1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Historia e popullit të Sebe’s

Më të lexuarat

Shumë kohë më parë, përpara erës sonë, në Jemenin e largët, banorët e asaj toke zunë shumë robër e skllevër, ku në mesin e tyre ishte një njeri që quhej Abdushems, njëri prej stërnipave të Kahtanit. Tregohet se Abdushemsi u vendos në tokën ku u zu rob dhe nuk u largua më prej atij vendi. Njerëzit e thirrnin atë me emrin Sebe’ që do të thotë rob lufte dhe qysh prej asaj kohe vendi ku qëndroi Abdushemsi u quajt Sebe’. Abdushemsi kishte 10-të fëmijë ku gjashtë prej tyre qëndruan në Jemen kurse katër të tjerët u vendosën në tokat e Shamit. Abdushemsi ishte shumë dorëdhënë dhe bujar i madh. Tregohet se ai është njeriu i parë i cili ka vendosur në kokë një kurorë mbreti në tokat e Jemenit.

Ndërtimi i digës

Në kohën kur ka jetuar Sebe’ Abdushemsi, midis dy maleve ka pasë vërshuar shumë ujë. Sebe’ Abdushemsi vendosi që të ndërtonte një digë të madhe midis dy maleve me qëllim që të grumbullonte ujin dhe si rrjedhojë nëpërmjet ujit të grumbulluar të vadiste 70 – të lugina prej luginave të Jemenit. Gjithashtu ai vendosi që ujin e grumbulluar ta shpërndante në 30-të degëzime të ndryshme. Ai dha urdhër njerëzve të tij që ta ndërtonin digën. Njerëzit filluan të grumbullonin gurë të mëdhenj dhe bakër dhe filluan ta ndërtonin digën që mesa dukej do të ishte shumë e madhe. Mirëpo Sebe’ Abdushemsi vdiq përpara se diga të përfundonte, kështu që digën e përfunduan të tjerët pas tij. Pas ndërtimit të kësaj vepre madhështore, në tokat e Jemenit vërshuan begatitë dhe mirësitë.

Mirësitë dhe begatitë e Zotit ndaj popullit të Sebe’s

Kështu pra, pas ndërtimit të digës, tokat e Jemenit dhe veçanërisht populli i Sebe’s jetonin në një bereqet dhe begati shumë të madhe. Pas ndërtimit të digës, banorët e Sebe’s mbollën pemë frutore dhe shumë drithëra. Banorët e Sebe’s jetonin në një begati dhe mirësi shumë të madhe, tokat e tyre ishin shumë pjellore, ujë kishin sa të duash qoftë për shkak të shiut nga qielli, qoftë për shkak të digës. Ndërtesat e tyre ishin të rrethuar me pemë e me kopshte plot gjelbërim. Banorët e Sebe’s nuk kishin nevojë për askënd, sepse kishin ushqim sa të duash dhe kishin ujin më të mirë e më të ëmbël. Madje tregohet se në tokat e tyre nuk kishte kafshë grabitqare e as egërsira. Allahu i Madhëruar thotë: “Vendbanimi i Sebe’s ishte një shenjë e qartë për banorët e tij; dy kopshte në të djathtë dhe në të majtë të lumit.”[1]

Siguria dhe qetësia ishin dy gjërat më të mira që Allahu i Madhëruar e kishte begatuar popullin e Sebe’s. Banorët e Sebe’s nuk kishin nevojë për udhëtime të gjata sfilitëse për të bërë tregti sepse ata i kishin të gjithë të mirat në vendin e tyre. Fshatrat ishin shumë afër njëra-tjetrës. Po ashtu ata nuk kishin frikë nga hajdutët apo njerëzit e këqinj e zullumqarë. E nëse duhej që ndonjëherë të bënin ndonjë udhëtim të gjatë, me vete nuk mbartnin shumë ushqim sepse kishin me bollëk, gjatë udhëtimit ata ndalonin nëpër fshatra ku freskoheshin, rehatoheshin dhe pastaj e nisnin përsëri udhëtimin. Një gjë tjetër e mirë që ata gëzonin gjatë udhëtimit të tyre ishte siguria dhe qetësia që kishin sepse askush nuk guxonte t’i prekte ata dhe mallrat e tyre me dorë. Të gjitha këto mirësi e begati ata i kishin prej Allahut të Madhëruar. Allahu i Madhëruar thotë: “Midis atyre dhe qyteteve që i kemi bekuar, Ne vendosëm vendbanime të dukshme buzë rrugës dhe e bëmë të lehtë udhëtimin (duke u thënë): Udhëtoni të sigurt nëpër to natë e ditë!”[2]

Allahu dërgon profetë tek populli i Sebe’s

Në mesin e banorëve të Sebe’s, Allahu i Madhëruar dërgoi profetë, të cilët i këshilluan banorët e saj që të falenderonin Allahun e Madhëruar për mirësitë dhe begatitë e shumta që ata zotëronin. Profetët i thirrën njerëzit që të adhuronin vetëm Allahun e Madhëruar dhe të braktisnin adhurimin e idhujve. Mirëpo banorët e Sebe’s i refuzuan fjalët dhe këshillat e profetëve. Profetët e Allahut u thanë atyre: “Hani nga begatitë e Zotit tuaj dhe vetëm Atë falenderojeni! A nuk e shikoni se qyteti i juaj është i mirë dhe Zoti është mëkatfalës?!”[3] Mirëpo banorët e Sebe’s u treguan shumë mëndjemëdhenj dhe arrogantë. Madje ata e shtuan akoma më tepër arrogancën dhe mëndjemadhësinë e tyre kur kërkuan “O Zot na i largo udhëtimet tona!” Siç duket qartë ata nuk ishin të kënaqur me udhëtimet e shkurtra që bënin, prandaj dhe kërkuan prej Allahut të Lartësuar që kur të ndërmerrnin ndonjë udhëtim, vendtakimi nga një destinacion në të tjetrin të ishte sa më i largët. Kjo lutje tregon se ata ishin mosmirënjohës ndaj mirësive dhe begative që Allahu i Madhëruar u kishte dhënë.

Ndëshkimi i popullit mosmirënjohës

Një ndër mëkatet dhe gjynahet më të mëdha është mosmirënjohja, mëndjemadhësia dhe arroganca ndaj mirësive dhe begative që Allahu i Madhëruar i ka dhënë njeriut. Ky gjynah i madh ishte tipar dallues i banorëve të Sebe’s, prandaj për këtë asrye Allahu i Madhëruar i ndëshkoi me një ndëshkim të dhembshëm.

Allahu i Madhëruar dërgoi një rrjedhë shumë të madhe uji, diga madhështorë që ata kishin ndërtuar me shumë mund dhe djersë u ça, dhe gjithë ai ujë me furi shumë të madhe depërtoi mbi luginat e banorëve të Sebe’s duke përmbytur gjithçka. Dy kopshtet me fruta të mira u shndërruan në kopshte me fruta të idhëta, drunj të thatë dhe bar të egër. Kur gjithçka që ata posedonin u shkatërrua, ata u detyruan që t’i linin vendbanimet e tyre sepse jeta aty ishte e pamundur. Kështu që duke kërkuar për vendbanime të reja të përshtatshme për jetesë, ata u larguan shumë nga njëri-tjetri duke u ndëshkuar me atë ndëshkim që e kishin kërkuar vetë me mëndjemadhësi dhe arrogancë.

Populli i Sebe’s argument për të gjithë popujt e tjerë

Ky ndëshkim që i ndodhi banorëve të Sebe’s ndodhi për shkak se ata i bënë padrejtësi dhe zullum vetes së tyre për shkak të arrogancës, mëndjemadhësisë dhe mosmirnjohjes ndaj mirësive të Allahut të Madhëruar. Ajo që u ndodhi banorëve të Sebe’s ishte një mësim i mirë për të gjithë brezat e mëvonshëm saqë arabët në një prej proverbave të tyre thonë: “U shpërndanë ashtu siç u shpërndanë banorët e Sebe’s”

Historia e banorëve të Sebe’s përsëritet në çdo kohë, vend, individë apo shoqëri deri në Ditën e Kijametit. Mirësitë që Allahu i Madhëruar i ka dhënë njeriut në këtë botë janë as të shumta saqë ato nuk mund të numërohen. Për këto mirësi të panumërta, njeriu duhet ta falenderojë Allahun e Madhëruar. Mirëpo nëse njeriu tregohet mosmirënjohës, mëndjemadh dhe arrogant ndaj mirësive të Allahut të Madhëruar nuk është habi që ai të ndëshkohet me humbjen e tyre, ashtu sikurse i ndodhi banorëve të Sebe’s. Historia e banorëve të Sebe’s është një argument mjaft i mirë për të gjithë brezat. Prandaj në fund të kësaj historie, Allahu i Madhëruar thotë: “Sigurisht, në këtë, ka shenja si mësime për çdo të durueshëm dhe falenderues.”[4]

Historia e banorëve të Sebe’s është mësim për shkak se të gjithë të mirat dhe begatitë që ata i gëzonin ishin tregues i dhuntisë dhe bujarisë hyjnore ndaj tyre. Por edhe dërgimi i rrjedhës së furishme të ujit është dëshmues i qartë se ndëshkimi i Allahut ndaj popullit zullumqar është i shpjetë.

Historia e banorëve të Sebe’s është shenjë për shkak se qetësia dhe siguria është thelbi i çdo qytetërimi. Prandaj çdo shoqëri e popull duhet që ta sigurojë atë për të kaluar një jetë sa më të rehatshme në paqe dhe harmoni.

Historia e banorëve të Sebe’s është argument për faktin se njeriu nuk duhet të bëjë kurrë lutje kundra vetes së tij. Profeti (a.s) ka thënë: “Mos bëni lutje ndaj vetes tuaj vetëm se për mirë, për shkak se engjëjt i thonë “Amin” lutjes që ju bëni.”[5]

Historia e banorëve të Sebe’s është treguesi më i mirë i ligjit që Allahu i Madhëruar ka vendosur në këtë botë; Ai njeri i cili është mirënjohës dhe falenderues i mirësive të Allahut, Ai do t’ia shtojë mirësitë, e kush tregohet mosmirënjohës, arrogant dhe mëndjemadh, ai është i destinuar për t’u ndëshkuar. Prandaj Allahu i Madhëruar në lidhje me banorët e Sebe’s thotë: “Ne i dënuam kështu si pasojë e mosbesimit dhe mosmirënjohjes së tyre. Vallë, a dënojmë tjetërkënd, përveç mosmirënjohësve?”[6]

Përgatiti: Elton Harxhi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit