Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se me dëshirë do të shtrëngonte duart me kryeministrin e serb, Ivica Dacic dhe me përfaqësues të tjerë të Serbisë, sikur të takohej me ata.
“Sikur të takohesha me Dacicin me ëndje do të shtrëngoja duart me të, sikurse edhe me përfaqësues të tjerë të Serbisë”, ka thënë Haradinaj, në bisedë me korrespondenten e TV Slovenia në Beograd, transmeton Blic.
Në pyetjen se çfarë marrëveshje pret lidhur me veriun e Kosovës, Haradinaj ka thënë se pret që të zbatohet Plani i Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Kosovës, që nënkupton një lloj vetëqeverisje lokale për serbët e Kosovës në veri.
“Plani i Ahtisaarit ka paraparë një vetëqeverisje për serbët në Kosovën qendrore, pra në enklava, por edhe për serbët në veri “, ka thënë Haradinaj, duke potencuar se një vetëqeverisje e tillë deri tani iu është pamundësuar serbëve në veri, por ka shprehur bindjen se kjo do të bëhet e mundur pas arritjes së marrëveshjes .
Sipas tij, autonomia për serbët veriut do të ishte në “kuptimin e qeverisjes lokale, komunale, ashtu siç vlen edhe për pjesët e tjera të Kosovës, pra do të ishte në kuadër të komunave”. /Telegrafi/