Të paktën 28 emigrantë të huaj që punojnë në plantacionet e luleshtrydheve janë plagosur mbrëmjen e së mërkurës në komunën Nea Manoladha të prefekturës së Ilias, në gadishullin e Peloponezit, pasi një prej mbikëqyrëesve të tyre i ka qëlluar ata me armë zjarri.
Incidenti i përgjakshem i radhës në këtë zonë ka ndodhur kur 200 emigrantë, kryesisht nga Bangladeshi, që po protestonin duke kërkuar pagat e gjashtë muajve të fundit, janë konfrontuar me fjalë me tre prej mbikëqyrësve të tyre grekë.
Pasi janë ndezur gjakrat, një prej tyre ka qëlluar me një armë gjuetie mbi turmën, duke plagosur rëndë tetë prej tyre dhe më lehtë të paktën 20 të tjerë.
Të plagosurit janë çuar në spitalet e zonës dhe sipas policisë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Përsa u përket tre mbikëqyrësve, ata janë shpallur persona në kërkim, ndërkohë që është arrestuar nga organet e rendit punëdhënësi i emigrantëve të huaj.
Gjithashtu, forca të shumta policore janë shpërndarë në gjithë prefekturën e Ilias dhe në zonat përreth për të parandaluar incidente të tjera, pasi gjendja është tepër e tensionuar.
Emigrantët e huaj në këtë zonë të Greqisë kanë qenë shpeshhere në epiqendër të vëmendjes së mediave vendase dhe të huaja, të cilat i kanë cilësuar ata si skllevërit e kohëve moderne, pasi punojnë më shumë se 12 orë çdo ditë, në kushte tepër të vështira me paga ditore nga 3 deri në 5 euro.
Shumica e tyre janë të paligjshëm, të pasiguruar, jetojnë në kushte çnjerëzore dhe pranojnë kushtet barbare të punëdhënësve të tyre.
Ngjarja në fjalë, që është dënuar sidomos nga forcat e majta politike të vendit, vjen në një moment kohor kur rastet e dhunës me motive raciste në Greqi po vijnë gjithnjë dhe duke u rritur./almakos/kohaislame