Shkruan: Muhamet Mavraj
Mungesa paralajmëruese
E mbani në mend një fotografi historike ku krerët e Kosovës, kryeministri, kryeparalamentari, kryetari (Sejdiu), ministri Limaj dhe kryeministri i Shqipërisë mbajnë gishtat në të njëjtin buton. Ata po kryenin shpërthimin e parë për Rrugën e Kombit, në pjesën e këndejme. Ishte e diela e fundit e prillit 2010, datë 25. Në atë festë ishin mijëra vetë, ishte Kosova e Shqipëria, ambasadorët kryesorë, natyrisht në krye me amerikanin, e sipas ngarjes, edhe turkun. Por, mungonin shefi i ICO-së, Feith dhe kreu Eulex-it, Kermabo.
Tenderin për ndërtimin e autostradës gjithëkombëtare nuk e morën evropianët, që lakmonin për një kompani të tyre shumë të njohur, por konzorciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka”. Mungesa e Feithit dhe Kermabosë krijoi ndjenjën e tërheqjes për goditje furtunë. Kjo ndodhi menjëherë, pa pritur shpërndarjen e ndjenjës së hakmarrjes. Hakmarrje personale, por duke shpërdorë instrumentin e drejtësisë për biznesin e paarritur financiar.
Parahistoria
Para spektakleve të mëdha përhapen thashethënma lart e poshtë, poshtë e lart. Shushushu-të ziheshin qysh nga 2009, por pak kujt i është mbushë mendja se një ministër aq dominant në ngjarjet e atij hovi të madh ndërtimesh, si Limaj, do të mund të goditej lehtë. Në prapavijën e thellë, në zemër të përplasjes është personi i ICO-së, vetë Pitër Feith.
Sipas asaj që dija atëherë, në kulm të grindjeve lobuese, muhabetet kishin rrëshqit në përplasje personale deri në të ditura private për holandezin e fryrë e të tërbuar, psh., për qejfbërjet e tij në lokale nate ku mund të ketë pasur ndonjë të mitur që t’i ketë vallëzuar mbi tavolinë. Dhe, ja përgjigja e Feithit, siç tregohej atëherë: pas disa muajsh (më duket 6 ose 9) ju z.Limaj do të fotografoheni me policët në shtëpinë tuaj! Në këtë përplasje ka qenë i pranishëm edhe kreu i qeverisë. Feithi dhe Kermabo nuk shkuan në Morinë për përhajret e rrugës më 25 prill 2010, sepse tashmë hakmarrja për humbjen definitive të kompanisë së tyre në garë me amerikano-turken ishte konvertuar në fletarrest. Kjo u kundërshtua nga ambasada amerikane dhe si kompromis doli “pajtimi për një kontroll”. Ky farë kontrolli u maksimalizua nga Eulexi, falë budallakisë sonë si shoqëri.
Hakmarrja
Në natën e 27 prillit 2010 ata të Eulexit u telefonuan mediave të tyre të besueshme që të dalin te Kino ABC në Prishtinë për të parë diçka të jashtëzakonshme të nesërmen paradite, por që s’mund t’ua thonin se çka. Aty ishte banesa e babait të Limajt, por atëherë Fatmiri as ai nuk banoin aty. Për shkak të pafuqisë së babait të sëmurë të cilin e mbante në përkujdesje, kishte marrë përkohësisht për banim shtëpinë e një ushtaraku në periferi. Këto quheshin me emra të feudalizmit si “pronat e Limajt”, një emërtim i pazakonshëm për shoqërinë tonë, që i thërret imagjinatës për milionerin e korruptuar, me shumë prona. Dhe, madje kishte transmetim direkt nga dihet cili televizion me pamje “ekskluzive” nga bastisjet gjithëditore. Nuk ishin bash gjithëditore, kishte edhe tregime tjera që janë fshehur. Spektakli ishte zbavitës për ata që besonin në propagandë, por ishte trishtues për fëmijët pa prind në shtëpinë ku banonte Limaj, sepse kudo spektakli duhej të përfshinte maska frikësuese në fytyrat e policëve. Atë ditë ka mund të ketë shumë të vrarë po të ishte Fatmiri tjetër njeri. Me ditë e me muaj kemi parë e riparë fragmente të ritransmetuara pa fund herë me uniforma policësh me do çanta të verdha plastike, të mëdha, që i bartnin lehtë, pra të zbrazëta. Spektakli i donte ato pamje. Për t’i mbushur me miliona. Se për sa para bëhej fjalë, do të na tregonte një holandez tjetër, bashkëvendës i Feithit, Johanes Vrejsvik, kryeprokuror. Atëherë e quanim “Pishpirik”, sepse e dinim mirë gjithë farsën. 80 milionë, tha ai. Kemi folë tashmë për marrëzitë e mediave tona, kryesisht ato të Kohës. Holandezi tejkaloi profesionin kur nuk gjeti asnjë provë të vetme dhe doli në media, por me shpifje. Dorën në zemër, ai gënjente fort dhe bindshëm, aq sa krerët e një pjesë të opozitës e citonin interpretueshëm si një kryehero në luftën kundër korrupsionit: “Zotni, a po ndalesh vetë, apo po të ndalim na në këto punët e këqija…”. Personazhi i keq i filmit, më i keqi në historinë e shqiptarëve më nuk ishte Esat Pasha, por Limaj. Heshtja morbide njëjavëshe e Qeverisë dhe institucioneve tjera, është java më e keqe që i ka ndihmuar nxirosjes së Kosovës, dhe jo më vetëm Limajt. Ky doli e tha: Zero cent! Nëse një cent del i keqpërdorur, jap llogari për të, edhe dorëheqje. Auditorët evropianë që nuk i manipuloi dot Feithi, dolën e thanë të njëjtën: ministria më e pastër!
Origjina e një falsifikimi tronditës
Erdhi koha kur prokurori i qiti përpara Limajt një dosje 7-8 faqëshe (një burim flet për 16). Dhe, Limaj i tha: këtë po e kërkoj, këtë e kam pas në dorë, prej nga në duart tua? Prokurori i tha se e kishte gjetë në banesën e Limajt. Kjo, po të gjindej, do të regjistrohej në prani të dëshmitarëve, por pak ka rëndësi në krahasim me pasojat tjera.
Disa muaj më parë, në 2009, Endrit Shalës i ishte shemb bota mbi kokë. Limaj kishte dal tym nga Thaçi dhe ishte kthyer në zyrë më atë dosje nën sqetull. Pa ia kthyer përshëndetjen Endrit Shalës, këshilltarit, ia qet përpara dosjen: merri dhe shko paraqitu në polici, mos prit me ardhë me të marrë, shko vetë në burg për këto që i paske bërë! “I thash ministrit, qenkan të falsifikuara o shef. Ministri më tha: I ke pesë minuta kohë të më shpjegosh për to. Ndërsa unë i thash më duhet një orë, sa të marrë nga posta regjistrin e komunikimeve me numrin tim. Ky numër është i imi, por ky numri tjetër as më ka shkruar as i kam shkruar”, ka thënë Shala për gazetën. Ministri sheh listën e komunikimeve nga Posta dhe bindet se bëhet fjalë për falsifikim të pazakonshëm. Shkon te Thaçi për krahasime dhe i kërkon shpjegime. Ai bindet se bëhet fjalë për falsifikim. Limaj kërkon burimin ose do të jepte dorëheqje në një konferencë shtypi të nesërmen. “Ne vërtet e thirrëm konferencën”, tha Shala, “ndërsa unë doja të nis menjëherë proces gjyqësor”. Pak para konferencës, Thaçi trokiti në derë dhe tregoi se faktet shpiejnë në emrin e Fitim R., polic në njësinë e kundër-drogës. Kësaj njësie i lejohen përgjime, sikurse edhe dhjetë tjerave. Sipas policisë, Fitim R. nuk priti masat por lëshoi policinë. Shfrytëzoi një mundësi dhe bëri strehë në shtëpinë, numrat e së cilës i kishte manipuluar duke kryer vepra të rënda penale, në Postë, madje te përgjimet!?
Endrit Shala, i biri i një patrioti intelektual me emër, nuk dëbohet nga puna, por ndërsa këshillohet me ligjin se si t’ia bëj, “dokumenti” zhduket në mënyrë misterioze. Paskësh përfunduar në Eulex nga hafijet tona. Ai “dokument” s’ka as një element për të qenë dokument, s’ka as vulë, as nënshkrim, as protokolim, madje nuk e ka as logon e Valës 900. Është një falsifikim i budallakut të policit Fitim R. Por, pikërisht mbi bazë të tij (2009) ka filluar shantazhi më i madh që ka ndodhë ndonjëherë në Kosovë. Pastaj është bërë skenari i madh i bazuar në teorinë e Napoleon Bonapartës: “Luftrat nuk fitohen vetëm në fushat e betejave. Duhet të dish të shfrytëzosh të gjitha marifetet e propagandës. Hileja, oportunizmi dhe njëfarë cinizmi janë të pandarë nga çdo strategji koherente. Duhet të dish të gënjesh me mend në kokë. Sa më e madhe të jetë gënjeshtra, aq më e madhe është mundësia për t’u marrë si e vërtetë”. Në procesin hetues është intervistuar edhe Thaçi, por burimit nuk i ka dhënë emër. Thjesht, “një burim anonim” ka thënë ai t’ia ketë dhënë atë listë të falsifikuar.
Këto falsifikime kërkojnë dorën e drejtësisë
Pasqyra e mesazheve është falsifikuar me gjasë në programin kompjutorik Exel. Janë dy numra që “komunikojnë” në këtë falsifikim: i një biznesmeni gjilanas dhe këshilltarit të Limajt, Endrit Shalës. Fitim polici dikund ndërhyn në mesazhe, dikund i len mesazhet e vërteta private të biznesmenit gjilanas, familjare dhe intime, dhe ndërmjet tyre krijon vetë mesazhe dhe shton sipas fantazisë fraza inkrimunuese, por që nuk përkojnë as me kohën e komunikimeve të biznesmenit, që thjesht nuk ka kurrfarë komunikimi lidhur me biznesin në numër të Endrit Shalës, as me çmimet e vërteta të tenderëve, as me asgjë fare. Prandaj, as me listën e vërtetë të komunikimeve që e ka Vala 900, pastaj baza e saj në Monako dhe natyrisht ato stacionet e pafundme që na përgjojnë ditë e natë, krejtësisht kundërligjshëm. Por, i ka edhe vetë njësia ku ka punuar Fitim R.-ja. Kompjutori i një polici s’mund t’i manipulojë serverët e botës.
Në malet e falsifikimeve të Fitim policit dalin inkriminuese 13 mesazhe të dërguara gjoja nga Shala tek biznesmeni gjilanas ose nga ai te Shala.
Duke përgjuar mesazhe të biznismenëve, polici ka mësuar nga termat e tyre, nga gjuha e shprehjet e tyre të punës, të “fshehtësive” nga përgjimet, nga disa “tituj” që mund të përkojnë sipas fantazisë së tij, si “O Endrit shefi” (që u përdor shumë për njollosje javën e kaluar nga po ajo kompania mediale përgjegjëse për propagandën e Eulexit) etj. Këto do të besoheshin deri dikund po të arrinte dora kriminale e policit ta manipulonte teknologjinë e Postës dhe bazës së Valës në Principatën e Monakos. Nga analistët e gjuhës, studiuesit e diskursit, do të hidheshin poshtë për shumë të meta, por këtu s’po ua mësojmë ato falsifikuesve të ardhshëm të mesazheve, që mund të jenë shumë e shumë nëse ky “bajraktari” i tyre nuk merr ndëshkimin e drejtësisë.
Periudha e mesazheve inkriminuese të shpifura është 15 mars 2009 deri në fund të marsit 2009.
Gazeta ka parë komunikimet e Shalës, madje që nga viti 2007 kur nuk ishte fare këshilltar në Qeveri. Gjithashtu i kemi parë tabelat e komunikimeve të biznesmenit gjilanas për periudhën e falsifikimeve.
Këto janë mesazhet që nisën njërën ndër historitë më të zeza të prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës deri më sot duke manipuluar njëherësh nga të dy numrat telefonikë.
MESAZHI I PARË: Biznesmeni gjilanas, pronar i firmës ndërtimore “Tali”, F.Z., gjoja i shkruan Endrit Shalës më 15 mars 2009, ora 15:09: “Përshëndetje shef, çka po ta merr mendja a po mundesh ma kryn qat punen e muhabetit qe e biseduam ate dite”.
Kjo “puna e muhabetit” dhe “muhabetit të biseduar” nuk figuron fare jetë ngarkuar me ndonjë cent nga Vala 900, sepse mesazhi nuk është shkruar kurrë.
Në detajet e komunikimeve të F.Z.-së, të lëshuara nga lista mujore që i shkon secilit parapagues të Valës 900, por edhe si dokument zyrtar në shërbim të procesit hetimor, ora 15:09 minuta e datës 15 mars 2009, nuk figuron fare. Figuron me sekonda madje ora 14:56:05 dhe pas saj s’ka dërgesë fare deri në 15:52:23 kur e kryen një thirrje, ndërsa dërgon mesazh dikund menjëherë pas, në kohën 15:52:23. Por, jo te Shala. Komunikimet e tyre janë të paqena. As në tabulatet e Shalës nuk figurojnë këto komunikime, as koha dhe as numri i gjilanasit.
MESAZHI I DYTË I FALSIFIKUAR: Sërish falsifikohet në kurriz të gjilanasit F.Z. Por “dokumenti” i policit tejkalon/fshin një mori mesazhesh që del t’i ketë shkruar posht e lart në punët e veta, ka komunikim shumë të bujshëm, thirrje e mesazhe. Për ta bërë të besueshëm “dokumentin”, polici e len një mesazh familjar që për të zezën e vet përputhet plotësisht me kohën 16:12 minuta, të datës 15 mars 2009, dy tjerë të datave 17 e 18 mars dhe i sulet numrit të Endrit Shalës më 19 mars 2009, ora 12:01, sërish me “shef”, por më nuk thotë “puna e muhabetit” dhe as “muhabeti i bisedës”. Ka “zhvillime” të reja terminologjike dhe natyrisht gabime të rënda jo vetëm në diskurs të shpërputhshëm me “standardet” intelektuale të dërguesit: “Po ku je o shef, a je mire ishalla po bohet qajo puna e mirembajtjes se po afrohen dita e nashta po gzohemi te gjithe. Vetem thash te pershendes e ta perkujtoj, kalo mire e mos u lodhe.”
As për këtë “mesazh” nuk ka paguar gjë në postë gjilanasi, sepse nuk e ka shkruar kurrë. Në atë kohë, 12:01, as është duke thirrur dikënd as nuk ka shtyp “send”. Janë orët e sakta të të dy mesazheve para e pas në punët e veta: ora 11:59:12 dhe 12:10:30. Madje ka komunikim të dendur por nuk figurojnë në “dokumentin” e dorës kriminale Fitim R. As në tabulatet e Shalës nuk përkojnë këto dy komunikime, as koha dhe as numri i gjilanasit.
Në numrat vijues shkoqisim me rend mesazhet e falsifikuara. Të përkujtojmë se deklaratat e një prokurori për gjoja aftësinë e madhe të Limajt për të manipuluar serverët e postës, është vetëm një nga pafundësia e argumenteve për procesin e porositur në kuzhinën e Prokurorisë Speciale ku punon edhe i ati i policit matrapaz, pse jo edhe hasëm i shtetit të dytë shqiptar. (VIJON)/Epoka e Re/