1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Gratë nobeliste kërkojnë nga liderët botërorë të ankohen për masakrën e Mianmarit

Më të lexuarat

Gratë fituese të çmimit Nobel për kontributet e tyre për paqe, Tawakkol Karman, Shirin Ebadi dhe Mairead Maguire, të cilat vizituan kampet e refugjatëve të Arakanit në rajonin Cox’s Bazar të Bangladeshit, janë takuar me gratë refugjate që qëndrojnë në këto kampe, raporton Anadolu Agency (AA).

Tawakkol Karman, njëra nga gratë e nderuara me çmimin Nobel, në prononcimin e saj për AA bëri të ditur se është takuar me dhjetëra muslimanë të Arakanit në këto kampe dhe se nga ato ka dëgjuar historitë e tyre të dhimbshme.

“Në mesin e krimeve që ushtria e Mianmarit ka kryer kundër muslimanëve të Arakanit, ka masakra e përdhunime masive, djegie të njerëzve, varje të baballarëve para syve të fëmijëve dhe varje të fëmijëve para syve të baballarëve, djegie të shtëpive, konfiskim me dhunë të shtëpive, tokave e pronave, si dhe dëbime masive të njerëzve”, u shpreh Karman.

Në fjalën e saj, Karman ka shpjeguar se njëra nga gratë me të cilën është takuar në kamp është rrëfyer se ushtarët i kanë prerë fytin djalit të saj të vogël, duke e hedhur trupin e tij më pas në lumë, ndërsa gruan e kanë detyruar që t’i shikojë të gjitha këto.

“Njëra nga gratë ka treguar se ajo bashkë me dy vajzat e saj, njëra gjashtë dhe tjetra 8 vjeçe, teksa qëndronin në shtëpinë e tyre ishin përballur me përdhunime masive të ushtarëve. Një gruaje tjetër ia kanë masakruar djalin 17 vjeçar para syve të saj, ndërsa ajo është detyruar të shikojë të gjithë këtë. Një tjetrës ia kanë masakruar dhe djegur nënën e babain para syve. Ka shumë gra me histori të këtilla. Këtu jemi përballur me qindra fëmijë që nuk kanë as nënë e as baba”, ka theksuar Karman për AA.

Duke vënë në dukje se nëpër strehimoret në kampe refugjatët kanë mangësi të nevojave edhe më themelore, Karman apelon te vendet islame që të ushtrojnë më shumë presion ndaj qeverisë së Mianmarit.

– “Ky është gjenocid i qartë i kryer nga qeveria e Mianmarit”

Sipas raportimeve në median e Bangladeshit edhe dy gratë tjera të nderuara me çmimin Nobel, Shirin Ebadi dhe Mairead Maguire, pas vizitës së tyre në kampet e refugjatëve kanë folur për median.

Maguire, duke njoftuar se kanë dëgjuar rrëfimet e grave të cilat janë përballur me përdhunime dhe kanë humbur familjet e tyre, ka theksuar se, “Ushtarët e Mianmarit duke ia marrë foshnjen një gruaje e kanë masakruar. Ky është një gjenocid shumë i qartë i kryer nga qeveria dhe ushtria e Mianmarit”.

Sipas gruas që fitoi çmimin Nobel, liderët botërorë duhet të ankohen në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për atë se qeveria e Mianmarit ka kryer “një përpjekje për të zhdukur nga Mianmari muslimanët e Arakanit dhe historinë e tyre”.

“Nëse qeveria dhe ushtria mendojnë se mund të masakrojnë fëmijët e vegjël, atëherë kjo është një masakër e madhe ndaj pafajësisë, ku po shkon kjo botë e jona?”, u shpreh Maguire.

Ndërsa Ebadi, avokate iraniane dhe mbrojtëse e të drejtave të njeriut, shprehu mirënjohje për qeverinë dhe popullin e Bangladeshit për mikpritjen e refugjatëve të muslimanëve të Arakanit.

“Për çdo ditë të re shtohet numri i refugjatëve që vijnë në Bangladesh. Kjo rritje duhet të ndalohet”, theksoi Ebadi.

Gruaja e parë në botën arabe që ka fituar çmimin Nobel për paqen për kontributet e saj, Tawakkol Karman, gjatë ditës se djeshme vizitoi kampin e refugjatëve Kutupalong, ndërsa Shirin Ebadi dhe Mairead Maguire sot vizituan kampet Balukhali dhe Thaingkhali, të gjitha në rajonin Cox’s Bazar që ndodhet në kufirin Bangladesh-Mianmar.

Gratë nobeliste poashtu kanë zhvilluar një takim me Abul Kalam, komisionerin në Cox’s Bazar për Ndihmë të refugjatëve dhe komisionit për rikthimin në territoret e tyre.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit