Sot mbushet një vit që nga aksioni i policisë për të marrë nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës.
Që nga atëherë e deri më sot, në shumë vende të veriut të Kosovës vazhdojnë të mbesin barrikadat e vendosur nga vetë serbët e asaj pjese, madje mbi to ka mbirë edhe barë.
Po për këtë ka folur zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili ka thënë se barrikadat duhet të hiqen, por pa lënduar qytetarët e asaj pjese.
Kuçi ka theksuar se barrikadat janë duke i bërë dëm vetëm qytetarëve serb në atë pjesë.
“Barrikadat janë të vendosur brenda territorit të Kosovës, dhe ato janë duke i mbajtur peng vetëm qytetarët serbë të veriut të Mitrovicës. Është një mundësi e mirë që vetë qytetarët serbë ti heqin ato, sepse kanë mbetur populli më i izoluar në Evropë”, ka thënë Kuçi për Ktv-n.
Ai ka theksuar se fajin për barrikadat nuk e kanë qytetarët serb të veriut por strukturat ilegale që janë duke vepruar në atë pjesë.
“Përkundër kësaj ne nuk do ti dëmtojmë qytetarët tanë, por do të mundohemi ti dëmtojmë strukturat kriminale që janë duke vepruar dhe janë duke i nxitur qytetarët e veriut”, ka thënë Kuçi.