3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

GREQI, KRIZA EKONOMIKE RRIT NUMRIN E VETËVRASJEVE DHE SULMEVE RACISTE

Më të lexuarat

Vazhdojnë të vijnë lajme sensacionale nga Greqia, vend ky që mbahet pas Eurozonës në fije të perit. Për shkak të borxheve në Greqi thuajse çdo ditë ndodhin vetëvrasje dhe vendet e punës mbyllen një e nga një. Kurse Organizata e Kombeve të Bashkuara e paralajmëroi Greqinë për sulmet raciste me tendencë në rritje.

Greqia po kalon një nga periudhat më të vështira në historinë e saj. Në njërën anë varfëria dhe papunësia në rritje, në anën tjetër lartësimi i racizmit… Janë këto dy dukuritë që po lënë gjurmë të thella në agjendën e shtetit më jugor të Ballkanit, i cili më 17 qershor do t’i drejtohet sërish kutive të votimit për zgjedhje legjislative të parakohshme.

Një nga stacionet e metrosë në kryeqytetin Athinë u bë skenë e një tjetër sulmi racist kundër një emigranti. Rreth 30 racistë grekë rrahën një emigrant pakistanez deri sa ky i fundit humbi ndjenjat. Pakistanezi viktimë e dhunës raciste më pas u dërgua në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Përfaqësuesi i Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) në Greqi njoftoi se gjatë 18 muajve të fundit në këtë vend ka pasur një shpërthim të sulmeve raciste, ndërsa paralajmëroi se situata ka arritur në përmasa shqetësuese.

Problemet ekonomike të Greqisë përpara zgjedhjeve po multiplikohen me shpejtësi. Në Athinë një tjetër pensionist i dha fund jetës për shkak se nuk mund të shlyente borxhet. Në njërin prej xhepave të pensionistit të vetëvrarë u gjend shënimi: “Kjo ecuri tregon se Greqia do të fshihet nga harta.”

Bizneseve të falimentuara iu shtua edhe një hotel me 5 yje në qendër të kryeqytetit, gjë kjo që do të thotë “rekrutim i ri” në radhët e ushtrisë së të papunëve.

Ndërsa shumica e familjeve greke, që dikur i përkisnin shtresës së mesme, tashmë kanë filluar të marrin ndihma nga institucione të ndryshme, pasi nuk kanë më mundësi ekonomike për t’u kujdesur për fëmijët e tyre.

Fondacioni “Miku i Fëmijëve”, një prej institucioneve humanitare që ofrojnë ndihmë për familjet e lartpërmendura, u është përgjigjur pozitivisht aplikimit të 450 familjeve greke, duke mundësuar kështu asistencë ushqimore për gjithsej 800 fëmijë. Mirëpo edhe ky fondacion është në vështirësi, sepse qeveria ka në plan të vjelë taksa edhe nga donacionet.

Por ky nuk është lajmi i fundit ogurzi i qeverisë greke për popullin. Nëse Athina zyrtare nuk arrin të marrë brenda dy javëve në vijim ndihma financiare nga jashtë, atëherë në Greqi do të fillojë edhe ndërprerja e rrymës elektrike.


- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit