2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Historia e profetit Lut a.s

Më të lexuarat

Ngjarjet e historisë së Lutit a.s, zhvillohen gjatë jetës së profetit Ibrahim a.s, i cili ishte xhaxhai i Lutit a.s. Babai i Lutit a.s quhej Haran dhe ishte vëlla i Ibrahimit a.s.  Kështu, Luti a.s është djali i vëllait të Ibrahimit a.s. Emri i profetit Lut a.s, përmendet në Kuran njëzet e shtatë herë, në katërmbëdhjetë sure. Duke qenë se babai i kishte vdekur në moshë të vogël, Luti a.s ishte rritur në shtëpinë e gjyshit të tij Tarih, me xhaxhain Ibrahim a.s. Ai ishte shumë i lidhur me Ibrahimin a.s. Kur Ibrahimin a.s e hodhën në zjarr dhe nuk e dogji, asnjë nga njerëzit nuk e besoi. I vetmi që e besoi ishte pikërisht Luti a.s. Këtë fakt e përmend dhe Zoti i lartësuar në Kuran, ku thotë:“Luti i besoi atij” (Ankebut, 26)

Kur Ibrahimi a.s vendosi të shpërngulej nga Babilonia, iu bashkëngjit edhe Luti a.s, i cili tha: “Unë do të mërgoj te Zoti im; me të vërtetë, Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Ankebut, 26)

Siç e cekëm dhe në historinë e Ibrahimit a.s, Luti u dërgua në fshatin Sedom. Ky vendbanim ndodhet pranë detit të vdekur, i cili sot njihet edhe me emrin deti i Lutit. Përveçse ishte një qendër biznesi e fuqishme, ky vendbanim përbënte një stacion pushimi të rëndësishëm për të gjithë udhëtarët dhe karvanët. Banorët e këtij qyteti ishin jobesimtarë dhe të shthurur. Zoti përmend në Kuran thënien e melekëve të dërguar për shkatërrimin dhe ndëshkimin e këtij qyteti dhe thotë:“Ne i nxorëm të gjithë besimtarët që ishin në atë qytet, ndonëse aty gjetëm vetëm një shtëpi myslimane.” (Dharijat, 35-36)

Vetëm shtëpia e Lutit a.s ishin besimtarë, ndërkohë që gjithë të tjerët jobesimtarë. Sikur kjo të mos mjaftonte, ata ishin njerëz shumë të shthurur dhe të degjeneruar, gjë të cilën e kishin kthyer në art. Paturpësitë e tyre nuk i kishte vepruar askush gjer atëherë. Ishin të parët që vepronin gjëra kaq të pahijshme dhe të turpshme.

“Kujtoni fjalët e Lutit, i cili i tha popullit të vet: “Përse bëni paturpësi të tilla që askush nuk i ka bërë në botë?”. Ju u qaseni meshkujve me epsh – në vend të femrave. Me të vërtetë, ju jeni popull që e teproni me të këqija!” (Araf, 80-81)

Origjina e homoseksualitetit e ka zanafillën pikërisht tek ky popull i pamoralshëm. Shumë njerëz sot rreken që homoseksualitetin ta paraqesin si diçka të natyrshme, si një ndjenjë që lind me lindjen e njeriut dhe që ekziston në gjenet e tij. Pa dyshim që kjo nuk është aspak e vërtetë. Ai nuk është gjë tjetër përveçse perversitet dhe deviacion nga natyra e pastër. Nëse do të ishte diçka që lind bashkë me njeriun dhe ekziston në gjenet e tij, do të ishte përhapur që para popullit të Lutit a.s.

“(Ata) thanë: “Ne jemi dërguar te një popull keqbërës (për ta shkatërruar të gjithin), përveç familjes së Lutit. Ne do t’i shpëtojmë të gjithë ata.” (Hixhr, 58-59)

Luti a.s u thoshte:

“Vallë, ju, nga e gjitha bota, iu qaseni meshkujve e i lini mënjanë gratë tuaja, të cilat Zoti juaj i ka krijuar bashkëshorte për ju?! Njëmend, ju jeni popull që kaloni çdo kufi të së keqes.” (Furkan, 165-166)

Në shumë ajete, Zoti i lartësuar e paraqet në formën më të shëmtuar dhe të neveritur një vepër të tillë.

“Kur Luti i tha popullit të vet: “Përse bëni vepra të mbrapshta e të turpshme, madje në sytë e njëri-tjetrit?” (Neml, 54)

Paturpësia e tyre kishte shkelur çdo kufi, saqë burrat e ushtronin homoseksualitetin haptazi.

“Vallë, a mos ju u qaseni me epsh meshkujve, në vend të femrave? Në të vërtetë, ju jeni popull i paditur.”(Neml, 55)

Një gjuhë të tillë, Zoti nuk e ka përdorur për asnjë popull tjetër. Në Kuran, populli i Lutit a.s përshkruhen me nofka më të ndryshmet: Jobesimtarë, kriminelë, shpërdorues, të shthurur, agresorë dhe shkelës të çdo kufiri, xhahilë etj…

“Kur Luti i tha popullit të vet: “Vërtet, ju bëni të tilla lapërdhi, që askush para jush nuk ka bërë në botë: bëni marrëdhënie me meshkuj, u zini pusi atyre dhe në tubimet tuaja bëni punët më të ndyra.” (Ankebut, 28-29)

Sa herë që mblidheshin dhe tuboheshin në një vend, ata ushtronin veprat më të liga dhe të turpshme. Ata nuk kishin humbur çdo normë morali dhe mirësjellje, saqë në tubimet e tyre, qeshnin dhe gajaseshin me gazrat e njëri-tjetrit.

I gjendur në një situatë të tillë, Luti a.s filloi t’i ftojë dhe t’i këshillojë që të distancohen nga vepra të tilla. Thotë Zoti në Kuran:“Populli i Lutit i quante gënjeshtarë të dërguarit. Kujto kur vëllai i tyre – Luti, u tha: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut? Pa dyshim, unë jam i dërguar i besuar për ju, andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua! Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.” (Shuara, 160-164)

Janë pothuaj të njëjtat fjalë dhe këshilla të profetëve të tjerë, që ua drejtonin popujve të tyre. Populli i Lutit a.s iu përgjigj:

“..populli i tij nuk kishte tjetër përgjigje, përveç se tha: “Na e sill dënimin e Allahut, nëse thua të vërtetën”! (Ankebut, 29)

Po të njëjtën përgjigje kishin dhënë dhe popujt e profetëve të mëparshëm.

“Në fakt, Luti i paralajmëroi ata për fuqinë e dënimit Tonë, por ata i vunë në dyshim paralajmërimet.”(Kamer, 36)

“Përgjigjja e popullit të tij ishte: “Dëbojini ata nga vendbanimi juaj! Ata janë njerëz që duan të mbahen të dëlirë.” (Araf, 82)

Të gjithë njerëzit e këtij qyteti, ishin të ligë dhe të degjeneruar, përveç Lutit a.s dhe dy vajzave të tij. Duke parë se Luti a.s dhe vajzat e tij, ishin të dëlirë dhe të moralshëm, ata vendosën t’i përzënë nga qyteti i tyre.

“Ata thanë: “Nëse nuk tërhiqesh nga këto, o Lut, me siguri do të jesh i dëbuar”. Ai tha: “Unë kam vërtet neveri për atë që bëni ju!” (Furkan, 167-168)

Mandej, Luti a.s u lut:”O Zoti im, më shpëto mua dhe familjen time nga ajo që bëjnë ata!” (Furkan, 169)

Duke qenë se filloi t’i humbasë shpresat, pasi e kërcënonin se nëse u flet, do e dëbojnë, Luti a.s u mbyll në shtëpi ku filloi të lutej. Ai nuk kishte askënd që ta ndihmojë dhe ta përkrahë në atë qytet, pasi ishte i ardhur.

“Ai tha: “O Zoti im, më ndihmo kundër popullit që bën mbrapshti”! (Ankebut, 30)

Zoti i lartësuar ia pranoi lutjen Lutit a.s dhe menjëherë nisi melekët e tij, Xhibrilin a.s, Mikailin dhe melekun e vdekjes. Fillimisht, këta tre melekë, u ndalën tek Ibraimi a.s, që t’i jepnin sihariqin e lindjes së Is’hakut a.s. Gjatë qëndrimit, Ibrahimi a.s i pyeti:”Ai i pyeti: “Cili është qëllimi juaj, o të dërguar?” Ata thanë: “Ne jemi dërguar te një popull keqbërës, për të hedhur mbi ta gurë prej balte të pjekur, të shënuar te Zoti yt, për ata që e kalojnë kufirin (në të këqija)”. (Dharijat, 31-34)

“Dhe, pasi të dërguarit Tanë i sollën lajmin e mirë Ibrahimit, i thanë: “Ne do t’i zhdukim banorët e këtij vendbanimi, sepse banorët e tij janë vërtet keqbërës”. (Ankebut, 31)

Ibrahimit a.s i vajti menjëherë mendja tek Luti a.s, i cili banonte pikërisht në Sedom. Duke dashur që të mos e shkatërrojnë atë popull, Ibrahimi a.s filloi t’i vonojë me fjalë. Ai i pyeti:”A do e shkatërronit një popull, në mesin e të cilit gjenden treqind besimtarë?” Melekët u përgjigjën:”Jo.” Ibrahimi a.s i pyeti:”Po sikur të kishte dyqind besimtarë?” Melekët u përgjigjën:”Jo.” Ibrahimi a.s i pyeti:”Po sikur të kishte dyzet besimtarë, a do e shkatërronit?” Melekët u përgjigjën:”Jo, nuk do e shkatërronim.” Ibrahimi a.s i pyeti:”Po sikur të kishte katërmbëdhjetë besimtarë?” Melekët iu përgjigjën:”Jo.” Ibrahimi a.s i pyeti për herë të fundit:”Po sikur të kishte vetëm një besimtar?!” Melekët u përgjigjën:”Edhe sikur të ketë vetëm një besimtar, nuk e shkatërrojmë.”Atëehrë Ibrahimi a.s u tha:”Dijeni se mes atij populli është Luti që është besimtar.”

Diçka e tillë përmendet shkurtimisht në ajetin:“Ai (Ibrahimi) tha: “Por atje banon edhe Luti!” Ata thanë:“Ne e dimë më mirë kush është atje. Ne do ta shpëtojmë atë dhe familjen e tij, përveç gruas së tij: ajo do të qëndrojë me ata që do të mbesin (për t’u dënuar)”. (Ankebut, 32)

“Pasi i kaloi frika Ibrahimit dhe i erdhi lajmi i gëzuar, ai polemizoi me të dërguarit Tanë për popullin e Lutit. Vërtet, Ibrahimi ishte i butë, i dhembshur e vazhdimisht i kthyer (tek Allahu).” (Hud, 74-75)

Gjatë gjithë kësaj kohe, Ibrahimi a.s rrekej që t’ua kthejë mendjen melekëve dhe të mos e dënojnë popullin e Nuhut a.s. Po Zoti ndërhyri dhe i tha:”O Ibrahim, shmangu prej kësaj! Me të vërtetë, erdhi urdhri nga Zoti yt dhe ata do t’i gjejë dënimi i pashmangshëm.” (Hud, 76)

 

