0.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Hasani: Jemi 64

Më të lexuarat

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani thotë se koalicioni qeverisës ka 64 deputetë, e jo 59, siç pretendohet nga partitë opozitare, tash pas përjashtimit nga AKR-ja të deputetit Emin Gërbeshi. Kjo, sipas tij, ia mundëson pozitës ta bllokojë çdo mocion të mundshëm të opozitës.
Që kur deputeti Emin Gërbeshi u shkarkua nga Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit, rënia e numrit të deputetëve të koalicionit qeverisës në 59 ka nxitur debat për fuqinë vendimmarrëse të ekzekutivit në Parlament, shkruan “Express”.

Sipas përfaqësuesve opozitarë, Qeveria Thaçi duhet të shpresojë që opozita të vazhdojë punën e paunifikuar për ta mbajtur mandatin që ka deri në fund.

Por, përfaqësues të pozitës nuk mendojnë se do të kenë telashe gjatë mandatit të tyre, për shkak të rënies së numrit të deputetëve në Parlament.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani ka mohuar pretendimet e opozitës se ekzekutivit po i zbehet fuqia në Parlament.

“Ato janë pjesë e thashethemeve të opinionit dhe shtypit”, është shprehur Hasani.

Një nga opsionet e opozitarëve për t’ia shkurtuar mandatin Qeverisë Thaçi, e që ka dalë në opinion këto ditë, mendohet të jetë thirrja e një mocioni mosbesimi në Parlament për ekzekutivin. Ky i fundit do të mund të kalonte në rast se opozita e unifikuar, e cila gjithsej ka 51 deputetë, do të mund të bindte përkrah vetes edhe 10 deputetët, të cilët nuk kanë grupe parlamentare si dhe disa të tjerë nga opozita, të cilët nuk mendojnë si përfaqësuesit e tyre.

Ky opsion ndërkaq duket se nuk e shqetëson aspak pozitën. Për më tepër, Nait Hasani pretendon se koalicioni ka 64 deputetë, e jo 59 siç ka dalë në media.

“Numri i deputetëve të koalicionit nuk është i vogël, sepse 64 është numër i mjaftueshëm dhe kështu mundet me kalu çdo vendim”, ka thënë Hasani.

Ndërkohë, publikisht dihet që partia më e madhe në koalicion, PDK ka 34 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Në koalicion qeverisës është edhe Koalicioni për Kosovën e Re, grup ky që ka mbetur vetëm me tetë deputetë, mirëpo disa nga deputet e këtij koalicioni shumë herë janë shprehur edhe kundër politikave të Qeverisë. Pjesë e marrëveshjes qeverisëse është edhe SLS-ja me 11 ulëse të siguruara në parlament së bashku me grupin 6+.

Ndërsa, në opozitë janë LDK’ja me 27 deputetë, AAK’ja me 12 sish, dhe Vetëvendosja, po ashtu me 12 deputetë.

Jashtë çdo grupi parlamentar ndërkaq janë gjithsej 10 deputetë, disa prej të cilëve nuk janë as të rregullt në mbledhjet e Kuvendit.

Pavarësisht se Nait Hasani nuk mendon që largimi i Emin Gërbeshit si deputet i koalicionit qeverisës do të mund të dëmtonte pozitën në Parlament, ai është shprehur përkrah ish-kolegut të tij parlamentar duke e quajtur vendimin e shkarkimit të tij të padrejtë.

“Vendimi i AKR-së për zotin Gërbeshi është i padrejtë, ne kemi biseduar dhe debatuar dhe kemi marrëveshje si të ecim më tutje, por megjithatë është e padrejtë”, ka thënë Hasani për “Express”.

Sipas tij, vendimi për shkarkimin e Gërbeshit për më tepër dëshmon ngufatjen e demokracisë brenda partisë së Pacollit. Ai e ka akuzuar Ministren e Industrisë dhe të Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, e cila sipas tij, ka marrë një vendim antikushtetues duke mbrojtur prodhuesit e çimentos.

“Vendimi është antikushtetues dhe kundër marrëveshjes ndërkombëtare që e ka Kosova me CEFTA-n për mbrojtjen e produkteve vendore, ne s’kemi vetëm çimento prodhim vendor, e kemi qumështin, ujin, shumë e shumë produkte që i prodhojmë këtu e nuk kemi mbrojtje, prandaj kemi të bëjmë me një vendim që është kundër interesave të qytetarëve të Kosovës, për atë mendoj që shkarkimi i Gërbeshit ka qenë totalisht i padrejtë”, ka thënë Hasani.

Gërbeshi ishte shkarkuar të premten nga shefi i Partisë së tij prej të gjitha posteve politike që mbante për shkak të kritikave që ia kishte adresuar në Kuvend, koleges së tij, Ministres Mimoza Kusari-Lila, pikërisht për vendimin për caktimin e tarifave për importimin e çimentos.

Ky vendim ka vlejtur edhe për çimenton që importohej nga Shqipëria. Sipas Gërbeshit, një vendim i tillë i ndanë dy shtetet shqiptare. /Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit