Gruevski nuk do ta përcaktojë më fatin e Maqedonisë, ajo që do të ndodhë në Maqedoni mund ta përcaktojë fatin e Gruevskit. Detyra tani është të ndërtohet një sistem, në të cilin Gruevski nuk do të përsëritet më.
Me kokë të ulur, të dielën, me 15 tetor Nikolla Gruevski paralajmëroi dorëheqjen e tij nga skena politike në Maqedoni. Gruevski nuk e shqiptoi fjalën “dorëheqje”, por edhe nuk e kishte të domosdoshme. Dorëheqja qëndronte mbi të si hije dhe vërehej në tentimin e pasuksesshëm për të përçuar vendosmëri dhe fuqi. Tentimi që humbjen e thellë ta arsyetonte me akuza për parregullsi dhe presione ndaj votuesve, ishte sa për sy e faqe ndaj simpatizantëve të vet dhe anëtarëve të partisë, para raundit të dytë të votimit me 29 tetor, kur do të vuloset fati i tij.
Por, nëse rrëzimi i Gruevskit është tanimë temë e mbyllur, çështje e hapur mbetet: çfarë do të bëhet me sistemin që ai la pas vetes në shtet, pas plot dhjetë viteve të sundimit të tij? Bëhej fjalë për sistemin dhe jo për një paraqitje të shkurtër, pasojat e të cilit nuk mund të evitohen aq lehtë me formimin e qeverisë së re dhe fitores, pavarësisht nëse bëhet fjalë për fitore të madhe, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit lokale. Sistem, në të cilin mbretëroi korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi, nacionalizmi, kontrolli ndaj gjyqësorit, frika dhe ngulfatja e lirisë së mediave dhe qytetarëve.
Sistem, tmerret e të cilit dolën në sipërfaqe me 27 prill të këtij viti me hyrjen në parlament. Sistem për çmendurinë e të cilit dëgjuam në “aferat e bombave”, të cilat i publikonte opozita e atëherëshme tani në pushtet. Sistem, i cili e hidhëroi vendin me fqinjët dhe bashkësinë ndërkombëtare. Sistem i cili prodhoi “projektin Shkupi 2014”, me të cilin kryeqyteti hyri në fushën e kiç-it, duke e shndërruar atë në objekt talljeje para opinionit boteror.
Deziluzionim në vend të euforisë
“Nikollë, nga burgu i Shutkës nuk shpëton dot!”, thërisnin simpatizantët e LSDM-së në natën e fitores së madhe të zgjedhjeve lokale. Emocionet nga më të ndryshmet, për shkak të humbjes përfundimtare të rivalit, dhe euforia nga fitorja e madhe e papritur e partisë së tyre, për momentin i vënë në plan të dytë të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet shteti, si brenda ashtu edhe jashtë. Pjesërisht fjalimi i përmbajtur i Zaevit, i cili paralajmëroi se “tani duhet t’i përveshim mëngët”, i dha një notë deziluzionimio momentit festiv. Pa marrë parasysh nëse do të përfundojë Gruevski apo jo në burgun e Shutkës, të Idrizovës apo Belizes, Zaevi duhet ta ketë të qartë se ai dhe partia e tij gjenden para një detyre historike, në të cilën nuk ka shumë hapësirë për gabime.
Përgjegjësia është e madhe, sikurse edhe pritja e qytetarëve. Gruevski nuk do ta përcaktojë më fatin e Maqedonisë, por në të kundërtën, ajo që do të ndodhë në Maqedoni mund ta përcaktojë fatin e Gruevski ose të të ngjashmëve të ardhshëm si Gruevski.
Drejtësi gjithsesi duhet të ketë. Por atë mund ta sjellë vetëm një sistem i reformuar gjyqësor dhe për ekzistimin dhe funksionimin e pavarur të tij, politika duhet të krijojë kushte. Nuk është e rastësishme që në raportin e dytë të grupit të ekspertëve të Komisionit Evropian të udhëhequr nga Rajhnard Pribe, theksohej rreziku “që një shtet i kapur si Maqedonia të zëvendësohet me tjeter”.
Brukseli dhe përkrahësit e tjerë ndërkombëtarë të Maqedonisë, gjatë 25 viteve të kaluara panë dhe dëgjuan shumë “fillime të reja”, premtime të shumta të parealizuara, rilindje dhe jetë…për të mos folur për ato që dëgjuan qytetarët e Maqedonisë. Që Maqedonia të bëhet shtet me të gjitha “simbolet” nuk është e mjaftueshme që Zaevi të ulet në fronin e Gruevskit, ndërsa socialdemokratët t’u zënë vendin e kryebashkiakëve të VMRO-së.
Punët, që e presin në të ardhmen prekin thellë themelet e shoqërisë: sistemin arsimor, i cili që grupmoshat e vogla i mësonte për bindje, në vend të mendimit krijues dhe kritik, në shëndetësi e cila të bënte të sëmurë, në vend që të të shërojë, në administratën publike, në të cilën avancoje me librezë partiake në vend të cilësisë, në të menduarit i cili pushtetin e sheh si shans për pasurim në vend të shërbimit, edhe në raportin me mjedisin jetësor.
Reformat, të cilat duhen të realizohen në Maqedoni duhet patjetër të kalojnë sipas vertikales, por jo si projekte teoriko-ligjore, të cilat askush nuk i zbaton në praktikë, por si një shembull nga maja te qytetari i rëndomtë, për një sjellje pak më ndryshe. Ndërtimi i kultit personal të një lideri si dhe përbuzja duhet të ndryshohet me kritikë dhe dialog.
Eleminimi i sistemit Gruevski
Nuk do të kalojë shumë kohë, kur do të dalin lajmet e para, për shembull, për ndarjen e tendereve në baza partiake ose private, si në pushtetin qendror, ashtu edhe në atë vendor. Një gjë e tillë ndodh kudo në botë. Dallimi është në atë që dukuri të tilla dënohen atje ku dëshiron të shkojë Maqedonia. Nëse mosndëshkimi vazhdon të vlejë si parim për funksionarët në vend, të gjitha premtimet do të mbeten fjalë boshe. Tentimi për kompensimin eventual të pakënaqësisë së qytetarëve me klientelizëm të ngjyrave të reja partiake, vetëm se do ta përshpejtojë shkatërrimin e shtetit dhe do t’i kthehet si bumerang partisë në pushtet. Gjithashtu edhe ngulfatja e mediave. Sfida që të prekej apo shfrytëzohej së paku edhe një pjesë nga sistemi i vjetër për partinë apo për përfitim personal, shumë shpejt do ta vinte partinë e re në pushtet në binarët e “Gruevizmit”.
Nëse nuk eleminohet tërësisht sistemi i Gruevskit, atëherë kjo situatë nuk do t’i sjellë asgjë të mirë, as shtetit e as partisë në pushtet. Atë sistem nuk e ka shpikur Gruevski ose VMRO-DPMNE-ja, ata vetëm e materializuan atë që lanë trashëgimi socialdemokratët në vitin 1990. Prandaj detyra nuk do të jetë as e lehtë e as e thjeshtë. Detyra është e qartë, duhet të ndërtohet një sistem në të cilin Gruevski nuk do të përsëritet më.
Kjo do të jetë e mundur vetëm me gjyqësi të pavarur, me administratë profesionale, me media të lira dhe shoqëri të fuqishme civile. Do të duhet shumë guxim dhe punë cilësore që të fillojë ndryshimi i gjërave në Maqedoni. Se a ka vendosmëri dhe përkushtim LSDM-ja dhe Zaevi ta bëjnë një gjë të tillë, këtë do ta kuptojmë së shpejti. Nga ajo që kemi parë deri tani, ka hapësirë për optimizëm dhe shpresa të matura, por jo edhe për eufori.
DW