1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Hoxhaj: Serbia synon spastrimin e Luginës

Më të lexuarat

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë dhënë revistës mujore “Shenja”, ka thënë se thelbi i konflikteve në Ballkan ka qenë ideja serbe për të qenë hegjemoniste ndaj rajonit.

“Është koha e fundit që Serbia mos të definojë interesin nacional të saj në kuptimin territorial, por në kuptimin e integrimit politik evropian dhe zhvillimin ekonomik”, ka thënë Hoxhaj.

Duke i komentuar zhvillimet e fundit në tri komunat e veriut të Kosovës, Hoxhaj ka thënë se rreziku i ndarjes së Kosovës ka përfunduar me 25 korrik, me intervenimin e policisë së Kosovës në veri. Ai ka shtuar se çdo përpjeke për të ndryshuar kufijtë, do të vente në pikëpyetje gjithë arkitekturën e sigurisë në rajon.

Hoxhaj ka komentuar edhe zhvillimet politike dhe situatën e sigurisë në rajon. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit nëse situata në veri të Kosovës ndërlidhet me atë në Luginën e Preshevës, ministri ka theksuar se ka një ndërlidhje mes tyre, nëse kuptohet natyra e politikës së Beogradit ndaj komunave në Luginë të Preshevës dhe komunave në veri të Kosovës.

“Së pari, në tri komunat e veriut të Kosovës, strukturat ilegale, grupet kriminale, grupet paramilitare të sigurisë serbe janë mbetja e fundit e regjimit të Miloseviqit. Ju e dini që struktura të tilla ka pasur edhe gjatë viteve të 90-ta në Kroaci dhe në Bosnjë. Nga ana tjetër, në Luginën e Preshevës, format e ndryshme të diskriminimit politik, ekonomik, social dhe kulturor janë një vazhdimësi e politikës së Milosheviqit ndaj shqiptarëve. Kjo politikë e krijimit të frikës dhe të pasigurisë ka për qëllim përfundimtar shpërnguljen sistematike të shqiptarëve nga ajo zonë historikisht shqiptare”, ka shtuar Hoxhaj.

Ai ka thekuar se stabilizimi apo destabilizimi i kësaj pjese varet nga vet institucionet në Beograd.

“Serbia si vend aspirant për anëtarësim në Bashkimin Evropian bën shkelje masive në formën më anti-evropiane të të drejtave të shqiptarëve atje. Gjatë muajit mars, kur Këshilli Evropian në Bruksel do të duhej të vendoste për dhënien apo mosdhënien e statusit të kandidatit Serbisë, papritmas doli në sipërfaqe pozita diskriminuese e komunitetit vllah që u ngrit nga Rumania. Po ashtu, trajtimi i hungarezëve apo edhe i myslimanëve në Sanxhak, që janë komunitete tradicionale në Serbi, është temë e diplomacisë evropiane. Prandaj, sikurse Serbia që interesohet për pakicat serbe jashtë territorit të shtetit serb, po ashtu është e obliguar të respektojë të drejtat e grupeve të tjera etnike brenda saj”, ka paralajmëruar Hoxhaj.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit