Çështjet e shqiptarëve që jetojnë në Serbi dhe serbëve që jetojnë në Kosovë, e sidomos në veri të vendit, mbeten sfida për të dyja vendet, por edhe për komunitetet në fjalë, vlerësojnë politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe ata serbë të veriut të Kosovës.
Por, megjithatë, ata kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me qasjen që duhet ta kenë të dyja vendet ndaj pakicave dhe të drejtave të tyre.
Jo rrallë, politikanë nga Kosova, por edhe njohës të rrethanave politike, kanë ndërlidhur veriun e Kosovës dhe Luginën e Preshevës si probleme që kërkojnë zgjidhje reciproke, dhe një zgjidhje e tillë të kërkohet edhe në dialogun eventual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Politikani Riza Halimi, deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë, thotë se rregullimi i të drejtave të pakicave në Kosovë, në këtë rast edhe të serbëve, si dhe rregullimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi, duhet të bëhet nga vetë pakicat në relacion me qeveritë e vendeve ku jetojnë.
Por, sipas tij, kjo do të varet shumë edhe nga ndihma që serbët e Kosovës do ta kenë nga Beogradi zyrtar, ose në rastin tjetër, ndihma që shqiptarët e Luginës së Preshevës do ta kenë nga Qeveria e Kosovës.
Halimi thotë se Qeveria e Kosovës do të duhej të kërkonte nga Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare të drejtat për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ashtu siç ua siguron të drejtat serbëve të Kosovës, përmes dokumentit të Ahtisarit.
“Për një zgjidhje afatgjate, për zgjidhje stabile, çfarëdo aplikimi i kritereve të dyfishta do të ishte i dëmshëm. Thjesht, është vështirë që të arrihet deri te një kriter unik. E shoh edhe në vetë disponimin e bashkësisë ndërkombëtare. Administratat ndërkombëtare e kanë rregullisht parimin praktik, që thjesht t’i zgjidhin problemet, t’i heqin nga rendi i ditës, por pa u lodhur shumë për kritere unike”, thotë Halimi.
Politikani serb nga veriu i Kosovës, Marko Jakshiq, njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Serbisë nga radhët e Partisë Demokratike të Serbisë, thotë se çështjet e shqiptarëve që jetojnë në Serbi dhe të serbëve që jetojnë në Kosovë, nuk duhet parë si të ngjashme.
“Personalisht mendoj se nuk duhet vendosur gjërat në këtë mënyrë, sepse sipas nesh, të gjitha këto janë pjesë të shtetit të Serbisë, do të thotë edhe veriu i Kosovë, po edhe i ashtuquajturi jugu i Serbisë. Për këtë shkak, nuk do të duhej të vendosen në kuptimin e barazisë, njëra zonë për tjetrën zonë, duke pasur parasysh që qëndrimet tona janë se të gjitha këto zona janë pjesë të shtetit të Serbisë”, shprehet Jakshiq.
Por, Halimi insiston duke e quajtur të njëjtë pozitën e shqiptarëve që jetojnë në Serbi me pozitën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe zgjidhja e problemit të të dyja palëve, sipas tij, kërkon standard të njëjtë.
“Pozita dhe problemet e shqiptarëve në Serbi dhe pozita e serbëve në Kosovë është e ngjashme dhe çfarëdo dallimi, dallim drastik, që tash për tash shihet se ekziston në qasjen e zgjidhjes në Kosovë dhe këtu në Serbi, nuk do të jetë i dobishëm. Por, thjesht, në periudha shumë afatshkurta do të krijonte kriza të reja. Andaj, është koha që, në këtë drejtim, e tërë energjia të orientohet që të mos lejohen standardet e dyfishta”, thekson Halimi.
Ndryshe, kërkesa eventuale në dialogun eventual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që çështja shqiptarëve në Serbi të rregullohet me reciprocitet sipas modelit të të drejtave që gëzojnë serbët në Kosovë, sipas Jakshiqit do të ishte e pakuptimtë.
Siç thotë ai, bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk mund të konsiderohen si bisedime ndërmjet dy partnerëve të barabartë, për shkak se Serbia e konsideron Kosovën si pjesë të saj. Por, siç thotë Jakshiq, në rast se një temë e tillë hapet, kjo do të ishte humbje për Serbinë.
“Nëse kjo do të bëhet e mundur, atëherë do të nënkuptonte që Beogradi është pajtuar se Kosova është shtet i veçantë dhe si dy shtete të veçanta po i zgjidhin kontestet e tyre territoriale”, përfundon Jakshiq./rel