Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi kanë nisur t\’i hakmerren PDK-së, e cila i ka larguar këta të dy nga pozitat më të larta partiake.
Kështu, përkrahësit e Limajt dhe Krasniqit në Malishevë, Drenas e Ferizaj kanë themeluar iniciativa qytetare për të garuar për zgjedhjet lokale të nëntorit.
Vetëm në vendlindjen e Limajt janë shuar tetë Degë të PDK-së dhe i janë bashkuar Iniciativës Qytetare për Malishevën. Të fundit që kanë braktisur PDK-në janë Nëndegët e fshatit Ngucat dhe Shkarashnik.
Zyrtarë të pakënaqur të PDK-së të afër të Limajt kanë thënë se menjëherë pas zgjedhjeve do të zyrtarizojnë edhe partinë e re që do t\’i prijë Fatmir Limaj ose Jakup Krasniqi.
Sidoqoftë, analisti Shkelzen Maliqi thotë se si pasojë e Konventës së PDK\’së po vazhdojnë të dalin në pah pakënaqësitë brendapartiake, shkruan Express.
Gjendjen aktuale në PDK, Maliqi e pasqyron më një situatë seizmiologjike
“PDK e ka pasur një gjysmë tërmeti të madh. Është duke u paralajmëruar një tërmet edhe më i madh. E, tash janë këto tërmetet e vogla që mund të thellojnë krizën në këtë parti”, vlerëson Maliqi.
Sipas tij, pakënaqësitë brenda PDK-së janë rritur për shkak se jo të gjithë militantët kanë mundur të sistemohen në hierarkinë e partisë dhe nëpër pozita të larta shtetërore.
“Ka shumë njerëz brenda PDK-së që janë të pakënaqur dhe që kanë ambicie shumë të mëdha dhe që nuk kanë mundur t’i realizojnë pritjet e tyre”, ka shtuar ai.
Pavarësisht zhvillimeve brenda Nëndegëve të PDK-së, zyrtarët e kësaj partie thonë të mos kenë asnjë problem me largimet që po ndodhin.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Hashim Thaçit, Basri Musmurati deklaron se PDK s’mërzitet fare pse disa të pakënaqur kalojnë nëpër parti tjera apo themelojnë subjekte të reja.
“Jemi subjekt politik i madh dhe kemi njerëz edhe për të majtë, edhe për të djathtë, edhe për drejt, edhe për rrafsh edhe për përpjetë. Nuk mërzitemi për këtë punë fare. Të drejtën për t\’u pozicionuar në ndonjë subjekt tjetër ne nuk ia mohojmë askujt”, ka thënë Musmurati, për Express.
“Për ne si subjekt politik nuk është ndonjë problematik e madhe. Sepse në Malishevë e Drenas jemi të pakrahasueshëm me të tjerët. Andaj s\’ka kurrfarë të keqe”, ka shtuar ai.
Sekretari i PDK-së thotë se iniciativat që po themelohen nëpër komuna nuk po nxiten nga Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, por nga ambicia e individëve për të marrë pozita të larta nëpër komuna.
“Nuk është punë Fatmiri e Jakupi, por është çështje individuale e individëve të ndryshëm që veprojnë për interesa të veta”, ka shtuar ai.
Madje, Musmurati thotë se dy anëtarët e Kryesisë së PDK-së deri më tash nuk kanë bërë asgjë të keqe për të dëmtuar partinë.
“Së pari, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi nuk i hyjnë kësaj pune se s\’e kanë bërë asnjë argat deri më tash kundër PDK-së. Edhe në zgjedhjet e kaluara ka pasur iniciativa dhe në Drenas në mesin e tyre ka qenë edhe vëllau i Jakup Krasniqi. Ata janë ndarë shumë keq dhe përsëri janë kthyer në PDK”, ka shtuar ai.kohaislame