Tre melekët, në Sedom

Pas takimit me Ibrahimin a.s, tre melekët u drejtuan për në Sedom. Atje, ata u shfaqën si tre të rinj shumë të hijshëm. Kjo bëhej për t’i sprovuar këta njerëz dhe për t’ua faktuar pa ligësitë dhe paudhësitë e tyre. Zoti i kishte urdhëruar të mos e shkatërronin, derisa të dëgjonin dhe dëshminë e profetit të këtij populli. Kur tre melekët në formë të rinjsh, arritën pranë qytetit, i pa një nga  vajzat e Lutit a.s, e cila kishte dalë për të mbushur ujë. Ajo u kërkoi të prisnin aty ku ishin dhe me vrap u nis për tek i ati, të cilit i tregoi se kishte pikasur tre djelmosha të rinj dhe të hijshëm që nuk ishin nga Sedomi. Luti a.s doli nga shtëpia dhe shkoi i takoi tre të rinjtë. Ai i pyeti se përse kishin ardhur në atë qytet dhe të rinjtë i thanë se kishin ardhur si miq. Luti a.s donte t’u kërkojë të mos hyjnë në atë qytet për shkak të perversitetit të banorëve të tij, por kur i thanë se ishin miq, i erdhi zor t’i dëbojë. Ai i mori me vete për në shtëpinë e tij dhe gjatë rrugës, filloi t’u tregojë mbi perversitetin dhe paudhësitë e banorëve të Sedomit, por këtë në mënyrë indirekte. Për Zotin – u tha – nuk njoh njerëz mbi faqen e tokës, me të ligë se këta. Melekët nuk folën por vazhduan rrugën. Luti a.s ua përsëriti sërish këtë, duke dashur t’u thotë që të kthehen pasi pasojat mund të ishin fatale. Këtë ai ua përsëriti katër herë, ndërkohë që melekët e regjistronin këtë dëshmi të profetit Lut a.s. Me të arritur në shtëpi, Luti a.s i futi brenda. Gruaja e Lutit a.s ishte jobesimtare, madje merrte pjesë në paudhësitë e Sedomit. Me t’i parë këta tre djelmosha të rinj, ajo vajti tek vendi ku tuboheshin njerëzit dhe u tha:”Në shtëpinë tonë gjenden tre djelmosha, më të hijshëm se ata nuk më kanë zënë sytë ndonjëherë.”

Me ta marrë vesh këtë njerëzit, u drejtuan me vrap drejt shtëpisë së Lutit a.s.

Këtë moment e përshkruan Zoti i lartësuar në Kuran ku thotë:“Populli i tij, që më parë pat punuar vepra të këqija, u vërsul drejt atij.” (Hud, 78)

“Banorët e qytetit erdhën tek ai gjithë gëzim.” (Hixhr, 67)

Luti a.s doli nga shtëpia, duke dashur t’i mbrojë dhe u drejtua njerëzve:”(Luti) tha: “O populli im, këto janë bijat e mia. – çdo profet i konsideron gratë e vendit ku jeton, si vajzat e veta. Ky është mendimi i drejtë dhe i shumicës së dijetarëve. Ata që mendojnë se Luti a.s u ofroi të kryejnë marrëdhënie jashtëmartesore me vajzat e tij, ka gabuar rëndë. Si mund ta bëjë këtë Luti a.s, që ishte profet i Zotit?! – Ato për ju janë më të pastra, e frikësojuni Allahut dhe mos më turpëroni para mysafirëve të mi. A nuk ka midis jush një njeri me mend?” Ata thanë: “Ti e di se ne nuk kemi të drejtë për bijat e tua. Në të vërtetë, ti e di se ç’duam ne”. Ai tha: “Sikur unë të kisha fuqi (që t’ju dëboj) ose të mbështetesha në ndonjë krah të fuqishëm!” (Hud, 78-79)

Luti a.s nuk kishte njerëz dhe farefis në atë vend. Njerëzit e vetëm që i bindeshin ishin dy vajzat e tij. Edhe gruaja e tij ishte jobesimtare.

Në një hadith, profeti Muhamed a.s thotë:”Zoti e mëshiroftë vëllain tim Lutin. Ai ishte nevojë për mbështetje dhe krah të fuqishëm.” (Buhari dhe Muslim)

Thonë dijetarët myslimanë:”çdo profet tjetër, Zoti e dërgoi me mbështetje dhe farefis.”

“Banorët e qytetit erdhën tek ai gjithë gëzim. Luti u tha: “Këta janë mysafirët e mi, andaj mos më turpëroni! Kijeni frikë Allahun e mos më poshtëroni!” Ata thanë: “A nuk ta kemi ndaluar ne që të presësh mysafirë?” (Hixhr, 67-70)

Njerëzit e Sedomit ia kishin ndaluar t’i këshillonte dhe e kishin ndaluar të presë mysafirë e miq.

“Ai tha: “Ja vajzat e mia! Nëse doni të bëni çka synoni (martohuni me to)”. (Hixhr, 71)

“Betohem për jetën tënde (o Muhamed), se ata ishin vërtet të përhumbur në dehjen e tyre!” (Hixhr, 72)

Thonë komentuesit e Kuranit:”Kurrë Zoti nuk është betuar në jetën e dikujt tjetër, përveç jetës së profetit Muhamed a.s.”

Epshi ua kishte mbuluar arsyen banorëve të Sedomit dhe dukeshin si të dehur. Në një moment, njerëzit tentuan të hyjnë në shtëpinë e Lutit a.s me forcë, por ai u kërkoi një shans të fundit, që të prisnin pak. Luti a.s hyri brenda në shtëpi, t’ua qajë hallin këtyre tre të rinjve. Kur hyri brenda, ai i gjeti të qetë sikur të mos kishin dinin asgjë. I habitur nga kjo sjellje, Luti a.s u tha:

“ai tha: “Unë nuk ju njoh ju!” Ata thanë: “Jo, ne të kemi sjellë atë, në të cilën ata dyshojnë, të kemi sjellë të vërtetën, prandaj të jesh i sigurt se ajo që të themi, do të bëhet.” (Hixhr, 62-64)

“Kur të dërguarit Tanë (engjëj) shkuan tek Luti, ai u shqetësua dhe u ngushtua (për ata, sepse nuk i mbronte dot). Ata i thanë:“Mos u frikëso dhe mos u brengos! Ne do të të shpëtojmë ty dhe familjen tënde, përveç gruas tënde. Ajo do të mbesë me ata që janë për dënim. Në të vërtetë, Ne do të lëshojmë dënim nga qielli, mbi banorët e këtij vendbanimi ngase ata janë të prishur”. (Ankebut, 33-34)

“Thanë (mysafirët): “O Lut! Ne jemi të dërguarit e Zotit tënd. Ata nuk mund të të bëjnë ty asgjë e pra, nisu ti me familjen tënde në orët e vona të natës dhe askush prej jush të mos këqyrë prapa, përveç gruas sate. Atë do ta godasë ajo që do t’i gjejë edhe ata.” (Hud, 81)

Gruaja e Lutit a.s do të ndëshkohej bashkë me njerëzit e tjerë, ashtu siç ndodhi me gruan e Nuhut a.s më parë. “Allahu ka dhënë si shembull për ata që nuk besojnë, gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato ishin të martuara me dy nga robtë Tanë të ndershëm dhe i tradhtuan ata.” (Tahrim, 10)

Të gjithë interpretuesit e Kuranit kanë mendim unanim, që tradhtia e dy grave të profetëve është tradhëti besimi dhe jo nderi. Është e papranueshme për familjet e profetëve të Zotit të ndodhin gjëra të tilla. Gratë e profetëve, edhe pse mund të mos jenë besimtare, nuk i cenojnë burrat e tyre tek nderi. Edhe pse gruaja e Lutit a.s i mbështeste njerëzit në vepra të liga, ajo vetë nuk e ushtronte ligësinë.

Njerëzit që prisnin jashtë, nga padurimi vendosën ta shkallmojnë derës, por në çast del Xhibrili a.s dhe me një të goditur ua verbon sytë. Thotë Zoti në Kuran:“Ata i kërkuan t’ua dorëzonte mysafirët e tij. Por Ne ua verbuam sytë (e u thamë): “Shijoni dënimin Tim, tani që e dëgjuat paralajmërimin Tim!” (Kamer, 37)

Megjithatë, njerëzit nuk zunë mend dhe kujtuan se Luti a.s i ka bërë ndonjë magji. Prandaj filluan me kërcënime dhe shantazhe, duke i thënë:”Do e shohim nesër këtë punë!” Ata morën rrugën e kthimit në shtëpi, duke u mbështetur pas mureve.

Melekët i thanë Lutit a.s:”Afati i tyre është agimi i ditës. Vallë, a nuk është afër agimi i ditës?!” (Hud, 81)

Melekët lanë agimin e ditës së nesërme si çastin përfundimtar të ndëshkimit, me qëllim që Luti a.s dhe vajzat e tij të kenë kohë të largohen.

“nisu ti me familjen tënde në orët e vona të natës dhe askush prej jush të mos këqyrë prapa,

“Nisu me familjen tënde në një kohë të natës, shko pas tyre e askush prej jush të mos shikojë prapa, por vazhdoni në drejtimin e urdhëruar! Dhe Ne ia shpallëm atij atë që do të ngjajë: që i gjithë populli i tij, deri në të mbramin, do të zhdukej në agim.” (Hixhr, 65-66)

“Dhe Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij – të gjithë, përveç një plake (gruas së Lutit), e cila mbeti me të tjerët. Pastaj, të tjerët i shkatërruam.” (Shuara, 170-172)

“Ne dërguam një stuhi gurësh mbi ta, duke hequr familjen e Lutit, që e shpëtuam në agim. falë mëshirës Sonë. Ja, kështu Ne i shpërblejmë ata që falënderojnë.” (Kamer, 34-35)

Luti a.s u largua nga qyteti Sedom, i shoqëruar vetëm nga dy vajzat e tij. Të nesërmen, me ardhjen e agimit, zë fill dhe ndëshkimi i këtij populli të lig dhe të shthurur. Thotë Zoti në Kuran:”të nesërmen në mëngjes, ata i goditi dënimi i përhershëm. “Shijoni dënimin Tim, tani që e dëgjuat paralajmërimin Tim!” (Kamer, 38-39)

Xhibrili a.s e fut krahun e tij poshtë qytetit, e ngre atë lart në qiell, saqë melekët dëgjonin këngën e gjelave dhe lehjen e qenve. Vetë njerëzit dëgjonin lartësimin dhe madhështimin që melekët i bënin Zotit. Gjatë kohës që i gjithë qyteti ishte lart në qiell, filluan t’u bien shkëmbinj nga qielli. Secili nga banorët goditej nga një shkëmb i piketuar enkas për të. Mandej Xhibrili a.s lëshon një ulërimë të frikshme, nga e cila të gjithë banorët humbasin vetëdijen. Kjo u pasua nga përmbysja e qytetit dhe përplasja përtokë. Kjo përmendet dhe në Kuran, ku Zoti thotë:

“Kur erdhi urdhri Ynë, Ne e përmbysëm çdo gjë, – ato që ishin lart, i kthyem poshtë dhe mbi ata lëshuam gurë nga balta e pjekur, duke rënë vazhdimisht, si shiu. (Ato ishin gurë) të shënuar (për dënim) te Zoti yt. Dënimi nuk është larg nga keqbërësit.” (Hud, 82-83)

“Ata i kaploi zëri i tmerrshëm (i Xhebrailit) kur lindi Dielli, dhe Ne e kthyem qytetin përmbys, duke lëshuar mbi ata shi gurësh prej dheut të pjekur.” (Hixhr, 73-74)

“Mbi ata lëshuam një breshëri gurësh. Eh, sa i keq që ishte ai shi, për ata që janë paralajmëruar! Sigurisht, në këtë ka këshillë, por shumica e tyre nuk janë besimtarë. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.” (Shuara, 173-175)

“se Ai i asgjësoi edhe qytetet e përmbysura (të popullit të Lutit), të cilat i mbuloi ajo që i mbuloi?! Atëherë, në çfarë dhuntie të Zotit tënd dyshon ti? Ky (Profet) është paralajmërues si ata të mëparshmit. Ora e Kiametit po afrohet.” (Nexhm, 53-57)

Kështu u ndëshkua dhe u shkatërrua përfundimisht Sedom, që ndodhej pranë detit të vdekur. Ajo ka mbetur shenjë dhe fakt për të gjithë njerëzit që t’i ruhen dënimit të Zotit, t’u shmangen veprave të liga, ku ndër me e rrezikshmja është ajo që vepronin populli i Lutit a.s.

 

Përshtati: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit