1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Historia e kryetarit të Manchester, nga barktharë në Pakistan në postin aktual

Më të lexuarat

Muhamed Evzal Khan, nga nje barkthare ne Pakistan ne kryetar bashkie ne Manchester.

Përvoja e suksesshme e Muhamed Efzal Khan na thotë se kushtet e vështira dhe problemet komplekse, të aftësojnë për karrierë të suksesshme. Ato nuk ka përse ti shuajnë ambiciet tona, nuk ka përse ti vrasin ëndrrat që kemi thurur për të ardhmen. Përkundrazi, ato duhet të na shtyjnë drejt triumfit dhe suksesit, i cili përkon me shpresën dhe ambiciet tona dhe të prindërve tanë.
Muhamed Efzal Khan, sot është 53 vjeç. Ai lindi në qytetin Xhilum në Pakistan, në një familje myslimane tepër të varfër. Uria dhe fukarallëku ishin gjërat e para që njohu në jetë. Shtati i tij ishte shumë i ligsht, saqë dërrasa e kraharorit dukej sikur kërkon ta braktisë lëkurën, në orvatje për tu arratisur. Muhamedi shihej gjithë keqardhje nga të afërmit dhe kushdo tjetër që e shihte në atë pikë të hallit. Një dritë shprese për të mbushur barkun, u çel për të kur e birësoi xhaxhai i tij që jetonte në Britani. Ai e mori në Mbretërinë e Bashkuar akoma pa mbushur 11 vjeç. Muajt e parë të qëndrimit në Britani ishin tepër të vështira për Muhamedin, pasi ishte larg familjes dhe njerëzve që kishte njohur gjer atëherë. Tani që ushqimi ishte me bollëk, humbi oreksin. Trauma psikologjike ishte e rëndë për shkak të humbjes së prindërve. Meqë nuk fliste asnjë fjalë anglisht, nuk mund të komunikonte as me kushërinjtë e tij, të cilët nuk flisnin gjuhë tjetër veç anglishtes.
Nëse në Pakistan ishte i burgosur mes urisë dhe fukarallëkut të skajshëm, në Britani ishte i burgosur i gjuhës dhe mungesës së prindërve.
Disa muaj më pas, Muhamedi arriti ta kapërcejë traumën psikologjike dhe hyri në shkollë. Por, sërish gjeti shumë vështirësi për shkak të gjuhës dhe vetëmbylljes. Duke e parë që nuk po përparonte, xhaxhai i tij e hoqi nga shkolla në moshën 16 vjeçare dhe e futi të punojë në një punishte pambuku. Aty, Muhamedi shkëlqeu dhe me kalimin e ditëve filloi të fitojë simpatinë e administratës. Megjithatë, dukej se Muhamed Efzal Khan nuk ishte i kënaqur. Një pyetje e shqetësonte gjithmonë: Deri kur do të vazhdoj në këtë punë? Mos vallë u largova nga vendi im për tu bërë një punëtor i thjeshtë fabrike? Këto pyetje shërbyen si katalizator për zgjimin e ëndrrave të tij të fjetura. Prandaj, iu kthye sërish bankave të shkollës, por ndoqi një shkollë nate. Nga punishtja e pambukut, kaloi në një fabrikë për mbushjen e baterive, pasi orari i përshtatej për të ndjekur shkollën. Më vonë, e la dhe këtë punë dhe u bë shofer i një autobusi që transportonte nxënës shkolle. Gjatë punës, u vinte veshin bisedave të fëmijëve dhe debateve për mësimet, provimet, mësuesit dhe programet mësimore. Nga bisedat e tyre, ndjente se ai nuk qëndronte më poshtë se bashkëmoshatarët e tij në intelekt dhe perceptim. Që këtu, filloi ta shohë veten dhe të ëndërrojë sikur shkon në shkollë. Me ta përfunduar shkollën e mesme natën, aplikoi për të studiuar drejtësi në Manchester, por nuk fitoi pasi i mungonin rezultatet e larta në disa lëndë. Prandaj, vendosi ti përkushtohet këtyre lëndëve, studioi, mbajti shënime dhe mësoi gjëra të reja. I mori pikët që deshi, me shumë vështirësi por ia doli mbanë.
U pranua pa kushte dhe filloi studimet me korrespondencë. Gjatë kësaj periudhe punoi si polic, gjë e cila e ndihmoi shumë për të kuptuar më mirë ligjet dhe rendin. Me të përfunduar studimet në bachelor, dha dorëheqjen si polic. Iu përkushtua avokatisë dhe mori trajnime nga shumë zyra avokatie të famshme në Britani. Emri i tij filloi të shkëlqejë në botën e avokatisë në mënyrë të shpejtë, duke u bërë ekspert në çështjet e emigrantëve dhe pakicave endacake, shtresë e të cilave kishte qenë dhe vetë dikur. Por ëndrra e Muhamed Efzal Khan nuk përfundon këtu. Ajo sapo ka filluar. Kandidoi për këshilltar në këshillin e qytetit dhe pas një kohe të shkurtër u zgjodh zv kryetar i bashkisë së Manchester.
Në vitin 2004 vendosi të kandidojë për kryetar bashkie për qytetin e banuar nga dy milionë e gjashtëqind mijë frymë. Njëri nga miqtë e tij të afërt i sugjeroi të mos e hedhë këtë hap, por Muhamedi nuk e dëgjoi dhe i fitoi zgjedhjet me tre vota më shumë sesa kundërshtari i tij. Ai ishte myslimani dhe aziatiku i parë që bëhet kryetari i bashkisë së një qyteti britanik që prej 700 vitesh.
Muhamedin që u bë kryetar bashkie në vitin 2005, e pret një e ardhme premtuesi në partinë e laburistëve, të cilës i përket. Ai vetë ëndërron që një ditë të bëhet kryeministër i Britanisë. Myslimanët në Britani e konsiderojnë si ikonën e suksesit. Historia e tij me vështirësitë dhe karriera e tij, janë shndërruar në burim frymëzimi për shumë britanikë me origjinë aziatike.
Muhamed Efzal Khan është me shtat shumë të lartë, por më të lartë se shtatin ai ka ëndrrat dhe ambiciet.
Nuk ka kushte më të vështira se ato me të cilat u përball të Muhamed Efzal Khan në vendlindjen e tij, por edhe pasi mbërriti në Britani. Megjithatë, ai i shndërroi në burim energjie drejt suksesit dhe jo burim demoralizimi.
Puna e tij në punishten e pambukut, mbushjes së baterive dhe si shofer autobusi publik, e motivoi dhe e pajisi me energji shtesë gjatë fushatës zgjedhore për kryetar bashkie. Këto profesione të thjeshta bënë ndryshimin. Sa herë që ngjitej në foltore, Muhamed u drejtohej njerëzve me fjalët:”Unë jam si ju, kam punuar njëlloj si ju dhe e kuptoj mirë çfarë ndjeni. Unë nuk jam si pjesa tjetër të cilët janë lindur dhe rritur me lugë floriri.”
Historia e suksesit të Muhamed Efzal Khan na mëson se kushtet e vështira, janë një shans për sukses dhe jo për ti vrarë ëndrrat dhe ambiciet tona.
Vëlla dhe motër! Mos jini modestë në ëndrrat tuaja! Mos u dorëzoni përballë vështirësive dhe fatkeqësive! Muhamed Efzal Khan erdhi i vetëm dhe i varfër në Angli, por u shndërrua në kryetarin e bashkisë së Manchester. Emri i tij mbushi titujt e gazetave dhe mediave vizive. Muhamedi të cilit i dukeshin brinjët si firzamonikë, tashmë është shndërruar në simbol të suksesit.
Nuk ekziston gjë e pamundur, kur sytë e tu shkëlqejnë nga shpresa, optimizmi dhe puna e pandarë. Ne kemi në dorë të bëhemi çfarë të duam, nëse kapemi fort pas shpresës dhe punës, të cilët përbëjnë jelekun e shpëtimit, i cili do të na nxjerrë në bregun e sigurisë dhe të suksesit.
Ne duhet të jemi të sigurt se kushtet e vështira nuk janë shkak për të mos pasur sukses, shkaku jemi ne vetë, sepse u jemi dorëzuar dhe nuk i kemi shndërruar në lundër që na nxjerr në bregun e triumfit.
Historitë madhështore të suksesit akoma nuk janë shkruar. Ndoshta, do të jesh ti njëri nga personazhet e këtyre historive. Prandaj, shkule nga koka demoralizimin dhe fillo ta shkruash historinë tënde që sot, jo nesër.

Vetem nje minute/ Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit