Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi është partneri kryesor i Task-Forcës së EULEX-it që po heton akuzat për trafikim organesh, akuza këto të iniciuara nga rezoluta e Këshillit të Evropës të njohura më shumë si “akuzat e Dick Martyt”.
Rezoluta e KiE-së është mbështetur në raportin e shkruar nga ish-senatori zviceran, Dick Marty, i cili kishte përfshirë edhe liderë politikë kosovarë në këtë çështje, shkruan “Zëri”.
Zëdhënësi i Task-Forcës speciale që është e vendosur në Bruksel, Juri Laas, i ka thënë “Zërit” se në mesin e partnerëve të ndryshëm, më kryesori mbetet Tribunali i Hagës. Ai këtë përgjigje e ka dhënë kur është pyetur nëse shefi i Task-Forcës, prokurori amerikan, John Clint Williamson po i merr parasysh hetimet dhe raportet e kryera më parë për këtë çështje nga Tribunali i Hagës.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Tribunalin e Hagës (ICTY), EULEX-in dhe çdokënd tjetër, mirëpo Tribunali i Hagës mbetet partneri kryesor. Për këtë në fakt ne kemi një kornizë bashkëpunimi..”, ka sqaruar Laas.
Menjëherë pas bërjes publike të këtyre akuzave, Serbia ka bërë çmos që hetimin nëse gjatë dhe pas luftës Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka vrarë pengjet e luftës, organet e të cilëve më pas i ka shitur në tregun e zi ndërkombëtar, t’i bëjë Tribunali i Hagës. /Telegrafi/kohaislame