Lewis Hamilton e fillon sezonin e ri të Formula 1 aty ku e la atë të kaluarin. Në Melbourne të Australisë, britaniku sërish ka qenë kryesues i padiskutueshëm.
“Është vërtet një kënaqësi e madhe të fitosh këtu, sigurisht edhe të jesh në këtë podium”, tha piloti i Mercedes, Hamilton, pas fitimit të garës. “Ekipi ka bërë një punë fantastike deri më tani, por është e rëndësishme që të vazhdojmë atë që nisëm sezonin e kaluar. Një nder i madh për mua të jem përpara dy pilotëve të mëdhenj, si Rosberg dhe Vettel”, shkruan tch.
Duke marrë shkas nga intervistuesi në podium, Arnold Schwarzenegger, i cili ka luajtur edhe rolin kryesor në filmin “Terminator”, Hamilton, i cili është treguar vërtet një “vrasës” gjatë kësaj fundjave, qoftë në kualifikuese, ashtu dhe në garë, është shprehur me shaka: “Kujtoja se ishe më i gjatë”.
Për t’u rikthyer te gara, britaniku ka vijuar: “Nico ishte shumë i shpejtë, u përpoqa të menaxhoja sa më mirë distancën që kisha ndaj tij, për të mos rrezikuar. Por kur ai u përpoq të më afrohej, sigurisht që reagova dhe unë dhe kjo është një gjë pozitive. Gjithsesi ishte një garë shumë e mirë për të dy ne”.
Ndërkaq, piloti gjerman i skuderisë nga Shtutgarti, Nico Rosberg është detyruar të “gjunjëzohet” përpara kampionit në fuqi të botës. “Sulmova sa kisha mundësi, ndoshta nuk e keni vërejtur, por Hamilton nuk bëri asnjë gabim. U përpoqa të kurseja disi karburantin nga mesi i garës, për të bërë maksimumin në fund, por edhe britaniku pati të njëjtën strategji. Do të përpiqem të bëj më mirë në garat e ardhshme”. /Koha