3.5 C
Pristina
Monday, November 4, 2024

Hithrat dhe përdorimi i tyre

Më të lexuarat

Hithra është një bimë, që kohët e fundit ka zënë vend në majat e tregut të mjekësisë popullore. Me këtë bimë, në Anadoll, prej qindra vjetësh bëhet gjellë dhe supa si pihet si çaj. Hithra njihet edhe për ndihmën në funksionim sa më të mirë të veshkave dhe sëmundjeve të tjera reumatike. Populli hithrën e freskët e fërkon pas lëkurës, pasi beson se bën mirë për reumatizmin. Thuhet se flokët që lahen me ujin e zier të hithrës, janë më volumoze dhe të shkëlqyeshme si dhe është armik për zbokthin. Ideja se hithra kuron kancerin e mushkërive dhe prostatën, nuk është konfirmuar mjekësish. Përdorimi i tabletave të hithrës për të ulur shqetësimet e pacientëve vetëm me rritje të prostatës beninj (benign prostatic hyperplasia) është miratuar nga departamenti që merret me përzierjet bimore në Ministrinë e Shëndetësisë së Gjermanisë. Nëse do të dëgjonim specialistët e kësaj teme, substancat efektive që bëjnë pjesë në hithra mund të përdoren si bimë mbrojtëse ndaj kancerit por jo si mjet kurues. Thuhet se kurat e hithrës që bëhen 1 ose 2 herë në vit, kanë një efekt mbrojtës ndaj sëmundjeve dhe rrisin rezistencën e trupit. Nëse vendosni të bëni një kurë të tillë, do ishte e dobishme që të këshilloheni te mjeku ose një specialist i barnave popullore. Qëllimi themelor i kësaj, është që në vend që të gjendet një zgjidhje për sëmundjen, të pengojë vetë krijimin e sëmundjes.

Tek hithra ka një veçori që nuk gjendet në bimët e tjera; ajo është shumë e varur nga kushtet e ambientit. Ajo ndikohet aq shumë nga ekuilibri i mineraleve dhe kripërave, struktura e dheut, përqindja e lagështirës dhe rrezet e diellit, sa që madje edhe hithrat që disa metra larg janë ndryshe nga njëra tjetra përsa i përket brendësisë së tyre. Nëse do na duhej të jepnim një shembull, hithrat që rriten në buzë të murit dhe janë larg dritës në krahasim me ato që rriten nën rrezet e diellit, kanë një përbërje shumë të ndryshme nga njëra tjetra. Të dyja llojet kanë fuqi mjekësore, por për sëmundje të ndryshme.

Por ka edhe nga ato raste kur hithra mund të jetë e dëmshme për shëndetin. Për shkak të ndikimit mbi mitrën dhe disa substancave që përmban, gratë shtatzëne, gratë që janë në menopauzë, pacientët që marrin kimioterapi dhe ata që kanë nivel të ulët glukoze, duhet që qëndrojnë larg hithrës. Dihet gjithashtu se hithra rrit dhe ul efektin e disa lloje ilaçesh. Ashtu siç themi gjithmonë, kur barnat i përdorim me qëllim kurues, duhet ti drejtohemi patjetër një mjeku ose specialisti.

Hithra është një bimë me push djegës dhe hap lulet ndërmjet muajve maj dhe gusht. Ajo rritet në çdo vend të botës dhe ka aq shumë lloje sa hithrat në Evropë nuk u ngjajnë atyre në Azi, Amerikë apo Australi. Pavarësisht se në strukturën bazë janë të njëjta, përqindja e substancave që mbartin është shumë e ndryshme. Vetëm në Anadoll, ka hithra specifike të këtij rajoni. Hithrat që rriten në mënyrë natyrale në oborret e pasme të shtëpive të Safranbollusë, nuk mund ti gjeni në asnjë vend tjetër, pasi përbërja e dheut (tokës) të këtij vendi nuk është në asnjë vend tjetër. Shkaku pse hithra në turqisht quhet “IsIrgan” pra kafshues, vjen nga pushi mbi gjethe. Kur dikush e prek këtë bimë, koka e pushit thyhet dhe nga aty dalin substanca që djegin dhe krijojnë kruajtje në vendin ku është prekur, pra kjo bimë faktikisht nuk të kafshon por të bën tepër pishman që e prek.

Hithrat mund ti hasni buzë rrugëve, në rrëzë të mureve dhe kudo. Hithra përmban vitaminat A, B dhe C, hekur, magnez dhe kalcium. Në sajë të veçorive ushqyese dhe kuruese, edhe fermerët kuajve, kafshëve të qymezit dhe bagëtive, u japin hithra të thara. Ata mendojnë se në këtë mënyrë do të marrin më tepër produkt nga kafshët. Në përfitimin e hithrës përdoren rrënjët, kërcelli, gjethet dhe farat. Gjethet këputen nga kërcelli në muajt prill, qershor kur hapen lulet. Ato thahen në vende me hije dhe me ajër dhe pastaj copëtohen në pjesë të vogla. Rrënjët e hithrave shkulen në pranverë ose në vjeshtë, ato lahen dhe lihen të thahen në vend me hije. Rrënjët e thata më pas thërrmohen dhe konservohen nëpër kavanoz. Nëse hithrën nuk keni ku ta gjeni nëpër ambiente natyrale, atë mund ta blini të freskët nëpër tregjet e fruta-zarzavateve. Kurse farat e tyre mund ti blini nëpër dyqanet ku shiten erëza.

Hithra, sidomos në kuzhinën e Egjeut përdoret si sallatë. Nëse doni të bëni një sallatë të tillë, në fillim hithrën ziheni pak, pasta në një pjatë shtojini kos me hudhër dhe sipër hidhini vaj ulliri. Kjo është një sallatë e shijshme nga Egjeu. Ndërkaq në Anadoll, mund ta gatuani hithrën ashtu si spinaqin. Me të mund të bëhet edhe gjellë edhe byrek. Ata që e përdorin këtë lloj byreku thonë se krahas hithrës, po të përdorni edhe presh, byreku bëhet akoma edhe më i shijshëm.

Nëse hithrën dëshironi ta konsumoni si çaj, atëherë keni dy alternativa. Ju mund të konsumoni çaj rrënje ose çaj fare të hithrës. Kur përdorni çaj rrënjash; 1 lugë çaji me hithër të thërrmuar e zieni në zjarr të ulët në një xhezve me ujë të ftohtë, dhe pasi të jetë zier për 4-5 minuta e lini të bjerë për 5-10 minuta dhe e pini pasi ta keni kulluar. Ndërsa çajin e farave e përgatisni kështu: një lugë fara hithre shtypen pak dhe vlohen me ujë të nxehtë. Për 8-10 minuta mbulohet me kapak dhe lihet të bihen farat. Më pas çaji pihet pasi të jetë kulluar.

Kur blini shampo duhet të keni vënë re edhe shampot me përbërje hithre. Në sektorin e kozmetikës, hithra zë vend kryesisht në prodhimin e shampos. Edhe ju në shtëpi, mund të bëni vetë produkte të mirëmbajtjes së flokëve. Për këtë keni nevojë për 4-6 grusht me hithër të njomë ose të thatë. Gjethet e vëna në një tenxhere me 5 litra ujë, ngrohini në një zjarr të dobët, dhe kullojeni pasi të ketë ndenjur për 5 minuta. Nëse këtë proces doni ta bëni me rrënjë, atëherë dy grusht me rrënjë hithre, hidhini në ujë të ftohtë dhe pas 10-12 orësh ngrohini deri sa uji të jetë gati duke valuar. Pastaj prisni 10 minuta dhe kullojeni. Ky ujë i përgatitur me hithër, do ti bëjë flokët tuaj më të fortë, të shkëlqyeshëm dhe pa zbokth. Këtë ujë mund ta përdori gjithashtu kur ju dhembin këmbët duke i shpëlarë me të.

Në Anglinë e lashtë besohej se hithra rriste prodhimin e qumështit, për këtë arsye përdorej nga nënat me foshnje. Ndërsa amerikanët vendas, në pranverë, kur kishte pak perime, mblidhnin bimët e njoma të hithrës dhe i gatuani. Kurse në Evropën Veriore dhe jugore, ashtu si në të kaluarën, edhe sot, supa e hithrës është një ushqim i preferuar. Edhe në Nepal dhe Indinë e Veriut, hithra është një perime shumë e preferuar. Në ditët tona, në Angli zhvillohen gara me hithrën. Në këtë garë që ndiqet nga mijëra vetë, ai që ha më shumë hithra të njoma dhe të pa gatuara, brenda kohës së përcaktuar fiton garën. Por si vallë ka filluar një garë e tillë? Dy fermerë kishin nisur të grinden si pasojë e hithrave të shumta që kishin mbirë në tokën e tyre. Ndërkohë që mundoheshin të sheshonin tensionin, menduan të bëjnë një garë për ngrënien e kësaj bime dhe duke filluar që nga viti 1986 zhvillohet kjo garë zbavitëse. Për të ngrënë shumë hithra nuk keni nevojë të merrni pjesë në ndonjë garë. Mjafton të konsumoni aq sa nevojitet për shëndetin tuaj./trt/kohaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit