-0.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Gúsuli (larja e përgjithshme)

Më të lexuarat

Gúsuli (larja e përgjithshme)
http://mjekesia-profetike.com/forum/index.php

Pastërtia rituale është dy llojesh, e vogël (abdesi) dhe e madhe (gúsuli). Gúsuli mund të jetë për shkak të të qenit xhunub, të menstruacioneve ose të lehonisë.
Gúsul do të thotë: larje e të gjithë trupit në një formë të caktuar, që do të shpjegohet më vonë.
Argument për detyrimin e gúsulit është fjala e Allahut të Madhëruar: “E nëse jeni xhunub (pas marrëdhënieve me bashkëshortet tuaja), atëherë lahuni.”[1]
Thuhet se arabët edhe para Islamit e kanë përdorur gúsulin për xhunubllëkun, kjo është trashëgimi që pat ngelur ndër to nga feja e Ibrahimit (alejhi selam).
Rastet kur gúsuli është i detyrueshëm për muslimanin janë gjashtë:
1- Dalja e spermës prej rrugëdaljes së vet, qoftë prej mashkullit apo femrës.Sperma mund të dalë ose zgjuar, ose në gjumë. Nëse del kur je zgjuar, është kusht që të ndjesh kënaqësi me daljen e saj, sepse nëse del pa kënaqësi, si prej ndonjë sëmundjeje, vapës, etj., gúsuli nuk është i detyrueshëm.Nëse del kur je në gjumë, gúsuli është detyrim absolut, sepse në gjumë ndoshta ndjen e ndoshta nuk ndjen asgjë, prandaj nëse zgjohesh dhe gjen gjurmë të spermës, duhet të merret gúsuli.
2- Futja e organit mashkullor (penisit) tek ai femëror, edhe sikur të mos arrish në dalldi e s’del spermë. Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: “Nëse (penisi) vjen deri tek të katërta buzët (e vaginës) dhe futet koka derisa arrin poshtë (dy) buzëve të brendshme, atëherë gúsuli është i detyrueshëm.”[2] Pra, në ketë rast, del apo s’del spermë, gúsuli duhet të kryhet si për burrin, ashtu edhe për gruan. Hadithet dhe Ixhmaja e dijetarëve e mbështesin këtë gjykim.
3- Hyrja në Islam e ndonjë jobesimtari. Nëse ndonjë jobesimtar përqafon fenë islame, duhet të marrë gúsul, sepse kështu i urdhëroi Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) disa burra që përqafuan fenë islame.[3]Shumë dijetarë janë të mendimit që gúsuli për atë që përqafon rishtas fenë islame, nuk është i detyrueshëm, por i pëlqyeshëm. Kjo sepse nuk është përcjellë gjë se Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) i ka urdhëruar të merrnin gúsul të gjithë ata që përqafonin fenë islame. Prandaj, nëse i bashkojmë argumentet, del se gúsuli në këtë rast është i pëlqyeshëm e jo i detyrueshëm. Allahu e di më së miri.
4- Vdekja. Edhe trupit të të porsavdekurit duhet t’i kryesh gúsulin. Këtu përjashtohet ai që ka rënë martir në rrugën e Allahut, sepse ai s’ka nevojë të lahet. Në gjykimet e xhenazes do të shtjellohet më shumë kjo temë.
5-6- Menstruacionet dhe lehonia. Këto janë detyruese të gúsulit, sipas fjalës së Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thënë njërës prej muslimaneve: “Nëse të vijnë periodat, lëre namazin derisa të ikin, e nëse ikin, lahu e pastroje gjakun dhe pastaj falu.”[4] Dhe fjalës së Allahut I Madhëruar: “E nëse ato lahen (pas mbarimit të menstruacioneve)…”[5]
Mënyra e plotë e marrjes së gúsulit është:
Bërja e nijetit me zemër (që po merr gúsul).
Thënia “Bismil-lah”, larja tri herë e duarve e pastaj e organit gjenital.
Marrja e plotë e abdesit.
Hedhja ujë mbi kokë tri herë, duke e çuar ujin deri në rrënjë të flokëve.
Larja e tërë trupit duke e fërkuar me duar që uji të arrijë në çdo pjesë të tij.
Gruaja duhet t’i lëshojë flokët kur merr gúsul pas menstruacioneve apo lehonisë, kurse për xhunubllëk nuk ka gjë edhe nëse s’i lëshon, mjafton që uji t’i ketë ngopur flokët e saj deri në rrënjë.
Ai ose ajo që merr gúsul, duhet të sigurohet që uji t’i ketë arritur kudo, në rrënjët e flokëve, në vendet e fshehura të trupit, poshtë mjekrës, poshtë sqetullave, në kërthizë, nga prapa gjunjëve dhe nëse ka vënë orë ose unazë, t’i rrotullojë që uji të futet edhe poshtë tyre.
Kështu, trupi duhet të përshkohet mirë nga uji. Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: “Edhe poshtë çdo fijeje floku ka xhunubllëk, prandaj lajeni mirë flokun e pastrojeni lëkurën.”[6]
Në gúsul, sikurse edhe në abdes, uji nuk duhet shpërdoruar, por me ujë të pakët mund të kryhet gúsuli më së miri, sepse përcillet se Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) lahej në abdes me një sasi uji sa mbajnë dy pëllëmbët të mbledhura dhe në gúsul harxhonte sa pesëfishi i kësaj sasie.[7] Prandaj duhet ndjekur shembulli i Profetit Muhamed (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) në përdorimin e pakët të ujit dhe në mosshpërdorimin e tij.
Larja duhet të bëhet në një vend të fshehtë e jo të dilet para njerëzve ashtu lakuriq. Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: “Allahut i pëlqen turpi dhe mbulimi, prandaj kur të laheni kini turp e mbulohuni (nga sytë e njerëzve).”[8]
Gúsuli për pastërtinë e madhe rituale është një amanet dhe detyrim mes robit dhe Zotit, prandaj duhet të zbatohet kur është i detyrueshëm, me kujdes të veçantë e me përpikmëri në të gjitha fazat e tij, që të jetë i saktë.
Nëse mbetet diçka e paqartë rreth gúsulit, duhet pyetur pa patur turp për këtë, sepse Allahu s’ka turp nga e drejta. Turpi që e pengon njeriun të pyesë rreth mësimeve të fesë së tij, është turp i përçmuar. Ai madje është rreng i shejtanit, që njeriu të mos e njohë fenë e tij siç duhet.
Pastërtia është diçka e lartë dhe e madhe dhe neglizhenca e saj është e rrezikshme, sepse nga ajo varet vlefshmëria e namazit, që është shtylla e fesë.
E lusim Allahun të na ndriçojë me dije ne dhe të gjithë muslimanët dhe të na japë çiltërsi për Të në punët tona

[1] Maide, 6.

[2] Muslimi.

[3] Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu.

[4] Buhariu.

[5] El Bekare, 222.

[6] Ebu daudi, Tirmidhiu, Ibn Maxhja.

[7] Buhariu.

[8] Ahmedi, Ebu Daudi,Nisai.

<!–

–>

 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit