nuk janë mjaftueshëm të zëshëm, duke rezultuar që një numër i xhematit të mbajë qëndrime bojkotuese në çdo cikël zgjedhor.
Shumë hoxhallarë hezitojnë të marrin rolin e prijësit të shoqërisë, duke u mjaftuar me imamllëkun në xhami apo në një strukturë të vogël të xhematit që ndan të njëjtin mendim. Kjo gjendje, nëse vazhdon, do të ketë dy pasoja negative:
- Largimin e xhematit aktiv nga këta hoxhallarë.
- Kufizimin e ndikimit të fesë vetëm në xhami dhe në mesin e një grupi të vogël të udhëzuarish.
Prandaj, është koha të ngremë alarmin dhe të insistojmë në përmirësimin e kësaj gjendjeje.
Me shpresën se Allahu do të na udhëzojë të gjithëve në rrugën e drejtë!