3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Hoxhaj për mediet bullgare: Serbia nuk po ndryshon

Më të lexuarat

Ministri i Punëve të Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për agjencinë e lajmeve bullgare “Focus”, ka theksuar se deklaratat e fundit të presidentit të sapozgjedhur të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, japin shenja shumë negative për Kosovën dhe Ballkanin.

“Unë mendoj se politika e mosnjohjes së Serbisë ndaj Kosovës dhe mostrajtimi i Kosovës si një shtet fqinj dhe partner i barabartë e kthen Serbinë në ideologjinë e njëjtë që prodhoi luftëra dhe spastrim etnik në Kosovë në 1999, ku më shumë se një milion njerëz u dëbuan, mbi 12,000 u vranë, shumica e të cilëve ishin gra dhe fëmijë. Prandaj, politika e mosnjohjes së Serbisë ndaj Kosovës dhe qëllimi i pengimit të konsolidimit ndërkombëtarë të shtetësisë dhe anëtarësimi në OKB është e njëjtë me ideologjinë për Serbinë e madhe, karakteristikë e viteve të nëntëdhjeta dhe e politikave të spastrimit etnik. Kjo demonstron një mungesë të respektit për dinjitetin e viktimave dhe atyre që shpëtuan gjatë luftërave të fundit në Jugosllavi si dhe një mungesë të përkushtimit drejtë paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, ka theksuar Hoxhaj.

Në pyetjen nëse ndarja e Kosovës edhe më tutje përbën një rrezik, ministri Hoxhaj ka theksuar se kufijtë në Ballkan janë vendosur dhe askush nuk mund t’i ndryshojë ata.

Sipas tij, ideja e ndarjes, e promovuar nga disa politikanë në Beograd, të cilët nuk përkrahen nga bashkësia ndërkombëtare dhe elitat politike në Ballkan, janë shumë të rrezikshme, ngase ajo mund të hap kutinë e Pandorës, të jo stabilitetit, të pasigurisë dhe dhunës.

“I gjithë rajoni mund të kthehet në situatën që kemi pas në vitet e 90-ta. Asnjë shtet në Ballkan nuk është shtet homogjen dhe ndarja e Kosovës mund të ketë efekte domino në shumë shtete tjera të rajonit”, ka paralajmëruar Hoxhaj, duke shtuar se Kosova ka ndërruar politikën e konfrontimit me atë të pajtimit dhe bashkëpunimit.

Duke folur për procesin e integrimeve evropiane të Kosovës, kryediplomati Hoxhaj ka thënë së edhe me histori, edhe me gjeografi dhe me kulturë, Kosova është shtet evropian.

Sipas tij, qëllimi kryesor i Kosovës është integrimi në strukturat euroatlantike. Ai ka shtuar se me shumë përkushtim, optimizëm dhe vetëbesim, Qeveria është duke punuar fortë për të arritur këtë objektiv.

“Por, implementimin e reformave në frymën dhe standardet evropiane nuk e bëjmë vetëm për shkak të integrimeve evropiane, por për shkak vullnetit tonë të fortë për të ndërtuar një shtet modern dhe funksional”, ka thënë Hoxhaj./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit