0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Homoseksualë! Fëmijët tuaj po lëndohen

Më të lexuarat

Komuniteti homoseksual, jam vajza juaj. Mamaja ime më rriti me partneren e saj të të njëjtës gjini në vitet 80-90. Ajo qe martuar me tim atë për pak kohë. E dinte se ishte gay përpara se të martoheshin, por atëherë gjërat ishin ndryshe. Ja pra si erdha këtu. Siç mund ta imagjinoni ishte çështje e ndërlikuar. Ajo u nda prej tij kur isha dy ose tre vjeçe, sepse dëshironte një mundësi për të qenë e lumtur me dikë që vërtet e dashuronte: një grua.
 
Babai im nuk qe një një djalë kushediseçfarë dhe pasi ajo u largua prej tij, nuk e vrau mendjen të kujtohej më për ne.
 
A ju kujtohet ai libri “Heather Ka Dy Mama”? Është jeta ime. Mamaja ime, partnerja e saj dhe unë jetonim në një shtëpi të vogël komode në periferi të një zone shumë liberale dhe mendjehapur. Partnerja e saj më trajtonte mua si të më kishte bijë. Bashkë me partneren e mamasë sime, unë trashëgova edhe komunitetin e saj të ngushtë të miqve gay dhe lezbike. Apo më trashëguan ata mua?
 
Ciladoqoftë e vërteta, unë akoma ndjej se homoseksualët janë njerëzit e mi. Kam mësuar kaq shumë nga ju. Ju më mësuat të isha e guximshme, veçanërisht kur është e vështirë. Më mësuat empatinë. Më mësuat të dëgjoj. Të vallëzoj. Më mësuat të mos kem frikë nga gjërat që janë ndryshe. Dhe më mësuat si të ngrihem për veten time, edhe nëse duhej ta bëja këtë gjë vetëm.
 
Po ju shkruaj sepse unë po dal nga ky sënduk. Unë nuk e mbështes martesën homoseksuale. Por, nuk do të thotë se këtë e bëj për arsyen që mendoni ju.
 
Fëmijët kanë nevojë për nënë dhe për babë
Nuk është për shkak se ju jeni homoseksualë. Unë ju dua, kaq shumë. Është për shkak të natyrës së vetë marrëdhënies brenda të njëjtës gjini.
 
Kur isha ende e parritur, madje edhe në të njëzetat e mia, ju mbështesja dhe e mbroja martesën homoseksuale. M’u desh pak kohë dhe distancë prej fëmijërisë që të isha në gjendje të reflektoja rreth përvojave të mia dhe të pranoja pasojat afatgjata që pati mbi mua prindërimi i të njëjtës gjini. Vetëm tani, ndërsa shoh fëmijët e mi të duan dhe të duhen nga babai i tyre çdo ditë, kam mundur të shoh bukurinë dhe urtësinë e prindërimit dhe martesës tradicionale.
 
Martesa dhe prindërimi brenda të njëjtës gjini ia mohon fëmijës nënën apo babain, duke i thënë atij/asaj se kjo s’ka rëndësi. Eshtë njësoj. Por, nuk është në fakt. Shumë prej nesh, shumë prej fëmijëve tuaj, po lëndohen. Mungesa e babait tim krijoi brenda meje një zbrazëti të madhe dhe çdo ditë që kaloi ndjeva dhimbjen për babin. E doja partneren e mamasë sime, por një mama tjetër nuk mund të ma zëvendësonte kurrë babain që humba.
 
U rrita e rrethuar nga gra, të cilat thonin se nuk u duhej një burrë, ose nuk e donin atë. Por, si një vajzë e vogël, unë e dëshiroja një babi gjer në dëshpërim. Është diçka shumë e çuditshme dhe trullosëse të jetosh me këtë dhimbje të pashuar për një baba, për një burrë, në një komunitet që thotë se burrat janë të panevojshëm. Kishte kohë kur ndjehesha kaq e zemëruar me babin tim që nuk ishte me mua dhe kohë të tjera që zemërohesha me veten që doja të kisha një baba. Këto janë pjesë të miat që ende më brengosin për atë humbje.
 
Nuk po them se ju nuk mund të jeni prindër të mirë. Ju mundeni. Unë e pata një prind nga më të mirët. Nuk po them as se të rritesh nga prindër heteroseksualë, çdo gjë do të shkonte vaj. Ne e dimë se ka shumë mënyra të ndryshme që të shpërbëhet një familje dhe t’u shkaktojë fëmijëve vuajtje: divorci, braktisja, pabesia, abuzimi, vdekja, etj. Por, përgjithësisht, struktura familjare më e mirë dhe më e suksesshme është ajo në të cilën fëmijët rriten si nga nëna, ashtu edhe nga baba.
 
Pse fëmijët e homoseksualëve nuk mund të jenë të ndershëm?
Martesat homoseksuale nuk ripërkufizojnë vetëm martesën, por edhe prindërimin. Ato promovojnë dhe bëjnë normale një strukturë familjeje që pashmangshmërisht na privon ne nga një gjë e çmuar dhe themelore. Ato na privojnë nga diçka që kemi nevojë dhe na mungon, ndërsa nga ana tjetër na thonë se neve nuk na nevojitet ajo që dëshirojmë natyrshmërisht. Që nuk do të kemi ndonjë problem. Por, probleme kemi. Po lëndohemi.
 
Fëmijëve të prindërve të divorcuar u lejohet të thonë, “mami, babi, unë ju dua, por divorci më ka troshitur dhe kjo ka qenë shumë e vështirë për mua. Ma ka thyer besimin dhe më ka bërë të ndjehem në faj. Është shumë e vështirë të jetosh në dy shtëpi të ndryshme.” Fëmijëve të adoptuar u lejohet të thonë, “prindër që më keni birësuar, ju dua. Por kjo gjë është shumë e vështirë për mua. Vuaj sepse marrëdhënia ime me prindërit origjinalë u këput. Jam shumë i turbullt dhe ndjej mall për ta edhe pse nuk arrita t’i takoj kurrë.”
 
Por, fëmijëve të prindërve të të njëjtës gjini nuk u është dhënë i njëjti zë. Jo vetëm mua. Ka kaq shumë si unë. Shumë prej nesh kanë shumë frikë të hapin gojën dhe t’ju tregojnë lëndimin dhe dhimbjen, sepse për çfarëdo arsyeje duket sikur ju nuk dëgjoni. Sepse ju nuk doni të dëgjoni. Nëse themi se po lëndohemi sepse u rritëm nga prindër të të njëjtës gjini, ose do të injorohemi, ose do të etiketohemi si urrejtës.
 
Kjo nuk është fare çështje urrejtjeje. E di se ju e kuptoni dhimbjen e një etikete që nuk qëndron dhe dhimbjen e një etikete që përdoret për të të dëmtuar ose për të të mbyllur gojën. Madje, e di se vërtet ju kanë urryer dhe vërtet jeni lënduar. Më kujtohen marshimet që mbanin tabela që thonin “Zoti i urren pederastët” dhe “SIDA shëron homoseksualitetin”. Qaja dhe skuqesha gjithë zemërim bashkë me ju. Por nuk jam unë e atillë. Ne s’jemi të atillë.
 
E di se kjo është një bisedë e vështirë. Megjithatë, ne kemi nevojë të bisedojmë për këtë gjë. Nëse ka njeri që duhet të flasë për tema të vështira, jemi ne. Ju ma mësuat këtë.
 
Heather Barwick u rrit nga nëna e saj dhe partnerja e saj e të njëjtës gjini. Ajo është një ish-avokate e martesës homoseksuale, që u bë më vonë aktiviste e të drejtave të fëmijëve. Është bashkëshorte dhe nënë e katër fëmijëve të rrëmujshëm.
 
Burimi: The Federalist
 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit