Harta të reja
AMBIENTI, DETI, INTENETI, LETËRSIA, NJERËZIMI, PLERAT, TELEVIZIONI
Dje zbulova për herë të parë një kontinent tjetër në televizor: diku pranë ishujve Havai, me një sipërfaqje sa tri herë Franca, pluskonte një shtëllungë e stërmadhe plastike, që zbriste gati 30 metra në thellësi e pastaj ndërpritej. Kjo sa i përket hapësirës, se në kohë, të paktën në njësi matëse kohe, kontinenti duhet të shtrihet aty tek 400 vjetët para se të shkëputet e të futet në formulën e kripës a të ujit, se plot katërqind vjet i duhet që të asgjësohet në natyrë një qeseje plastike të thjeshtë dyqani, qese e cila është njësia themelore e këtij kontinenti që unë zbulova dje, por edhe e disa dhjetëra të tillëve që lundrojnë nëpër ujëra detesh e oqeanesh, në pritje që të bashkohen një ditë para 400 vjetëshit që shumëfishohet përditë me çdo qese që depërton prej përrenjsh e kanalesh, prej koshash të zbrazur, drejt e në det, kudo.
Tre herë sa Franca! Dhe kjo vetëm se televizioni ishte francez! Përmasa kombëtare apo mbase krahinore apo thjesht politike që merr shpesh imagjinata, e zbërthyeshme numerikisht, do vepronte ndryshe në Brazil, bie fjala, e ndryshe në Shqipëri, po në çdo rast një pirg i përmbysur lundrues plehërash plastike disa herë më i madh se vendi yt të shtang – dhe të thonë se gropa nënujore e plehërave vëtëm sa zmadhohet përditë, me çdo qese të re katërqindvjeçare që shket në të katër anët e globit si ngjalë për të mbërritur atje ku e thërret e stampuar me sa e sa shkronja logosh, turlifarë markash e marketesh thirrja origjiatike e pëshpërimave apo fëshfërimave të plastikës transglobale. Një anti-amebë kolosale që vetëm rritet në pika strategjike duke sfiduar nëndetëse e plane hegjemonish oqeanike, një balenë e vdekur që rritet symbyllur e kushedi sa gjëra të tjera.
Për sa kohë dimë se globi është i rrumbullt, shembullin e asaj çka po ndodh patrazuar një gisht poshtë ujërave mund ta kemi në dorë si shembull në formën e një domateje të thjeshtë industriale, në shitoren më të afërt të fruta-perimeve. Hiqni kamuflazhin e kuq dhe zbuloni ju lutem eshtrat e bardha kërcore që ndonëse jo katërqind vjet, por ju a largojnë në kohë gjithë përfytyrimet e hershme mbi këtë frut tipik të nostalgjisë, për më tepër të kuq, i cili në kohët e izolimit mund të kafshohej pa pengesa e pa pendesa. Të mos flasim pastaj për çka flitet lart e poshtë se fsheh nën bust, poshtë e lart frëngjisë televizive spikerja e njohur e lajmeve me shoqe. Internacionalja e verbër e plastikës! Është kudo….
Julio Cortazar dikur shkruante se “(m)eqë numri i shkruesve dikur shkoi në rritje kaq të madhe, ata pak lexues që mbetën nëpër botë, do të ndryshojnë zanat e do të bëhen edhe ata shkrues. Gjithnjë e më tepër, shtetet do t’u përkasin shkruesve dhe fabrikave të letrës e bojës, shkruesve ditën e makinave natën, makinave që shtypin fjalët e shkruesve.
Kështu shkruesit siberianë do t’i shohin letrat e tyre të shtypura në oqeanin e ngrirë e po ashtu shkruesit indonezianë etj.(…) Në fund, gjithë anijet do të ndalen në pika të ndryshme të të deteve të ndryshme, të bllokuar në brumin e stampuar, dhe shkruesit e botës mbarë do të shkruajnë më pas mijëra tekste plot hare për të shpjeguar dukurinë.
Kritikët e parazitët e tjerë të vizionarëve do ta kenë interpretuar këtë tekst mbi bashkimin e ndërshkrirjen e shkrimit shumëgjuhësh si ndonjë metaforë për internetin e pritshëm apo ndonjë tjetër utopi të realizuar pa bujë, por i vetmi problem është se lexuesi para se të vdiste e të rilindte si shkrues i sms-së dhe komentator i blogut, u bë blerës i pandalshëm qesesh. Edhe nëse u bë shkrues, shkrimi është banalisht plastik, i mbyllur në tastiera kompjuterash e telefonësh që dalin shpejt nga moda e flaken në pirgje e download spam
2011