10.4 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Hixhreti, fillimi i një epoke të artë!

Më të lexuarat

Hixhreti në esencë ishte shpërngulje nga dobësia në fuqi dhe nga pesimizmi në shpresë për një të ardhme më të lumtur e më të ndritshme të Islamit. Emigranti më i madh është ai që largohet prej mëkateve dhe që i fshin prej zemre të gjitha dashuritë përveç dashurisë për Allahun.

Në Mekën e atyre kohëve, paria kurejshe, që kishte mbushur zemrën me dëshirat për pasuri, fëmijë, gra dhe pije e që s’mund të gjente vend për dashurinë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. I dërguari i Allahut pati dalë jashtë Mekës e pati shkuar në Taif. Por edhe populli i Taifit qe sjellë si vëllezërit e tij të Mekës duke e vënë Profetin (a.s.) nën shiun e gurëve. Për këtë shkak, myslimanët mekas, duke iu përgjigjur ftesës së myslimanëve medinas si dhe me lejen e Profetit (a.s.), nisën të emigronin fshehtas drejt Medines për të gjetur shpëtim, prehje e qetësi, ku lirisht mund të shprehnin ndjenjat e tyre fetare. Myslimanët që emigruan nga Meka për në Medine, u quajtën muhaxhirë (emigrantë), kurse myslimanët medinas, që i pritën këta si vëllezër dhe miq, i respektuan dhe i ndihmuan, u quajtën ensarë (ndihmëtarë). Kur’ani i përmend dhjetëra herë këto dy grupe që zënë një vend të rëndësishëm në faqet e historisë islame.

Profeti Muhamed (a.s.) së bashku me shokun e tij të ngushtë Ebu Bekrin, emigruan të fundit. Medina qe ngritur në festë në pritje të Profetit të mëshirës. Kjo ngjarje e madhe me rëndësi në historinë islame njihet me emrin Hixhret – migrim dhe ky vit hënor quhet viti i ri hixhri. Nisur nga rëndësia dhe roli i tij, myslimanët e kanë përcaktuar hixhretin si fillimin e kalendarit të tyre. Të gjitha ngjarjet historike më pas në fenë Islame u renditën në bazë të kësaj pikënisjeje. Me hixhretin mbyllet periudha afro 13-vjeçare e Mekës, e mbushur me ngjarje të dhimbshme dhe nis periudha e Medinës, që do ta kthente Islamin në një rend politik, shoqëror dhe ekonomik e do t’i jepte Islamit shtetin e parë në historinë e tij.

Rëndësia dhe roli i hixhretit

Hixhreti i Profetit Muhamed (a.s.) dhe i myslimanëve nuk ishte ikje nga frika për jetën e tyre, por një sakrificë e madhe realizuar vetëm për hir të Allahut dhe në shërbim të besimit. Ata lanë pas pjesëtarë të familjes jobesimtarë, shtëpi, kopshte, mall, pasuri e tregti. Pa dyshim, emigrimi i myslimanëve nuk është as i pari dhe as i fundit emigrim në historinë e popujve. Emigrime janë bërë edhe para, edhe pas tij. Por duhet theksuar që, ato emigrime janë bërë për shkaqe materiale, fatkeqësisht natyrore, raste lufte, paniku etj. Ndërsa hixhreti në esencë ishte shpërngulje nga dobësia në fuqi dhe nga pesimizmi në shpresë për një të ardhme më të lumtur e më të ndritshme të Islamit. Për këtë arsye Allahu i madhëruar ia lejoi hixhretin të Dërguarit të Tij.

Emigrimi historik që bënë myslimanët nga Meka në Medinë ka rëndësi në disa aspekte. Pas hixhretit, Islami u përhap më me shpejtësi. Më në fund, myslimanët, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, ranë në qetësi dhe jetuan në siguri. Nëpërmjet hixhretit Pejgamberi (a.s.) ngriti shtetin islam, shtetin e drejtësisë dhe mirësisë, shtetin e dijes dhe besimit, shtetin e virtytit dhe moralit, shtetin e së drejtës dhe devotshmërisë. Jo vetëm kaq, por thirrja e re e Profetit (a.s.) mbas hixhretit, solli njeriun e ri, njeriun e nderuar e të lirë.

Hixhreti ose largimi nga mëkatet

Ç’është e vërteta, në kuptimin e vet specifik, hixhreti ka marrë fund, sepse i dërguari i Allahut thotë: “Pas triumfit të Mekës nuk ka më hixhret!” (Buhariu). Por në kuptim të përgjithshëm, hixhreti vazhdon dhe do të vazhdojë gjer në Kiamet. Çdo burrë i kauzës, çdo njeri që ka besuar, i cili lë vendin e vet, nënën, babanë, të dashurit e miqtë dhe shkon vend më vend me synimin për t’u treguar të drejtën dhe të vërtetën zemrave nevojtare, ndodhet në kuadrin e dobishëm të një hixhreti, emigracioni të pambarim dhe pa asnjë diskutim që do ta marrë sevapin dhe të mirën e kësaj pune.

Do të ishte e dobishme që ta hapnim edhe këtë specifikë, që emigranti më i madh është ai që largohet prej mëkateve dhe që i fshin prej zemre të gjitha dashuritë përveç dashurisë për Allahun. Të ikësh nga mëkatet e të trokasësh në portën e Zotit e të mos largohesh nga ajo portë gjersa të vijë prej Tij fermani i faljes, është gjithashtu hixhret, emigrim. Një njeri, i cili, pasi të ketë braktisur mëkatet e kryera më parë, rikthimin te të njëjtat mëkate e quan më të dhimbshëm sesa hyrjen në zjarr, është vazhdimisht në rrugën e hixhretit, në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Njeriu që i sheh si një arë e minuar gurët e kufirit të gjërave të ndaluara që u themi “haram” dhe që nuk afrohet gjer atje, që u kushton kujdes dorës, këmbës, syrit, veshit, gojës dhe buzëve të veta, do të thotë se bën hixhret gjatë gjithë jetës. Edhe sikur të rrijë mes njerëzve, edhe sikur të tërhiqet në vetmi, emigrimi i shenjtë do t’i jetë bashkudhëtar besnik në thellësitë e botës së tij ndjesore.

Përkujtimi i hixhretit në fillimin e çdo viti, na bën më të ndërgjegjshëm dhe më të përgjegjshëm për rëndësinë e përpjekjes në rrugën e Allahut, në rrugën e thirrjes në Islam, në rrugën e paqes dhe tolerancës, dashurisë dhe respektit të thellë ndaj çdo njeriu. Besimtarët e ndershëm duhet ta jetojnë hixhretin, duke ruajtur me kujdesin më të madh mesazhin e tij, duke bërë hixhret të vazhdueshëm nga e keqja në të mirë, nga e shtrembra tek e vërteta, nga ngushtësia në zemërgjerësi, nga tradhtia në besnikëri, nga dyfytyrësia në sinqeritet dhe çiltërsi shpirtërore.

(Revista Drita Islame, Nëntor 2013)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit