Macit Cetinkaya, kryetar i bordit të Fondacionit Kërkimor mbi Historinë e Shkencës në Islam, tha se Sezgin ndërroi jetë në spital ku ishte duke u trajtuar
ANKARA (AA) – Historiani i njohur turk, Fuat Sezgin, ka ndërruar jetë të shtunën në moshën 95-vjeçare, raporton Anadolu Agency (AA).
Macit Cetinkaya, kryetar i bordit të Fondacionit Kërkimor mbi Historinë e Shkencës në Islam, në deklaratën për AA tha se Sezgin ndërroi jetë në spital ku ishte duke u trajtuar.
“Jam shumë i pikëlluar nga vdekja e një shkencëtari të tillë të çmuar, pavarësisht nga mosha e tij. Ai ishte një shkencëtar shumë i shquar, ” tha Cetinkaya.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, gjithashtu publikoi një mesazh në llogarinë e tij Twitter, për vdekjen e historianit.
Sezgin lindi në provincën lindore të Turqisë, Bitlis në vitin 1924. Ai studioi në Fakultetin e Letërsisë së Universitetit të Stambollit, ku gjithashtu fitoi doktoratën e tij në gjuhën dhe letërsinë arabe.
Ai vazhdoi studimet në Universitetin e Frankfurtit në vitin 1960 pas një grusht shteti ushtarak në Turqi.
Historiani i ndjerë i kushtoi një kohë të konsiderueshme studimit dhe listimit të kontributeve shkencore të bëra nga dijetarët muslimanë/arabë gjatë gjithë historisë. Ai shkroi libra dhe artikuj të shumtë.
Prof. Dr. Fuat Sezgin, ka ofruar kontributin e tij për themelimin në vitin 2010 të Fondacionit Kërkimor mbi Historinë e Shkencës në Islam, për të mbështetur aktivitetet e Muzeut të Stambollit të Historisë së Shkencës dhe Teknologjisë në Islam.