Zyra për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc do të bëhet realitet që në ditët e para të qeverisjes së tij, kurse ndërtesa e tashme e kryetarit të komunës do t’i jepet muzeut të qytetit.
Kështu ka thënë Lutfi Haziri, në një konferencë për media.
I pyetur për koalicionin e mundshëm LDK-PDK, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo është si dita me natën dhe një gjë e tillë nuk mund të ndodhë assesi dhe në asnjë variant.
“Ju e keni parë që ditëve të fundit në Gjilan është rikthyer logjika e ndërmjetësuesit. Ndërmjetësuesi ka ardhur në Gjilan ta ndihmoj kandidatin për kryetar për të kërkuar vota. Është logjika e vjetër, mënyra e vjetër, për të vazhduar kontaktin me qytetarët e Gjilanit, duke e ndërmjetësuar i pari i qeverisë, suita e tij, klani i tij politik dhe aq më keq, kanë filluar të shantazojnë publikisht, të kërcënojnë, dhe ky lloj shantazhi dhe kërcënimi prej skutave që janë takuar ditëve të fundit po kalon tek qytetarët”, tha ai.
“Për LDK-në në Gjilan, nuk ka dhe nuk do të ketë gjuhë tjetër, pos gjuhë afruese, gjuhë bashkëpunimi dhe kooperimi. Për ne të gjithë gjilanasit janë fitues, të gjitha grupet politike janë fituese, të gjithë ata njerëz që kanë përfaqësim janë fitues”, tha ndër të tjera, Haziri. /Tg/koah