0.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Hapën dyert Universitetet që prodhojnë analfabetë

Më të lexuarat

Ku jemi dhe ku vemi me këto universitete?!

Arsimi, është fytyra e kombit. Kombet e qytetëruara, janë të arsimuar në breza. Ne kemi fatkeqësinë që tradita në arsim të jetë tepër e varfër. Kur krahason ditëlindjen e universitetit tonë me universitetet e botës, qoftë edhe me ato të vendeve lindore, ndihesh inferior moralisht dhe i varfër shpirtërisht. Shkolla, është themeli i çdo shoqërie të zhvilluar. Në Shqipëri, krahas shkatërrimit dhe deformimit të historisë, të traditës, të ekonomisë, të moralit, të familjes, në këta 22 vjet “demokraci”, me vandalizmin që karakterizon politikën shqiptare, shkatërruan shkollën, në themelinë e saj, një nga pasuritë më të çmuara që trashëguam nga sistemi që lamë pas. Një shoqëri e rebeluar, që është mësuar ekstremisht për të mohuar gjithçka të krijuar nga paraardhësit, pa pohuar në një stad më të lartë standarde të reja, është e destinuar të vdesë pa lënë gjurmë. Ardhja në pushtet e “çetës së komitëve” të Berishës, në strategjinë e zbatuar për të aplikuar projektin sllavo-ortodoks, kishte si objektiv edhe shkatërrimin e arsimit, nëpërmjet liberalizimit të tij ekstrem, e barabartë kjo me degjenerimin e shkollës. Kjo strategji, është kopje e projektit të akademikut serb, Vasa Çubrilloviçit, për asgjësimin e shqiptarëve të Kosovës nëpërmjet eksodit drejt lindjes dhe Shqipërisë, që krahas masave shfarosëse, ai skicoi edhe degjenerimin e arsimit, për të mbjellë padijen dhe injorancën në popullsinë kosovare. Me projektin e tij ogurzi, Çubrilloviçi synonte të shkatërronte edhe Akademinë e Shkencave, institucionet arsimore e kulturore, median, artin, kulturën dhe gjithë inteligjencën kosovare, për të qenë i lirë të vepronte në terrin e dijes, me njerëz injorantë. Këtë strategji okulte ka përdorur pushteti i kolonizatorëve të dijes në dekadën e fundit, duke e kthyer shkollën nga një institucion mësimi e formimi, në një ambient dëfrimi, që ngjan me kazinotë që perënduan. Çdo objekt mund ta shembësh nga themelet, siç po ndodh me shumë godina që prishin planimetrinë e qytetit, por arsimi kërkon një apokalips të thelluar që mund ta bëjnë vetëm mendje të mençura, intelektualët më të zëshëm të kombit. Po të kujtojmë thënien kineze se: kush mendon për një vit mbjell një farë, kush mendon për dhjetë vjet mbjell një pemë dhe kush mendon për 100 vjet arsimon popullin, na duhet të reflektojmë thellësisht, për të krijuar një arsim me fytyrë shqiptare.

Universitetet tona kanë marrë revanshin të prodhojnë analfabetë me diploma pa dije arsimore, shkencore e profesionale. Këto kontingjente, i gjen sot të shpërndarë në tërë sektorët e jetës, qofshin ato shtetërore, apo private. Sot, ke jo pak kuadro nga universitete shtetërore e private, që kanë diploma universitare, madje edhe tituj e grada shkencore, që punojnë në administratën e lartë të shtetit dhe që nuk dinë të bëjnë një program pune, një analizë, raport, apo një plan biznesi, për t’ua përcjellë aktorëve privatë, ose fermerëve në zonat rurale.

Modelet e universiteteve private

Një syth i veçantë në këtë analizë mund të ishin universitetet private.

Universitete private, në tërësinë e tyre, janë ndërtuar sipas modeleve dhe profilit të pronarit të universitetit dhe jo sipas parametrave dhe kritereve që kërkon një shkollë e lartë. Po të udhëtosh nëpër universitetet private, jo si soditës, por si mësimdhënës, do të shohësh, që secili prej tyre ka filozofinë e tij të ndërtuar mbi bazën e fitimit, por jo të shkollimit elitar. Në konceptin e disa prej pronarëve të universiteteve, shkolla e lartë konsiderohet një biznes që të sjell fitim, si gjithë bizneset e tjera, që stafi akademik nuk ka liri akademike të implementojë metoda mësimdhënieje bashkëkohore, jashtë kritereve që ka vendosur tutori. Stafi akademik ndërrohet dhe qarkullon në mënyrë dinamike për të prishur ekuilibrat e brendshëm dhe për të qenë i trysnuar se po ngriti pretendime, një ditë do gjendet i përjashtuar nga puna. Një pjesë të konsiderueshme e stafit mësimdhënës u mohohet paga dhe denigrohen si të jenë robër të pushtetit të pronarit. Disa universitete, duke qenë nën juridiksionin e pronarëve të firmave të ndërtimit, mbledhin paratë e studentëve dhe ngrenë pallate, duke mos paguar stafin pedagogjik. Do mjaftonte ky fakt po të kishte shtet, për të gjykuar ministri i Arsimit, se a duhet të lulëzojnë këto gjemba që janë mbjellë në truallin e arsimit, për motive klienteliste dhe nepotike. Një filozofi disi unike, që funksionon te pronarët e universiteteve private, është se e ndërrojnë përbërjen e stafit për çdo semestër, për të krijuar konfuzion dhe çoroditje, që ata të mos kenë mundësi të orientohen te kërkesat e tyre të mohuara. Ka universitete, që heqin pedagogë me tituj e grada shkencore dhe marrin pedagogë të rinj, pa eksperiencë, për t’i paguar minimalisht, pavarësisht nga aftësia e tyre mësimdhënëse. Për t’u përgatitur një pedagog me aftësi të shprehura mësimdhënie, i duhet një kohë relativisht e gjatë dhe një eksperiencë e fituar në procesin e vazhdueshëm mësimor. Manovrat e pronarëve me stafin pedagogjik, janë spektakolare. Ata, i kanë kthyer universitetet private në lojëra fati. Shembujt për ilustrim janë të shumtë. Universitetet shtetërore, në ndryshim nga ato private, jo vetëm që kanë një staf më të kualifikuar, por pedagogët e lëndëve kanë një stazh të gjatë pune dhe janë të afirmuar dhe nuk lëvizin sipas oreksit të drejtuesve. Ajo që duhet luftuar në universitetet shtetërore është virusi i mitmarrjes, që e kanë kthyer vlerësimin e notës në pazar. Një tjetër dukuri, që e vret demokracinë në shkollat private, është se ato nuk përfillin hierarkinë drejtuese, duke filluar nga rektori, dekanët, pa folur që s’bëhet fjalë për shefa katedrash. Në universitetet private, më shumë vlerësohet stafi i administratës, që janë të besuarit e pronarit, se profesorët, apo drejtuesit. Ky vizion e degjeneron misionin që ka arsimi i lartë dhe e ka kthyer atë në një kompani biznesi. Ka universitete, ku infrastruktura është e përshtatshme për një repart ushtarak, apo kooperativë prodhuese. Por, për fat të keq, këto universitete, janë akredituar nga Ministria e Arsimit në rrugë korruptive. Në ndryshim nga të parët, gjejmë universitete private që kanë infrastrukturë model, që s’e ka as shtetërori. Në këto raste, me të drejtë mund të themi se arsimi i lartë në tërësi, është në një krizë të thellë cilësore, jo vetëm privati, por edhe shtetërori, kanë degjeneruar në prodhimin e kuadrove analfabetë. Për të provuar këtë të vërtetë të hidhur në realitetin e arsimit shqiptar, i sugjeroj opinionit shoqëror, të shikojnë provimet e studentëve, që megjithëse kopjojnë (kjo është një çështje njohur), mënyra se si shkruajnë në formë, pa folur për përmbajtjen, është tepër e vështirë t’i korrigjosh, se nuk lexohet shkrimi. Nuk ka më fatkeqësi për një shoqëri në zhvillim, që paguan injorancën me para, madje dhe me euro. Egoja primitive, provinciale, që po garon shëmtuar te familjet në mjedisin shoqëror shqiptar, që medoemos ta pajisë fëmijën me shkollë të lartë, pavarësisht sa dije përfiton dhe a është i përgatitur për jetën, është një aventurë pa sens. Shumë mirë, mund të arsimohen fëmijë që s’kanë prirje për studime të larta në shkolla profesionale, që t’u hapet perspektivë edhe për t’u punësuar. Është mbushur Shqipëria me juristë, ekonomistë e specialistë bujqësie, që kur i pyet në auditorë pse s’mësoni, të ndërgjegjshëm të përgjigjen njëzëri: “kur të mbarojmë ku do shkojmë?!” Kjo është një pyetje retorike. Diplomomania është kthyer në një sëmundje pa shërim. Ka një eksperiencë të çmuar të para viteve 1990, me shkollat profesionale, që përgatisnin specialistë në të gjitha fushat teknike. Mjafton të kujtojmë Politeknikumin “7 Nëntori”, në Tiranë, Liceun Artistik, shkollën e mesme bujqësore në Kavajë, që ishte në traditën e shkollës amerikane të Fullcit, etj. Këto shkolla të mësonin jo vetëm teorikisht, por edhe praktikisht. Të gjitha proceset e punës prodhuese kryheshin në praktikë nga nxënësit. Kjo metodë bënte të mundur që të përgatiteshin mjeshtër prodhimi shumë të aftë, që i shërbenin fuqimisht ekonomisë dhe individit. Këtë kategori specialistësh nuk e gjen sot në asnjë profesion.

Ago Nezha

Gazeta Shqip

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit