Një hakmarrje “alla shqiptarçe” e kanë quajtur mediat suedeze masakrimin me armë dhe thikë të djalit 12-vjeçar të Adnan Tafilit. Djali i Tafilit është plagosur rëndë në Suedi, ku ka marrë azil.
Sipas mediave, ai u gjet i rrahur keq në zonën Boda/Hassleholmen në Boras, rreth orës 16:30, në prag të Vitit të Ri, në një stacion autobusi. 12-vjeçari është qëlluar tri herë me armë dhe përveç kësaj është çarë keq në qafë.
12-vjeçari është dhunuar në ambient të hapur, ndërsa policia tregohet e kujdesshme duke mos dhënë detaje mbi atë që ka ndodhur. Fillimisht djaloshi është dërguar në spitalin e Boras, por më pas u dërgua në spitalin universitar në Gothenburg për ndihmë më të specializuar.
Faqja informative GP.se, raporton se policia është vënë në kërkim të një personi 20-25 vjeç. Pas krimit ai është parë duke u larguar me shpejtësi nga autobusi i shkollës në Boda. I dyshuari është 180 centimetra i gjatë, ka flokë të shkurtër dhe mban mjekër. Sipas dëshmive, ishte i veshur me të zeza dhe një jelek reflektues.
Armiqësia brutale dhe e zgjatur mes dy familjeve shqiptare, mund të jetë shkas i tentativës për vrasje të djalit 12-vjeçar të Admir Tafilit. Babai i djalit dhe xhaxhai janë në burg për vrasjen e dy vëllezërve. Për shkak hakmarrjes, është vrarë gjyshi i 12-vjeçarit rreth pesë vjet më parë.
Familja e 12-vjeçarit ka shkuar në Suedi tre vjet më parë, ku kërkuan azil për arsye sigurie. Shtëpinë e familjes së tij e kanë hedhur në erë në vitin 2012. Askush nuk ishte në shtëpi kur ndodhi shpërthimi, por shkatërrimi ishte i madh. Disa muaj më parë babai i 12-vjeçarit u arratis nga burgu i Drenovës, së bashku me gjashtë të burgosur të tjerë, por nuk mundi të dalë nga vendi. Ai është arrestuar nga policia lokale në një depo të vjetër në një qytet të afërt. /Telegrafi/